Author: editor

  • E rëndë! Aksident në aksin “Lushnjë-Berat”, makina përplas një këmbësor. Ndërron jetë në vendngjarje 63-vjeçari

    E rëndë! Aksident në aksin “Lushnjë-Berat”, makina përplas një këmbësor. Ndërron jetë në vendngjarje 63-vjeçari

    Një aksident me vdekje ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, ku ka humbur jetën tragjikisht një 63-vjeçar.

    Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shtetasi me iniciale G. I., 54 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin me iniciale N. H., rreth 63 vjeç, këmbësor.

    Si pasojë e dëmtimeve, 63-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën në vendngjarje.

    Fier/Informacion paraprak

    Rreth orës 12:55, në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, shtetasi G. I., 54 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin N. H., rreth 63 vjeç, këmbësor.

    Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi N. H. ka humbur jetën në vendngjarje.

    Shërbimet e Policisë shoqëruan drejtuesin e automjetit, shtetasin G. I., në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

  • “Mendonim se çfarë fluturon, hahet”/ Monika Kryemadhi rrëfen kujtimet me Ilir Metën: Kur mbeta shtatzënë herën e parë…

    “Mendonim se çfarë fluturon, hahet”/ Monika Kryemadhi rrëfen kujtimet me Ilir Metën: Kur mbeta shtatzënë herën e parë…

    Edhe pse kohët e fundit ka deklaruar se “nuk flet për persona që s’kanë të bëjnë me jetën e saj”, është e pashmangshme për deputeten Monika Kryemadhi të mos përmendë ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta në deklarimet para mediave. Martesa e tyre ka marrë fund prej muajsh tashmë, megjithatë ata kanë qenë sëbashku për thuajse tre dekada.

    “Se ndoshta shqiptarët s’e mbajnë mend…”, kështu tha Kryemadhi para SPAK, duke rrëfyer se në kohën kur ende s’ishte celebruar me Metën, kishin jetuar ca kohë te nëna e saj.

    “Kur kam ngelur shtatzënë me vajzën time të parë, ne s’kemi qenë as të fejuar e as të martuar me Ilir Metën. Ne ishim të dy si dy të rinj që çfarë fluturon hahet. Më hapi derën e shtëpisë, më dha dy dhoma që ne të jetonim me Ilir Metën. Më pas mua m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Ne kemi jetuar bashkë që nga ’98-a”, tregoi Kryemadhi.

    Kjo copëz rrëfimi erdhi pasi deputetja e PL-së u pyet se ku do qëndrojë tani që Apeli i Posaçëm i ka sekuestruar banesën e saj. Ajo e la të hapur mundësinë e një rikthimi në shtëpinë e së ëmës, ashtu si dikur. Gjithsesi, procesin gjyqësor që e konsideron hakmarrje politike, thotë se do e ndjekë deri në Strasburg.

  • Vrasja e Martin Canit, familja e 14-vjeçarit letër institucioneve të larta shtetërore në Tiranë dhe ambasadës së SHBA-së: Ngjarja nuk po zbardhet qëllimisht

    Vrasja e Martin Canit, familja e 14-vjeçarit letër institucioneve të larta shtetërore në Tiranë dhe ambasadës së SHBA-së: Ngjarja nuk po zbardhet qëllimisht

    Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit i cili humbi jetën në ngjarjen e rëndë pranë shkollës “Fan Noli” gjatë një sherri me bashkëmoshatarin e tij, i janë drejtuar me një letër institucioneve të larta shtetërore në Tiranë.

    Mësohet se letra i është drejtuar Ambasadës së SHBA, Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe kreut të opozitës.

    VIJON…

  • Holanda “shuplakë Serbisë”, do të bllokojë rrugën e Beogradit për anëtarësim në BE

    Holanda “shuplakë Serbisë”, do të bllokojë rrugën e Beogradit për anëtarësim në BE

    Ministri holandez Caspar Veldkamp po planifikon të kundërshtojë Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë takimit të ministrave të jashtëm të së martës në Bruksel.

    Serbia “nuk është ende gati” për hapin e ardhshëm dhe nuk ka arritur të bëjë “përparim të mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit”, u tha Veldkamp gazetarëve në Bruksel të hënën, shkruajnë mediat e huaja.

    Takimi i së martës do të diskutojë përparimin në procesin e zgjerimit të BE-së.

    Sipas tij, pozicioni i politikës së jashtme të Serbisë nuk ka lëvizur mjaftueshëm në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, siç kanë bërë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    “Pra, ne presim më shumë hapa nga Serbia”, ka shtuar ai.

    Kujtojmë se të 27 shtetet anëtare duhet të bien dakord që një vend aspirant të bashkohet me bllokun.

    Veldkamp theksoi se ai shpresonte se vendet e tjera të BE-së do të miratonin qëndrimin holandez “në mënyrë që ne të mos jemi vetëm në këtë”.

    Veldkamp vuri në pah se donte të shihte përparim të qartë nga Serbia në javët e ardhshme.

    Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe negociatat aktuale filluan në vitin 2014.

    Por një nga pengesat më të mëdha është Kosova dhe Serbia nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e Kosovës.

    Serbisë nuk i kërkohet të njohë pavarësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, por duhet të pranojë kufijtë e saj aktual.

  • Vjen në jetë fëmija i parë me in Vitro te “Koço Gliozheni”

    Vjen në jetë fëmija i parë me in Vitro te “Koço Gliozheni”

    Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka dhënë lajmin e mirë sot se për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ka ardhur në jetë fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.

    Ministrja Koçiu deklaroi se Soreja ka lindur me peshë 4 kg e 250 gram duke bërë realitet jo vetëm ëndrrën prej mëse 16 vitesh të dy prindërve të saj, Eridës dhe Xhemalit, por njëkohësisht duke shënuar një moment tejet të rëndësishëm për strukturat spitalore publike.

    Koçiu vizitoi nënën dhe vajzën e saj e cila erdhi në jetë falë profesionalizmit të ekipit të mjekëve të Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) në maternitetin “Koço Gliozheni”.

    Ajo vuri në dukje se ardhja në jetë e fëmijës së parë nëpërmjet teknikës inovative të mjekësisë moderne u bë e mundur falë investimit të qeverisë për ngritjen e Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) duke e kthyer në një qendër model të shtatzënisë në nivel kombëtar përmes riprodhimit të asistuar.

    “Në spitalin publik kemi beben e parë me procedurën e riprodhimit të asistuar. Te materniteti “Koço Gliozheni” falë edhe Qendrës së Riprodhimit të Asistuar që u investua e gjitha falë buxhetit të shtetit nga e para dhe mundësisë për të rimbursuar paketën e fertilitetit për të gjitha çiftet që e kanë të pamundur të sjellin një bebe vetë, ne i ndihmojmë edhe i mbështesim për të realizuar ëndrrën e tyre më të madhe”, nënvizoi ministrja.

    Qeveria shqiptare dhe MSHMS ka mundësuar financimin e plotë të paketës së fertilitetit, një shërbim i cili tashmë ofrohet falas për ata bashkëshortë apo çifte të cilët duan të kenë fëmijën e tyre nëpërmjet kësaj procedure. “Paketa e fertilitetit mbulohet 100% nga buxheti i shtetit”, u shpreh Koçiu.

    Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “materniteti “Koço Gliozheni” hapi siparin e kësaj procedure ndërkohë që me buxhetin e 2025 edhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë do të fillojë investimin përkatës për të realizuar gjithashtu paketën e fertilitetit falas për të gjitha çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë”.

  • Tragjike! Masivi i gurëve zë poshtë 47-vjeçarin, humb jetën punëtori

    Tragjike! Masivi i gurëve zë poshtë 47-vjeçarin, humb jetën punëtori

    Rreth orës 11:30, në lagjen “13 Shtatori”, në rrugën e Kalasë, gjatë punimeve nga një subjekt privat, është shkëputur një masiv guri dhe ka zënë poshtë punëtorin e subjektit, shtetasin 47 vjeç, banues në Berat.

    Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë bërë të mundur nxjerrjen e shtetasit nga masivi i gurit dhe e kanë transportuar me ambulancë drejt spitalit, por si pasojë e dëmtimeve, 47-vjeçari ka humbur jetën.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Atentati në Athinë, policia greke rihap dosjen e vrasjes së “Sidit”. Ja detajet e reja nga hetimi

    Atentati në Athinë, policia greke rihap dosjen e vrasjes së “Sidit”. Ja detajet e reja nga hetimi

    Policia greke ka rihapur edhe njëherë hetimet për vrasjen e ndodhur në 9 maj 2024 në Virona të Athinës, ku u ekzekutua 32-vjecari shqiptar Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i njohur shkurt si “Sidi”. Ai kishte mbërritur nga Dubai në Athinë dhe u qëllua me armë brenda automjetit të tij. Mediat greke shkruajnë se ka dyshime që atentati i së dielës në Thrakomakedones të Athinës, mund të ketë lidhje me këtë sagë hakmarrje të nisur nga Shqipëria. Objektiv i atentatit, sipas burimeve, me shumë mundësi ka qenë 46-vjecari Edi Lulo alias Etmond Hysa, i cili jeton në Dubai dhe në 9 dhjetor kishte ardhur në Greqi pas një fluturimi nga Duseldorfi i Gjermanisë.

    Policia ka identifikuar edhe një prej dy personave të tjerë që ndodhej në kafe me Irakli Davellën dhe Edi Lulon, pak para atentatit. Bëhet fjalë për personin që ndodhej pranë viktimave në momentin e të shtënave. Ai është një shqiptar që njihet në Greqi me pseudonimin “Pigmakos” që në shqip përkthehet “Boksieri”. Ai rezulton me precedentë penalë për gjobvënie dhe vjedhje, ndërkohë që dyshohet se ka mbetur i plagosur lehtë në ngjarje. Policia greke është vënë në kërkim të tij, për të marrë dëshminë, pasi rezulton të jetë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

    Pavarësisht se objekt i atentatit duket të ketë qenë Edi Lulo alias Etmond Hysa, një ish i dënuar në Greqi për grabitje të armatosura në bashkëpunim të shumave të mëdha të parave, policia vazhdon të kalojë në sitë edhe lidhjet apo problematikën rreth figurës së 47-vjecarit nga fshati Mesopotam i Bashkisë Finiq, Irakli Davella, i cili mbeti i vrarë në atentat. Në lidhje me përfshirjen e tij në një grup kriminal shqiptari-grek në vitin 2009, të përfshirë kryesisht në gjobvënie, ai është dënuar me 14 vite burg, të pezulluara më pas me kusht. 3 prej pjestarëve të grupit të atëhershëm, rezultojnë të vrarë në 7 vitet e fundit, ndërsa disa të tjerë të arrestuar apo në kërkim në lidhje me ngjarje të mëpasshme. Emri i tij rezulton i përfshirë dhe në një skemë mashtrimi me ceqe të këqija në vitin 2011 në Korfuz, ku personazh kryesor ishte një ish i dënuar për trafik droge nga Saranda, aktualisht biznesmen, ndërkohë që në hetim dolën edhe emra politikanësh lokalë në Korfuz si dhe oficerë policie. Davella në fakt prej vitesh nuk i ka shqetësuar organet ligjzbatuese greke, por ka ruajtur gjithsesi marrëdhënie me elementë kriminalë, përfshirë këtu një kontakt me një tjetër mafioz grek të ekzekutuar në vitin 2022, apo me personazhe të përfshirë në kontrabandën e karburanteve apo në tregëtinë e makinave. Policia greke i ka zbuluar Davellës edhe lidhjen miqësore me një politikane greke, ndërkohë që ai rezulton se ka qenë anëtar i këshillave drejtuese të dhomave të tregëtisë si dhe ka një kompani e cila merret me mbështetje teknike të aktiviteteve, përfshirë dhe ato elektorale të kandidatëve për deputetë.

    Hetimet e policisë greke do të fokusohen rreth figurës së 46-vjecarit Edi Lulo alias Etmond Hysa, për të cilin nga pala shqiptare kanë mbërritur informacione se ka dyshime të jetë pjesë e grupeve shumë të fuqishme në Shqipëri të përfshira në trafik droge apo ngjarje shumë të rënda kriminale.

    Për mediat greke, nuk përjashtohet mundësia që objektiv të kenë qenë edhe të dy viktimat, pasi ata ishin disi në distancë kur është hapur zjarr dhe autorët duket se kanë qëlluar ndaj të dyve. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e automjetit tip “Polo” nga ku u hap zjarr, i cili ishte vjedhur disa orë më parë në Patisia të Athinës

  • “Ndihmoje Parashqevinë, si motrën tënde!”, biseda me nënën e këngëtares më 1982. Diskutimet me Agim Krajkën: I ishte shkrepur më kot për karrierë të suksesshme në Hollywood, por…

    “Ndihmoje Parashqevinë, si motrën tënde!”, biseda me nënën e këngëtares më 1982. Diskutimet me Agim Krajkën: I ishte shkrepur më kot për karrierë të suksesshme në Hollywood, por…

    XHEVAT MUSTAFA

    Mua më lidhin shumë fije njerëzore e korrekte me Parashqevinë. Prandaj këto që po lexoj për atë këto ditë “aksioni me goditje të përqendruar” mediatik, po i përjetoj me keqardhje të fortë e të sinqertë!

    Për përfoljet më afër thashethemeve apo për të vërtetat rreth fatit të keq, dramatik, deri rrënues… të Parashqevi Simakut, unë jam ndër ata të paktë që ndiej keqardhje të sinqertë e të disafishtë! Si bashkëqytetarë, si vajzën e një shoqeje pune prej shumë vitesh të nënës sime, të dyja punëtore në ish-Ndërmarrjen Lesh- punuese apo të qilimave në Kavajë! Nëna, nënkuptueshëm nga një kërkesë e mamasë së Parashqevisë, m’u lut që ta ndihmoja Parashen, si “motrën” tënde! Kërkesa e dy nënave u bë si urdhër për mua!

    Keqardhjen për Parashqevinë e ndjej fort edhe si një nga ndihmuesit e parë apo kryesorë për pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës më 1982…, i bindur se kishte aftësi për karrierë jetëgjatë muzikore e interpretative! Por, aftësitë dhe talenti, në jo pak raste e për jo pak këngëtarë e këngëtare, nuk kanë qenë vendimtare e përcaktuese! Sepse shumicës i janë dashur e i duhen edhe një mik a mbështetës me njohje, rol dhe ndikim në RTSH…!

    Nga fillimi i nëntorit 1982, në një paradite me shi, në fillim të procesit të përzgjedhjes së këngëtarëve pjesëmarrës për Festivalin e 21 të Këngës në Radio- Televizion, Parashqevinë dhe të atin e saj, i solli në Radio Tirana, me dëshirën dhe lutjen për t’u futur në Festival, drejtori i Pallatit të Kulturës të Kavajës, shoku im i fëmijërisë, i gazetarisë dhe letërsisë, poeti Josif Doja. Ai dhe kompozitori Rexhep Hasimi e kishin aktivizuar në disa veprimtari muzikore në Kavajë e jashtë saj, sidomos në festivale të këngës për fëmijë! Për këtë arsye këta mund të quhen edhe zbuluesit e saj. Dolëm për t’i takuar poshtë në hollin e Radio Tiranës unë dhe drejtori Agim Papaproko, koleg dhe mik i imi! Mendimi i parë i tij ishte thjeshtë sa për ta parë e njohur Parashqevinë! Prandaj, sapo e pa, edhe me puçra në buzë nga gripi prej disa ditësh, Parashja iu duk drejtorit shumë e re apo e vogël për Festival. Më tërhoqi disa hapa larg tyre e më tha me zë të ulët e bindje të fortë:

    – “Më vjen keq, Xhevo, por nuk mund të marr përsipër të vendos për ta futur puçranjosen tënde në festivalin e këtij viti! Le të vijë mbas 2- 3 vitesh!”

    – Vërtetë është e re dhe në gjendje gripi, por ka zë të pjekur e të ëmbël!- këmbëngula unë! Më lër ta çoj për ta dëgjuar në Redaksinë e Muzikës! Marrim dhe opinionin e tyre…!

    Ai pranoi dhe e dërgova Parashen për provë tek miqtë e mi, Spartak Tili e Ferdinand Deda! Në piano u ul Ferdinand Deda. Për fatin e mirë të Parashqevisë, ndërsa ajo po këndonte, në Redaksi erdhi kompozitori Agim Krajka. Këtij i pëlqeu si zë dhe interpretim Parashqevia! Prandaj tha me bindje;

    – Kjo vajzë do të marrë një nga dy këngët e mia! Kur ia thamë këtë drejtorit ai nuk kundërshtoi më! Kështu Parashqevisë iu hap dera e madhe për në Festival. Pati sukses dhe e justifikoi!

    Duke ju lutur të mos më keqkuptoni për vetëmburrje, për rënie në rolin e Belulit, nuk mund të mos mendoj e shprehem me bindje për një të vërtetë, që e dinë shumë mirë ish-kolege dhe kolegë të mi në Radio Tirana e në RTSH si dhe ish-drejtues e punonjës në Shtëpinë e Kulturës në Kavajë! Po të mos ishte dashamirësia e këmbëngulja e shokut tim të fëmijërisë, Josif Doja për ta sjellë në RTSH; po të mos ishim ne të dy si vëllezër e po të mos isha unë, Xhevat Mustafa, në vitet 70 e 80 dikushi dhe me miqësi në drejtimin e Radio Tiranës; po të mos thyhej e të mos ndërronte mendim drejtori i Radio Tiranës Agim Papaproko; po të mos kishte ardhur rastësisht në ato minuta në zyrën e Redaksisë së Muzikës, Agim Krajka, me 99.999% si rezultatet e palozgjedhjeve në kohën e Enverit dhe Ramizit, e talentuara apo “ylli” Parashqevi Simaku do të kishte mbetur një këngëtare amatore e provinciale, si plot të tjera e të tjerë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë, duke ndriçuar zbehtë apo duke “u shuar” në qytetin e saj të lindjes…! Këtë të vërtetë 42 vjeçare ia kam “kujtuar” dhe thënë në sy në dalje të Estradës se Tiranës nga ana e Muzeut Historik Kombëtar, një paradite pranvere më 1992, të nesërmen e mbrëmjes, kur në një intervistë me Adi Krastën, e kishte “harruar” përsëri rolin tim parësor e vendimtar për realizimin e ëndrrës së saj për të marrë pjesë në një Festival Kombëtar të Këngës në RTSH! Po të mos ishim ne të katërt kjo dëshirë do t’i mbetej ëndërr gjatë gjithë jetës e nuk do të bëhej as yll, as dive, as një nga “mbretëreshat” e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme…! Këtë e dinte qysh në fillim Parashqevia, por kur u bë “e madhe”, e mirëpritur në zyra drejtorësh të lartë, anëtarësh të Byrosë Politike…, nuk e kujtoi më! Edhe më popullorçe: kur u bë e njohur dhe hynte pa trokitur në zyra drejtorësh dhe partiakësh të lartë, “deshësh” apo “cjepësh” nuk kishte më nevojë dhe interes për ne “gjingjat” dhe “kecat”!? Me shumë gjasa, më tepër nga mosmirënjohja se sa nga “harresa”!?

    Disa muaj para se të vdiste u takova me Agim Krajkën në një nga Bar- kafetë në Pallatin ku dikur ka qenë Kinema “17 nëntori”, tek Galeria mbush me Bar- kafe në të dy anët.

    U ulëm tek Kafe “Lemza”, që mbante edhe titullin e këngës së tij në Festivalin e Parë të Këngës në RTSH, në fund dhjetor 1991. Kjo këngë ritmike, që përfitoi gjallëri e emocione edhe nga këngëtarja Vaçe Zela, për pak e dogji qysh në fillim Krajkën e ri…Shpëtoi vetëm me një ndalim për një kohë të transmetimit të kësaj kënge e një “dush” me kritika!

    Biseda na çoi edhe tek emri dhe fati i Parashqevisë.

    -Sinqerisht më vjen keq si për vajzën time për Parashen! E kemi mbajtur disa muaj edhe në shtëpinë tonë në New York, edhe se nuk kishte akoma një shtëpi të vetën, edhe për ta kursyer, edhe për t’ia ndërruar mendjen dhe vendimin…Nuk e merr me mend se sa shumë i jam lutur të bashkohej me orkestrën time të vogël për dasma shqiptarësh në Amerikë!? Ti e di se është punë me fitime të mëdha për plot këngëtarë e këngëtare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi…Nuk po të përmend emra, sepse janë shumë…Nuk pranoi, sepse i ishte shkrepur më kot për karrierë të suksesshme në Hollivud! Tani, prej vitesh nuk i ka punët mirë as me shëndetin dhe as me profesionin…! Me sa duket nuk ka dalë kot ajo shprehja e popullit “Koka bën e koka pëson!”

    Gjykoj se për fatin e Parashqevisë arsyet apo shkaqet mund të kërkohen më shumë tek ajo vetë, tek fati, zgjedhja e saj, tek dëshira për një hop të madh në karrierë…! Kështu është jeta: me “fluturime” e “rrëzime” krahëthyer, me të përpjeta e tatëpjeta!

    Në këtë kënd vështrim, nuk është as e para e as e fundit…! Amerika i dha Parashqevisë leksionin e hidhur dhe masiv se është mirë që çdo njeri të mendohet thellë e gjatë për zgjedhjet dhe rrugët që merr në jetë, që këto të jenë sa më brenda aftësive dhe mundësive për realizim, që mos të mashtrohet nga ambicie të tej zmadhuara e të parealizueshme si ëndrrat!

    Tani, kur është duke përjetuar një periudhë të zgjatur të vështirë na mbetet ta urojmë: e ndihmofshin Zoti, fati, rastësia, AMERIKA, kushdo që ka dëshirën e mundësi financiare…ta kapërcejë këtë gjendje të vështirë dhe depresuese…!

    Mos krijoni dhe zmadhoni “yje”, sepse e kemi plot “qiellin shqiptar” !

    Qysh në fillim kur u dha urdhri apo u telekomandua “show i radhës e më i freskët, domethënë ai Parashqevi Simaku, ka rënë në sy e veshë një fluks epitetesh dhe emërtimesh për atë në media dhe në rrjete sociale. Ndër më të përdorurit e më me superlativa të pamerituara janë “ylli”, mbretëresha”, “ikona”, “diva”…e Muzikës dhe Këngës Kombëtare Shqiptare!? Ndërsa për saktësi, drejtësi, objektivitet…mund të përdoreshin formulimet jo në superore apo siperore: “njëra nga yjet”, “njëra nga mbretëreshat”, “njëra nga ikonat”, “njëra nga divat”…! Për të qenë sa më gjërëvështrues, do të ishte më drejtë nëse “thesari” i këngëve të Parashqevi Simakut, si dhe i çdo shkrimtari e artisti të të dy periudhave, ndahet në këngë të “hambarit të realizmit socialist” dhe në të “THESARIT” të këngës popullore e lirike! Të parat, pa mëdyshje të zgjatur, pa dhimbje e keqardhje, mund të lihen në fonoteka dhe histori! Sepse me këto në kohën e realizmit socialist, me zërin e Parashqevisë… Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me kopenë e partiakëve dhe pushtetarëve të tyre, na kanë mashtruar trashë e na kanë bërë të ndjehemi sikur në të vërtetë ishim parajsë, vendi më demokratik e populli më i lumtur në botë!? Të dytat, domethënë këngët popullore e tufa e vogël e këngëve nga 1991- 1994, duke mos qenë partiake apo të politizuara, kanë jetëgjatësi të madhe apo përjetësi!

    Një këshillë për të gjithë këta shqiptarë të pakursyer apo bujarë për me i përmbyt të adhuruarat e të adhuruarit e tyre, krejt subjektivisht e pa meritë, me epitete shumë larg të vërtetës! Mos sajoni e shtoni yje e ikona, kolosë dhe gjeni, se kemi me bollëk nga koha e gjase komunizmit dhe e “realizmit socialist”!!! Por, me humor, edhe copa e qiellit mbi tokat shqiptare sikur është plot e nuk ka më vende të lira!

    Në të vërtetë, Parashqevi Simaku ishte një këngëtare e talentuar, me zë të ëmbël dhe femër e bukur…Të gjitha këto e bënë të suksesshme, masivisht të pëlqyer! Kaq është boll e mjaftueshëm! Nga dëshirat subjektive të secilit nuk mund të vihet apriori apo “shqiptarisht” as mbi e as fare poshtë Tefta Tashko Koços, Marie Krajës, Fitnete Rexhës, Havsa Zyberit, Nexhmije Pagarushës, Vaçe Zelës, Shkurte Fejzës, Mihrie Brahës, Inva Mulës, Irma Libohovës, Aurela Gaçes, Merita Halilit, Eli Farës, Ermonela Jahos…! Dhe as më parë apo as më pas disa të tjerave, më herët apo më vonë, pa i peshuar të gjitha me “kandar farmacie” e jo tregjesh nëpër trotuare ose në sheshe të shumicës…! Vendin e Parashqevisë, më mirë se të gjithë ne admiruesit e saj nga skenat, ekranet, rrjetet sociale…, mund ta gjejnë dhe përcaktojnë kritikët muzikorë, kompozitorë, këngëtarë e këngëtare me diploma e tituj zërash e djerse, me pasuri krijuese dhe interpretuese nga fusha e muzikës popullore, të lehtë, lirike, operistike…! Pa harruar, edhe specialistë të afirmuar, jo enveristë, por të mirëfilltë…nga Kosova, MV, Mali i Zi, Diaspora!

    Përse “u zbulua” këto ditë në Amerikë “ylli” Parashqevi Simaku?

    Qofsha i gabuar, por kam dyshimin se “zbulimi” i Parashqevi Simakut në Amerikë, që paska “harruar” me fol e kuptue në SHQIP dhe fushata mediatike e në rrjete sociale për atë në Shqipëri, u bë nga një “burim” apo qendër “inteligjence artificiale” në mes të Tiranës, pikërisht në këto ditë! Merret me mend arsyeja: me skenarin apo qëllimin, për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dosjet Olta Xhaçka dhe Erion Veliaj- Ola Xoxe, qoftë edhe një pikë a një ditë…!

    E shpreh bukur, me flakërimë e bindshëm poetesha e mirënjohur Irena Dragoti:

    “…Përse nuk mendoni se ajo video e cinizmit gazetaresk u hodh si “mish për top” në momentin më të vështirë për një politikan në Tiranë, të cilin dhe pse ka bërë 1001 të ligat e kësaj bote nuk e ka lënduar askush as me 1 fjalë të vetme?? Pra, këta jemi ne nëse të gjejmë të dobët, të pambrojtuar! Të “hamë të gjallë”, në të kundërt të puthim këmbët. “Video e bukur”, “Shkrim i bukur”…për faktin e vetëm se po sulmohet një grua!? Duan të mundin një grua! Sa turp…!?”

    Duke e zgjeruar mendimin e Irenës, edhe për “të droguar” një shoqëri e popull tërë! Kuptohet fare lehtësisht “strategjia e regjisoreve”: për të harruar” 1001 hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve si dhe pisllëqet e politikanëve e të qeveritarëve!!!/Gazeta Panorama

  • “Parashqevia e harroi Shqipërinë, por Shqipëria kurrë Parashqevinë”/ Reagimet mbi rikthimin pas zhukjes të artistes

    “Parashqevia e harroi Shqipërinë, por Shqipëria kurrë Parashqevinë”/ Reagimet mbi rikthimin pas zhukjes të artistes

    Rikthimi i Parashqevi Simakut pas zhdukjes së saj prej disa vitesh, ka qenë kryefjala e ditëve të fundit. Ishte një video e postuar nga një kanal televiziv amerikan që shfaqte një grua të pastrehë që, zanafilla që më pas zbuloi legjendën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jetonte në SHBA. Reagimet kanë qenë të shumta edhe për mënyrën sesi ajo u bë edhe njëherë e njohur dhe bujën u shkaktua me historinë e saj.

    Pedagogia Jonila Godole shkruan se Parashqevia si para vitit 1990 dhe pas këtij viti i këndonte partisë. Sipas Godoles, artistja e mori famën në një regjim që nuk investonte për talentin nëse nuk kishe qëndrimin e duhur ndaj partisë.

    POSTIMI I PLOTË:

    Kam ndjekur zhurmën mediatike këto ditë për Parashqevinë. Ndjesia e parë që pata ishte keqardhja. Si grua, nënë dhe njeri, uroj të rehabilitohet dhe të jetë mirë. Ndjesia e dytë lidhej me kontributin e saj në shoqëri, e rritur dhe e kultivuar nga një regjim që e ngjiti në majat më të larta duke i mundësuar suksesin dhe adhurimin. Së treti, kërkova pak, të dija se si kjo grua mendon, ç’reflektim ka pasur gjithë këto vite që jeton jashtë vendit për të shkuarën, të tashmen… Dhe pasi lexova postimet e saj, kuptova se Parashqevia, si para vitit 1990 ashtu edhe pas tij, ka vazhduar t’i këndojë partisë, dikur në Pallatin e Kongreseve, e më vonë në Facebook e gjetkë.

    Parashqevia simbolikisht ka qenë kolona zanore e brezit tim, në një periudhë liberalizimi diku nga fundi i viteve 1980. Mori famë në një regjim që nuk investonte për talentin nëse nuk kishe biografinë dhe qëndrimin e duhur ndaj partisë. Dhe ajo siç duket i ka pasur të dyja. Ne, si popull, historikisht i falemi idhujve të rremë. Nuk pyesim kurrë se çfarë i kanë dhënë këta idhuj shoqërisë, përveçse çfarë i kanë marrë. Parashqevia mund të vazhdojë të jetë idhulli i gjithkujt, por nuk është idhulli im. Enveri dhe Nexhmija u larguan nga kjo botë, por nuk u largokan dot nga mendja dhe zemra e adhuruesve të tyre, qoftë edhe nga maja e Amerikës.

    Gazetarja Dalina Buzi ka shprehur po ashtu mendimin e saj lidhur me zhdukjen dhe rikthimin e këngëtares shqiptares, për të cilën thotë se në Amerikë prezantohej me emrin Vivian Simaku. Në opinion të postuar në Anabel, Buzi shkruan se ishte vetë artistja e cila zgjodhi të shkëputej totalisht nga Shqipëria. Gazetarja kujton një takim të sajin me Parashqevinë në vitin 2003, ku artistja nuk kishte pranuar të jepte intervistë për të dhe as nuk kishte pranuar të fliste shqip.

    Buzi shprehet se në gjykimin e saj, çështja qëndron se Parashqevia fluturoi më lart se ç’duhet dhe refuzoi të prekte tokën dhe për më tepër, refuzoi të ndjente edhe tokën mëmë. Sipas gazetares ishte po vetë artistja, ajo që e fshiu Shqipërinë sepse mendoi se do e pengonte, por e kërkoi qiellin e Amerikës si një yll shqiptar. Por Dalina gjithashtu shprehet se nuk di asgjë për historitë dhe sfidat e saj personale të tjera në familje dhe me shëndetin mendor që po ashtu mund të kenë pasur ndikim të madh që shkoi në atë gjendje që u gjet.

    POSTIMI I PLOTË:

    Meqënëse u hap tema e gjendjes së Parashqevi Simakut, mua më vjen vërtet keq, po Parashqevia dikur zgjodhi të bënte shkëputje totale nga Shqipëria. Në 2003-shin, unë shkoj në SHBA si gazetare e Top Channel, për të ndjekur presidentin e atëhershëm, Alfred Moisiun, në një seancë të OKB-së në New York dhe shfrytëzova kohën për të intervistuar këngëtarët shqiptarë që jetonin atje (Anita Bitri, Aurela Gace, Merita Halili, Gëzim Nika dhe Parashqevi Simaku).

    Parashqevia kishte nje live në një lokal të vogël. Shoqërohej nga ish-bashkëshorti. Disa vite më parë ajo kishte nxjerrë një album nën emrin ‘Vivian Simaku’ me diçka të tipit ‘new age-etno’ të cilin unë e kisha blerë me qejf. (Më falni nëse nuk e kujtoj a ishte album, apo ajo ishte pjesë e një albumi me artistë të ndryshëm.)

    Afrohem t’i flas Parashqevisë dhe ajo ma kthen anglisht. Refuzonte të fliste shqip edhe pse e sjellshme dhe e ëmbël, siç e kishte komunikimin. Flet diçka me burrin e saj dhe më thotë që “për momentin do këndoj”. I them që “kam ardhur që nga Shqipëria” etj., por asaj s’i bëhej vonë.

    E marr në telefon prapë, se normalisht ajo do bënte lajm në Shqipëri, dhe më tha tekstualisht: “Menaxheri im nuk do që të flas”. Menaxheri ishte i shoqi. Kur kthehem në Shqipëri, ia tregoj shefave në ‘Top’, që madje e shtuan si tekst në dokumentar edhe pse unë isha kundër.

    Gjithsesi, Parashqevia mund të quhej delirante nga shumë, por ajo ndoshta e vetme në një shtet të madh dhe nën hipnozën e të shoqit (mendoj të dy kishin hipnotizuar njëri-tjetrin), e projektonte veten vetëm për tregun amerikan dhe donte të hynte e të prezantohej aty si amerikane. Dy vjet pasi iku, ajo u kthye në Shqipëri me Robertin dhe fliste shqip me dialekt amerikan. 2 vjet!!! (Arbëreshët e flasin më mirë shqipen.)

    Dëshira e saj për t’u asimiluar tërësisht, ishte gati ekstremiste. Të qenit idhull dhe ‘seks simbol’ në Shqipëri dhe përplasja me një pandjeshmëri të showbizz-it amerikan për artistë të huaj; besimi ndoshta i tepërt tek i shoqi i saj pa ndonjë background menaxhimi dhe shumë më pak i kualifikuar dhe jo aq i suksesshëm sa e shoqja, ishin ndoshta goditjet e para për të. Madje dikush më ka thënë që kur erdhi në Shqipëri, ajo pretendonte se dasma e saj do të transmetohej dhe në CNN.

    Natyrisht në vitet ’90-të, artistët shqiptarë nuk kishin dhe aq shumë informacion për Amerikën. Parashqevia e cila u prit në fillim nga komuniteti amerikan si ZOTI, madje u derdhën shumë $$ për të ndihmuar karrierën e saj, kishte të gjitha të drejtat në botë PËR TË ËNDËRRUAR DHE PËR TË NDJEKUR ËNDRRËN.

    Por 29 vjeç, me dialekt dhe me biografi jo shumë tërheqëse për tregun amerikan dhe ndoshta NË KOHËN E GABUAR, ajo nuk mund të bëhej ‘the POP Star’, një vend i rezervuar për amerikanë, kanadezë dhe anglezë. Çështja është që Parashqevia, në gjykimin tim, fluturoi më lart se ç’duhet dhe refuzoi të prekte tokën dhe për më tepër, refuzoi të ndjente edhe tokën mëmë. E shfrytëzoi pak lidhjen e saj me Shqipërinë në albumin ‘etno’, në fund të viteve ’90-të (e bleva në USA atë album), por ndoshta ajo vazhdonte të kërkonte atë YLL që kishte në vendlindje.

    Fatkeqësi ta them, por duke marrë parasysh dhe eksperiencën time personale, Parashqevia me tre emra (Vivian dhe tani Simaku) është viktimë e rrëzimit të saj nga fluturimi i gjatë mbi re dhe ndoshta nga besimi i tepërt në njerëz që kërkuan ta formatonin në diçka që vështirë të bëhej pas 29 vitesh në një vend të izoluar komunist. Ajo e fshiu Shqipërinë sepse mendoi se do e pengonte, por e kërkoi qiellin e Amerikës si një yll shqiptar. Ky është një konstatim i imi, por padyshim unë nuk di asgjë për historitë dhe sfidat e saj personale të tjera në familje dhe me shëndetin mendor.

    Gjithsesi, zhdukja e saj e qëllimshme për planet e saj në Amerikë, e ktheu artisten në Shqipëri në një ikonë. Ajo “vdiq” për ne madhërisht, siç vdiq Vaçe Zela, e cila iu largua mikrofonit kohë para se të ikte nga kjo jetë. Ndaj kjo video që doli tani ishte tronditëse, sepse ne e kishim zhdukur tashmë nga jeta mes artistëve të gjallë me koncerte e Instagram-e dhe e kishim vendosur në një mazoleum me të vdekurit e mëdhenj.

    Parashqevia është gjallë, me emër tjetër dhe mbledh ndihma.

    Idhulli ynë, ‘pop star’-i ynë, e para ‘sex simbol’ në Shqipëri, ‘Malena’ e viteve ’80-të, u shfaq e dobët, e pambrojtur, e braktisur. Ky ishte takimi që Parashqevia në 1000 vjet s’do ia uronte kurrë vetes së saj. Do ishte mirë të mos e kishim parë atë video, po e pamë dhe ndoshta nuk ndodhi pa qëllim.

    Vivi e largoi Shqipërinë qëllimisht për kaq e kaq vite, por sot nëse ajo është në gjendje të kuptojë, mund të shohë që Shqipëria është ajo që e ka dashur më shumë dhe që kurrsesi nuk do ta linte të endej rrugëve si një “e moshuar që i gëzohet një batanijeje”. Gazetari dhe moderatori Flavio Qarri në reagimin e tij thotë se dihej prej 15 vitesh gjendja e saj e rënduar psikologjike dhe financiare. Sipas tij ndihma më e madhe që mund t’i jepet është ruajtja e dinjitet të kulmit të saj të karrierës si artiste.

    POSTIMI I PLOTË:

    Që Parashqevi Simaku ka qënë në gjëndje të rënduar psikologjike dhe rrjedhimisht financiare është sekret publik prej 15 vjetësh. E dinë shqiptarët e Amerikës dhe shumica e qarqeve të gazetarëve. Shumë janë afruar për ta ndihmuar në privatësinë e shenjtë për të. Nëse doni ta ndihmoni, ajo e ka treguar prej kohësh si e do ndihmën. Ta lënë rehat. Nuk do e dimë kurrë se çfarë i ndodhi yllit më të shndritshëm të skenës shqiptare që humbi rrugës veten dhe shkëlqimin e saj. Donacioni që mund të bëjmë është të ruajmë dinjitetin e kulmit të saj, dhe të kursejmë përdhunimin e rënies.

    Pedagogu dhe gazetari Mentor Kikia shprehet se rikthimi i Parashqevisë tregon gjendjen ku ka përfunduar dhe jo artistja vetë. Në reagimin e tij, Kikia thotë Parashqevia u rikthye në vëmendje jo me artin e saj, por me imponimin e të tjerëve. Sipas gazetarit, me këtë rast u vërtetua se etja për audience dhe klikime nuk njeh as kod etike dhe as parime gazetareske.

    POSTIMI I PLOTË:

    Parashqevia na tregoi se ku ka përfunduar media dhe jo Parashqevia. Unë i përkas asaj gjenerate, kur në shkollë të mesme ndaheshim në adhurues të Parashqevi Simakut dhe Nertila Kokës. Unë bëja pjesë tek “grupi i Parashqevisë”. Pas ’90-ës, Parashqevia dhe Nertila ndoqën jetën e tyre, duke mos qenë më prezent në skenën e këngës, ndërsa ne mund të adhuronim edhe këngëtarë e grupe të huaja… Por, së fundmi, Parashqevia na u rikthye “dhunshëm” në vëmendje, jo me artin e asaj por me jetën e saj dhe, jo me dëshirën e saj por me imponimin e të tjerëve.

    U bënë të gjitha bashkë: Kurioziteti për këngëtaren që shumëkush e kishte në memorie me sharmin dhe talentin e saj, dëshira e pastër e shume shqiptareve për ta ndihmuar me zemër e shpirt, media online e etur për klikime me titujt “joshës”, mëshira publike për “yllin që kishte përfunduar rrugëve duke lypur”, ironia, bullizimi, adhurimi, humori i zi… Nuk mungonin në këtë parashqevimani as tituj lajmesh të tipit: “Shikoni se ku ka degraduar këngëtarja e famshme Parashqevi Simaku”, “Parashqevia lyp rrugëve”…. U nxorrën nga sepetet e arkivit intevista e shkrime, me rrëfime dhe aludime të kolegëve për dashnorët e Parashqevisë…

    Në fakt, çfarë i ka ndodhur Parashqevisë? I ka ndodhur ajo që mund ti ndoshë gjithkujt! Ajo iku në Amerikë me një ëndërr, por ëndërrat jo gjithmonë realizohen. Jeta i mori jo për mirë dhe ajo vendosi, apo iu dorëzua jetës, dhe e jetoi atë siç mundi, ku mundi, me çfarë mundi dhe pa i rënë kujt më qafë, në asnjë lloj forme. Ne këtu dinim që Parashqevia është në SHBA dhe nuk po bën jetë arti. Kaq, të tjerat nuk kishin interes publik.

    Nuk di të them nëse rikthimi i saj në vemendjen publike kaq vrullshëm ishte një “skenar konspirativ” PR-i, ishte një dëshirë për ta ndihmuar pastërtisht dhe vërtet(por që doli jashtë kontrollit), apo thjeshtë një mjet për të bërë “lajm” dhe marrë klikime, siç rëndom përdoret çdo gjë sot nga rrjeti… Por reagimi që prodhoi ishte vërtet i jashtëzakonshëm, në përmasat e një fenomeni social. Kishte nje solidaritet te jashtezakonshem, vertet, por mania për të rishpërndarë videon që tregonte se “ku kishte përfunduar Parashqevia” u shndërrua në një lloj dhune verbale. Edhë ata që e mëshironin, mëshirën e shprehnin publikisht shoqëruar me videon e pamëshirshme. Ishte si ti kërkosh falje dikujt pse i ke publikuar një foto të padëshiruar, dhe tekstin e faljes ta shoqërosh me të njëjtën foto.

    Por në mesin e kësaj zallamahie online, kur shumëkush mund të ketë parë “imazhin e shëmtuar të një shoqërie”, unë pashë një shoqëri që qëndronte më lart se një pushtet, siç është media. Etja për audiencë(klikime) dëshmoi se nuk njeh as parime, as kod etike, as mëshirë. Në mesin e turmave që garonin të merrnin pjesë në këtë kuvendim të llahtarshëm për jetën e një njeriu, pa pyetur fare për atë, pashë njerëz të ndershëm që evokuan kohët e arta të këngëtares. Rikthyen këngët e saj si një kundërpeshë ndaj “diskreditimit” publik që po i bëhej. Parë në këtë këndvështrim, ishte një fenomen për tu analizuar nga specialistët e komunikimit publik.

    Jeta të vë para sprovave. Mund të detyrohesh të shesësh shtëpinë, nëse ta lyp nevoja. Mund te jesh “dikush” sot dhe detyrohesh nesër të punosh edhe “punë të rëndomta”, edhe pse unë mendoj se punë të rondomtë nuk ka. Nëse jeta të vë për poshtë, të tjetërson, ajo nuk ka mëshirë. Por ajo nuk ta merr as emrin e mirë, as faqen e as integritetin. Ai që është i varfër nuk është pa dinjitet. Dhe këtu, më shumë se sa fati i keq, ai që ta vë shkelmin në fyt, është ai që gajaset me fatin tënd. Ai që thotë: Ja si ka përfunduar! Ai që ta zë frymën, është ai që salçiçet e ndihmës që të jep, më parë ti var në qafë dhe të filmon, për tia hedhur videot turmës së uritur të mediave. Kjo histeri tregoi se edhe fatkeqësinë duhet ta ruash për vete, pasi edhe vdekja e dikujt shërben si ushqim për dikë tjetër. Ndërsa, sa për Parashqevinë, ajo e fitoi “debatin”, pasi këngët e saj u rikthyen sërish në vëmendje, për të na kujtuar madhështinë e saj si këngëtare dhe për të na treguar se ne nuk i detyrohemi mëshirë Parashqevisë, por i detyrohemi ta paguajmë për këngët që ka kënduar e kënaqësinë që na ka dhuruat(sipas të drejtës së autorit, meqë jemi në ekonomi tregu).

  • Pas deklaratës së ambasadës së SHBA, reagon PD: Takuam Van Horn, ngritëm shqetësimin e përdorimit të pushtetit në zgjedhje, kërkuam qeveri teknike

    Pas deklaratës së ambasadës së SHBA, reagon PD: Takuam Van Horn, ngritëm shqetësimin e përdorimit të pushtetit në zgjedhje, kërkuam qeveri teknike

    E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA, ka zhvilluar një takim me një grup deputetësh të PD pak ditë më parë.

    Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka raportuar se në takim kanë marrë pjesë deputetët, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe Kreshnik Çollaku.

    Opozita ngriti shqetësim për zgjedhjet, përdorimin e pushtetit, ndikimin ne procesin elektoral, ndikimin e krimit te organizuar, hapësirën e opozitës ne kuvend, uzurpimin e çdo hapësire legjislative, pavarësinë e institucioneve veçanërisht te drejtësisë, dhe nevojën për Qeveri Teknike!