Gazetari Blendi Fevziu ka folur sot për disa çështje të aktualitetit, ndër të cilat edhe dosjet e bujshme të politikanëve që po hetohen nga SPAK. I ftuar në një emision televiziv, Fevziu tha se këto kohë merr mesazhe të panumërta, për arrestime të mundshme, por në fakt këto janë kryesishst sajesa që “bëhen në hotel Rogner”.
“Dëgjoj çdo mëngjes që çohem, ka një mesazh që thotë këto tre ditë arrestohet Erion Veliaj, këto katër ditë arrestohet filani, etj. Kam të paktën nja 8 vetë që thonë çdo javë do të arrestohen”, tha ai.
Lidhur me punën e deritanishme të SPAK, Fevziu tha se ky institucion duhet të tregojë se po e godet vërtet pandëshkueshmërinë.
Pjesë nga fjala e gazetarit:
Një mik i imi thoshte ka një mekanizëm se si funksionon Shqipëria, dil në orën dhjetë në hotel Rogner, thuaj një gënjeshtër dhe kur të kthehesh në orën 14:00 do ta dëgjosh nga të gjithë si të vërtetë. Në orën 14:00 fillon e beson edhe ti që e ke thënë i pari, sepse aq të vërtetë ta bëjnë, aq detaje i veshin ngjarjes. Dëgjoj çdo mëngjes që çohem, ka një mesazh që thotë këto tre ditë arrestohet Erion Veliaj, këto katër ditë arrestohet filani, etj. Kam të paktën nja 8 vetë që thonë çdo javë do të arrestohen.
A mund të shkojnë drejt Erion Veliajt?
Ata po hetojnë me sa kam parë unë, pasurinë. Nuk di të ketë ndonjë akuzë për inceneratorët apo për 5D. Në hetimin pasuror do të presim të shohim çfarë kanë gjetur. Nëse kanë gjetur gjë do të shohim a shkon drejt arrestimit. Megjithatë, e kam thënë, jo për Veliajn, por në raste të tjera, që hetimet mund të bëhen dhe njerëzit të jenë në gjendje të lirë, me detyrim paraqitje ose pa patur nevojë për burg patjetër. Edhe Meta mund të hetohej në gjendje të lirë, apo edhe Berisha siç doli. Nëse ai del fajtor, sipas vendimit të gjykatës, po qe me burg prangoset.
Në Shqipëri ka një problem, njerëzit e quajnë të kryer ditën që ti arrestohesh, jo ditën që dënohesh. Po u arrestove je fajtor, edhe pse del i pafajshëm përshembull.
SPAK është shumë i fuqishëm. Çdo popull në botë, kur ka mungesë ndëshkueshmërie, këta njerëz që kanë bërë zullume në 30 vjet, natyrisht kanë krijuar ndjesi të keqe te njerëzit. Kur njerëzve u duket sikur po vendoset pak balanca, që është shumë pak, natyrisht do të jenë entuziast. Është në natyrën njerëzore që ta tregojnë me gisht personin që diskretitohet ose ka një problem. Ne shqiptarët kemi krijuar situata më të ashpra nga të gjithë, radikalizmi i komunizmit ishte më i madhi në Evropën Lindore, por mos harroni se kanë qenë edhe francezët dhe britanikët që kanë bërtitur “mbreti në gijotinë”. Janë argëtuar me kokat e prera të mbretërve të tyre.
Por nuk duhet parë entuziazmi i njerëzve në rrugë, po flasim për një situatë normale, ku zbatohet ligji dhe dënohet i pandëshkueshmi. SPAK duhet të qëndrojë brenda linjave ligjore të tij, të mos bëjë protagonizmin për hir të entuziazmit të publikut. Nga ana tjetër, duhet të ndëshkojë realisht ata që kanë qenë të pandëshkueshëm. Sidomos bandat kriminale, Sky ECC dhe Encrochat, kanë hapur një kuti pandore që kanë mundësi që të paktën të ndërhyjnë në disa nga grupet kryesore kriminale sepse beteja me krimin nuk është kaq e thjeshtë. Deus ex machina nuk është kurrë për të zgjidhur gjë, por për të mbyllur gjënë. Edhe fjala primare, është mbyllje artificiale. Zgjidhjet deus ex machina, i vë kapakun. Zgjidhja duhet të jetë e vërtetë.