Të shtëna me armë zjarri u regjistruan natën e ndërrimit të viteve në një nga club-et e kryeqytetit, te “Cinco Cavalli”.
Siç dhe raportuam më herët autori ka qëlluar dy herë me armë zjarri në ajër, në momentin kur ka qenë duke performuar në skenë reperi Stresi.
Burime për mediat bëjnë me dije se autori i kësaj ngjarje është Jetmir Pepa, ose i njohur ndryshe si Mir Pepa. Emri i këtij të fundit qarkulloi gjerë e gjatë në verën e vitit që lamë pas, kjo pasi ish-partnerja e tij, Mariela Berisha dhe Antonela Berisha qëlluan me gotë qelqi në fytyrë, Klea Prengën të cilën e akuzuan se kishte lidhje sentimentale me Pepën.
Më herët policia bëri me dije se ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes në natën e ndërrimit të viteve, por për shkak të hetimeve nuk bëri me dije emrin.
Sakaq, referuar informacioneve të marra në rrugë jozyrtare Jetmir Pepa ka qëlluar dy herë me armë zjarri në ajër, teksa më pas është larguar nga ambientet e club-it.
Fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk pati të lënduar, ndërkohë në një video që po qarkullon në rrjetet sociale dëgjohet edhe momenti i të shtënave teksa në skenë këndonte Stresi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamërave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar”, njoftoi Policia më herët.