Gjykata Kushtetuese vijon sot seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të PD-së, Sali Berisha i cili kërkon shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së dhe Apelit të GJKKO-së që kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Seanca nisi më 19 tetor, por u shty për sot.
Kreu i Partisë Demokratike kërkon lirinë me arsyetimin se vendimi është dhënë në kundërshtim me Kushtetutën, sepse është shmangur Kuvendi duke qenë se ai është deputet.
Sali Berisha ndodhet prej 30 dhjetorit 2023 nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”, ndërsa edhe më herët, kërkesat e tij për lirim janë rrëzuar nga shkallët e gjyqësorit.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”,”- thuhet në kërkesën e Sali Berishës.
Me vendimin ndaj kërkesës së Berishës, Gjykata Kushtetuese vendos precedentin nëse do kërkohet për masat e tilla autorizimi pranë Kuvedit apo jo.
Gjykata e Posaçme kishte vendosur me kërkesë të SPAK masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim dalje jashtë shtetit’, për kryetarin e Partisë Demokratike.
Berisha nuk e zbatoi këtë masë me arsyetimin se SPAK do të duhej të merrte autorizimin në Kuvend. Ai tha se masat janë antikushtetuese dhe të paligjshme. Më pas SPAK iu drejtua Kuvendit për masë më të rëndë sigurie, ‘arrest shtëpie’ dhe pasi mori autorizimin, masa u miratua nga Gjykata e Posaçme, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë.