Niveli i lartë i korrupsionit është një ndër problematikat kryesore të qeverisjes në këto 34 vite të tranzicionit shqiptar, por rrënjët e këtij fenomeni, janë më herët. Elita drejtuese në komunizëm, Byroja Politike, Komiteti Qendror e të tjerë më poshtë në nivel drejtimi, janë akuzuar vazhdimisht për krimet e tmerrshme që kryen gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. Për këto krime nuk ka paguar askush, nuk ka madje as një kërkim ndjese, për mijëra viktima të pafajshme të regjimit diktatorial. Krahas krimeve kundër njerëzimit, në Shqipëri ka pasur korrupsion në nivel të lartë, nga Byroja Politike e PPSH-së, të ardhura dhe shpenzime, dhjetëra ose qindra herë më të mëdha, se sa qytetari mesatar në Shqipëri.
Një raport i kontrollit shtetëror, rezultat i punës së një komisioni parlamentar, i ngritur në sesionin e parë të parlamentit pluralist, pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, do të bëhej publik në seancën parlamentare të 29 korrikut të atij viti. I ngarkuar nga komisioni, deputeti i opozitës Genc Ruli, lexoi para deputetëve rezultatet e këtij hetimi parlamentar. Kontrolli ishte kryer nga Ministria e Financave dhe Komisioni i Kontrollit të Shtetit dhe kishte si subjekt privilegjet, abuzimet dhe shpërdorimet e organizuara nga ish-kasta e lartë e udhëheqësve të Partisë së Punës, Byroja Politike dhe të shtetit komunist.
Kërkimi ishte kryer për vetëm 2-3 vitet e fundit, pra periudha 1987-1990. Kontrolli ishte kryer në ish-Drejtorinë e Pritjes, si dhe në disa institucione dhe organizma të tjerë. Drejtoria e Pritjes u krijua në vitin 1956, në shërbim të jetesës dhe veprimtarisë së funksionarëve të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë të vendosur edhe në vendet drejtuese të Kuvendit Popullor dhe të Qeverisë.
Kjo drejtori u shërbente kryesisht familjeve të tyre, në përbërje të të cilave bënin pjesë edhe prindërit, fëmijët e martuar dhe familjet e tyre. Sipas të dhënave në raport, u konstatua se veprimtaria e Drejtorisë së Pritjes, nuk ishte krijuar mbi bazën e një ligji të caktuar, por bazohej tek një vendim i Byrosë Politike, me numër 39, datë 23.7.1976; “Mbi trajtimin e kuadrove udhëheqës të Partisë e të shtetit”, shoqëruar edhe me ndonjë letër të Këshillit të Ministrave.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve, ka qenë tepër sekrete. Ato i fshiheshin popullit, aq sa edhe punonjësit e administratës të Drejtorisë së Pritjes, duhet të dinin vetëm pjesën që ua kërkonte detyra. Komisioni hetimor i vitit 1991, kishte arritur në përfundimin se; veprimtaria ekonomike e financiare e Drejtorisë së Pritjes, thithte financime të mëdha shtetërore, që vetëm për vitet e fundit, arrinin në shifrën prej 200 milionë lekë (të reja), një pjesë e madhe e të cilave ishin në valutë.
Sipas të dhënave të komisionit, drejtoria dispononte një potencial prej 183 milionë lekë, mjete themelore dhe një personel prej 646 punonjësish, për të cilët harxhohet 6.2 milionë lekë paga. Komisioni konstatonte ndër të tjera se; për 26 familje të elitës komuniste, sigurohej e konsumohej ajka e produkteve ushqimore të prodhuara në vend e, në disa raste edhe të importuara nga jashtë.
Referuar shifrave që paraqiten në konkluzionet e raportit të mëposhtëm, deputetët e opozitës thanë në kuvend, se; shuma e shpenzuar nga Byroja Politike dhe familja e tyre, ishte e barasvlershme me shumën që konsumonin disa qytete të Shqipërisë. Kjo për shkak se në Shqipërinë komuniste, shumica e popullsisë jetonte në zonat rurale, ku paga mesatare nuk arrinte as deri në 1000 lekë të vjetra, në muaj.
Raporti i Kontrollit të Shtetit, për abuzimet e udhëheqjes së PPSH-së
Të 26 familjet e trajtuara, janë furnizuar pa kufizim me shumëllojshmëri artikujsh ushqimorë të cilësisë së lartë. Për periudhën shtator 1989 – shtator 1990, kur u vu në zbatim sistemi i racionimit të produkteve ushqimore për tërë popullatën, të 26 familjet, konsumonin mesatarisht çdo ditë produkte të ndryshme si: 62 kg mish e nënproduktet e tij, 13 litra vaj, 86 litra qumësht, 20 litra pije, verë e birrë, 56 kg. fruta e perime, etj. Me këto sasi ushqimesh, në kushtet e tallonit në Tiranë, do të garantohej furnizimi me mish i 450 familjeve, me vaj, i 110 familjeve, me djathë, i 190 familjeve dhe me vezë, i 134 familjeve.
Konsumin më të lartë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e ka pasur familja Hoxha, e cila është furnizuar me rreth 2 tonë mish, 7 kv. sallam, 523 litra vaj, 3.1 kv gjalpë, 326 litra raki, pije e verë, 250 litra birrë, 5.8 tonë fruta dhe agrume, 1.5 kv. lajthi, kikirikë e arra, 1.8 kv. Kafe, etj., etj.
Në vitin 1989, familjet janë furnizuar me artikuj ushqimorë, me vleftën prej 1.8 milionë lekë. Nga këto, sipas rregullit të parashikuar në vendimin e Byrosë Politike, është zbritur vlefta e ushqimeve të caktuara për personelin shërbyes të këtyre familjeve, si dhe për tri familjet kryesore: Hoxha, Alia e Çarçani, zbriteshin edhe shpenzimet e pritjeve, përcjelljeve e të darkave, që organizoheshin në shtëpitë e tyre, të cilat mbuloheshin nga shteti; të gjitha këto me një shumë prej 582 mijë lekësh.
Si rezultat, janë paguar nga familjet 1.2 milionë lekë, që për familje të veçanta përbëjnë shuma tepër të mëdha, tej mundësive, nga të ardhurat e ligjshme të tyre, po të kemi parasysh edhe shpenzimet e tjera të jetesës, si për qiranë, ujin, energjinë elektrike, veshjen, e të tjera me radhë.
Familja Hoxha, nga 367 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 72 mijë lekë.
Familja Alia, nga 133 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 25 mijë lekë.
Familja Çarçani, nga 91 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 57 mijë lekë.
Vilat luksoze të Byrosë Politike të PPSH-së
Jetohej në vila luksoze dhe të pajisura tej normativave të parashikuara në vetë vendimin e Byrosë Politike. Në përdorim të familjeve, të 82 vilat e banimit dhe të pushimit, i kanë kushtuar shtetit, 88 milionë lekë dhe pajisjet e brendshme, 28 milionë lekë. Vetëm familja Hoxha, ka pasur në dispozicion 2 vila banimi dhe 4 vila pushimi, me vleftë 26 milionë lekë dhe me pajisje me vleftë 10 milionë lekë.
Ndërsa të tjerët, nga një vilë për banim dhe nga një vilë për pushim, megjithëse vendimi nuk përcakton, që të ketë vila pushimi personale. Vilat personale të Haki Toskës, Spiro Kolekës, Vito Kapos, Manush Myftiu, Lenka Çukos, Rita Markos, Hekuran Isait, Pali Miskës, Simon Stefanit, Hajredin Çelikut, Besnik Bekteshit etj., kushtojnë 1.2 milionë lekë, me sipërfaqe banimi të bollshme e, që në kushtet tona në secilën prej tyre, mund të strehoheshin 7 deri 8 familje.
Kështu për banesën e Foto Çamit, megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksion çatie, në vitin 1988, u shpenzuan 657 mijë lekë, pasi iu shtuan 3 dhoma e 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre, në 11 dhoma dhe 5 banjo, kur përbërja familjare, ishte vetëm 4 veta.
Për banesën e Manush Myftiut, (anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së dhe zv/kryeministër), megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksionin e çatisë dhe veshjen e disa mjediseve dhe anekseve, në vitin 1988, u shpenzuan 400 mijë lekë, pasi u shtuan 4 dhoma dhe 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre, në 12 dhoma e 6 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta.
Në banesën e Lenka Çukos, (anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së) në vitin 1986, kur filluan punimet për riparimin e çatisë, me kërkesën e saj u ndërhy edhe në strukturat e tjera ekzistuese të ndërtesës, si dhe u shtuan 4 dhoma e 2 banjo, duke e çuar numrin e tyre në 15 dhoma e 5 banjo.
Në banesën e Besnik Bekteshit, (anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së dhe ministër i Energjetikë), megjithëse kishte 10 dhoma, në vitin 1986 shpenzohen 312 mijë lekë, duke shtuar edhe 3 dhoma të tjera dhe 3 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta.
Në banesën e Simon Stefanit, (anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministër i Punëve të Brendshme), në vitin 1988 shpenzohen 626 mijë lekë për të shtuar 4 dhoma, megjithëse kishte 8 dhoma dhe përbërja familjare ishte vetëm 8 veta.
Edhe në vilat e plazhit të Durrësit, që shërbenin për pushime, janë bërë shtesa të pamotivuara për nevojat e familjes. Kështu vilës së Pali Miskës, me 4 dhoma, në vitin 1986, i shtohen 5 dhoma dhe 4 banjo, duke shpenzuar 400 mijë lekë. Vilës së Hekuran Isait, me 7 dhoma, në vitin 1987, i shtohen 3 dhoma e 2 banjo. Vilës së Qirjako Mihalit, me 5 dhoma, në vitin 1988, i shtohen 2 dhoma dhe 4 banjo të tjera.
Vetëm në mjediset e banimit të familjes Hoxha, në pallatin kryesor të saj, ka 7.2 milionë lekë pajisje, ndër të cilat 262 kolltukë, kanape e divane, me një vleftë prej 430 mijë lekësh, 47 dollapë, me një vlerë prej 71 mijë lekësh, 556 abazhurë, llambadarë e ndriçues, me vleftë 314 lekë, 28 frigoriferë me vleftë 133 mijë lekë, 29 televizorë e videokaseta, me vleftë 178 mijë lekë, 19 magnetofon e radio-magnetofon, me vleftë 73 mijë lekë, 65 biblioteka, dollapë e dhoma gjumi, me vleftë 448 mijë lekë, 200 qilima leshi, me vleftë 233 mijë lekë, 3.747 metra katrorë sixhade e tapet, me vleftë 900 mijë lekë e, me radhë aparatura ngrohjeje, ftohjeje, pastrimi, kondicionerë, aparate fotografike dhe aparate të tjera, me vlefta të konsiderueshme.
Nga 25 milionë lekë, që është vlefta e pajisjeve në vilat personale të banimit e të pushimit, sipas vendimit të mësipërm, u takojnë familjeve vetëm 6.5 milionë lekë, ose vetëm një e katërta e asaj që është shpenzuar, pjesa tjetër prej 18.5 milionë lekësh, janë shpenzime të tepërta për luks dhe të shpërdoruara për privilegje të tyre.
Edhe po ta marrim si të mirëqenë këtë vendim të Byrosë Politike, amortizimi i pajisjeve mbi normat e lejuara për to, përbën një dëm ekonomik dhe shpërdorim. Nga amortizimi i tyre, i llogaritur për 3 vjetët e fundit, që zë shumën për 2.7 milionë lekë, në ngarkim të familjes Hoxha, janë 1.4 milionë lekë, të familjes Alia, 372 mijë lekë, të familjes Çarçani, 105 mijë lekë, të familjes Isai, 102 mijë lekë, e kështu me radhë.
“Pako nga jashtë shtetit”!
Koli apo pako të ardhura nga ambasadat e vendeve të ndryshme të botës, në adresë të Drejtorisë së Pritjes ose, edhe me iniciale të tjera. Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit, për vitet 1989-1990, në adresë të Drejtorisë së Pritjes, kanë ardhur 1 323 koli, me adresën marrëse; “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x-31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera, në adresë të familjeve të veçanta. Këto nuk kontrolloheshin nga Dogana, pasi i tillë ishte edhe udhëzimi sekret. Këtu nuk llogariten qindra apo mijëra pako, të ardhura e të dala nga drejtime e pika doganore të ndryshme, të paregjistruara e pa kontroll doganor.
Në këto rrethana, nuk gjendet se sa kanë qenë, çfarë është futur dhe çfarë ka dalë nëpërmjet këtyre kolive. Përveç atyre që kanë ardhur në adresë të Drejtorisë së Pritjes, nuk kanë munguar edhe pakot për familje të veçanta, sigurisht pa tagël dhe kontroll doganor.
Kështu, për vitet 1989-1990, familjes së Nexhmije Hoxhës, i kanë ardhur 294 koli, familjes së Lumturi Rexhës, 18 koli, Simon Stefanit 32 koli, Qirjako Mihalit 25, Haxhi Lleshit 101 koli, Lenka Çukos e Spiro Kolekës, nga 24 koli, Besnik Bekteshit 47, Shefqet Peçit 9 dhe të tjerëve nga 6, apo më tepër. Ndoshta këto koli kanë qenë taksat që këto familje mblidhnin nga rrjeti i të afërmve apo, i miqve të caktuar nëpër ambasada, apo kudo në botë prej tyre.
Grabitja e pajisjeve kur u përzunë nga vilat luksoze
Ka përfunduar inventarizimi fizik i pajisjeve të familjeve të përmendura. Me dorëzimin e vilave të banimit, disa persona i zhveshën e, i dëmtuan ato, duke marrë pjesët e instaluara. Kështu vlefta e dëmit nga familja Toska, është 11 mijë lekë, nga familja Myftiu, 5.300 lekë, nga familja Mihali, 4.300 lekë, nga familja Murra, 1.300 lekë.
Gjithashtu rezultuan edhe 90 mijë lekë mungesa, në pajisjet për përdorim në banesa, të cilat u zhdëmtuan ashtu si dhe dëmtimet e mësipërme. Krahas kësaj, me komision të posaçëm, u rivlerësuan pajisjet që u mbajtën nga vetë familjet dhe u arkëtuan prej tyre shumat përkatëse, për 750 mijë lekë. Pjesa tjetër u grumbullua.
Veshjet luksoze dhe kozmetika e grave të udhëheqjes
Janë bërë shpenzime të konsiderueshme në valutë, për veshje luksoze dhe kozmetikë. Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të veçantë, për t’u trajtuar udhëheqja partiake dhe shtetërore, si dhe familjet e tyre, me veshje apo kozmetikë importi, si dhe me veshje speciale të porositur në vend, çdo vit janë vënë në dispozicion shuma të mëdha në valutë dhe në lekë.
Me urdhër të ish-titullarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit, nëpërmjet Industrial-Impeksit, për vitet 1988-1990, u janë dhënë ambasadave në Romë, në Vjenë dhe në Paris, 457 mijë dollar, për blerje, privatisht me dollarë në dorë në dyqanet speciale dhe të modës mallra, si; veshmbathje, kozmetikë, pajisje gjuetie, elektro shtëpiake apo ushqimore.
Theksojmë se fondet e dhëna nga Drejtoria e Pritjes dhe të përdorura nga Industrial-Impeksi, nëpërmjet edhe ambasadave, kanë qenë jashtë kontrollit. Në disa raste mallrat jashtë shtetit, janë blerë nga vetë përdoruesit dhe pagesa e vleftës së tyre, është bërë me vonesë, nga një deri në tre vjet.
Kështu familja Hoxha në vitin 1988, ka marrë 3.300 dollarë dhe pagesa e vleftës së mallrave të blera me to, është bërë në qershor të vitit 1991. Po kështu ka vepruar familja Çarçani, për 1.500 dollarë dhe e Qirjako Mihalit, për 1.000 dollarë. Në këto ambasada ,nuk justifikohen sot, 91 mijë dollarë. Kjo diferencë dhe të tjera, mund të argumentohen nëse janë shpërdorime, abuzime apo shpenzime të pa dokumentuara, vetëm pasi të kryhet kontrolli në vend.
Blerja e veshjeve dhe e artikujve të kozmetikës, është bërë me çmime të larta në valutë, ndërsa vlerësimi për pagesë nga ana e përfituesve, është bërë me lekë vendi dhe me çmime tepër të ulëta. Ka përfituar më shumë nga diferenca midis valutës së harxhuar dhe çmimit të paguar, familja Alia, për 174 mijë lekë, familja Hoxha, për 84 mijë lekë, Pirro Kondi, për 13.700 lekë, Adil Çarçani, për 25.200 lekë, Qirjako Mihali, për 5.500 lekë, Llambi Gegprifti, për 3.300 lekë./ Memorie.al