Autobusi me pasagjerë nga Kosova aksidentohet në Kroaci, përmbyset jashtë rrugës

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës në Kroaci, kur një autobus i një kompanie kosovare ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal dhe një sipërfaqe me bar në autostradën A1, afër Donja Zdençina. Në momentin e aksidentit, në autobus ndodheshin 28 persona, 26 pasagjerë dhe dy shoferë, të cilët dërguan një thirrje urgjente për ndihmë, duke kërkuar që të nxirreshin nga autobusi i përmbysur.

Advertisements

Policia, ambulanca dhe zjarrfikësit e Zagrebit mbërritën në vendngjarje menjëherë dhe, pas një operacioni të kujdesshëm, nxorën të gjithë pasagjerët nga autobusi përmes derës së shoferit. Sipas gazetës kroate Jutarnji List, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta nga aksidenti.

Advertisements

Drejtuesi i autobusit iu nënshtrua testit të alkoolit sipas procedurave standarde, ndërkohë që ende nuk dihen arsyet e humbjes së kontrollit të mjetit.

Nga kompania kosovare kanë konfirmuar për mediat se të gjithë pasagjerët kanë arritur në destinacionin e tyre pa pasoja dhe nuk ka të lënduar. Ata gjithashtu shtuan se, pas incidentit, autoritetet kosovare janë në kontakt me ambasadën e Kosovës në Kroaci për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme.