Barcelona-Real Madrid, drama e arbitrit… Lot dhe shpërthim emocional në konferencën për shtyp

Përtej futbollit, por më të lidhur me të sesa duket. Finalja e Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës u shoqërua me një shpërthim emocional në lot nga arbitri i caktuar për ndeshjen, Ricardo De Burgos Bengoetxea. Kjo ndodhi gjatë konferencës për shtyp në prag të finales.

Advertisements

I pyetur për videot kundër arbitrave, të publikuara nga “Real Madrid TV” para disa ndeshjeve, ku pretendohej për gabime në dëm të “Los Blancos”, arbitri nuk arriti t’i përmbante emocionet. “Flitet shumë për videot e ‘Real Madrid TV’, – tha De Burgos, – sepse ato kanë jehonën më të madhe.

Advertisements

Po tregoj disa situata që kanë përjetuar kolegët e mi. Kur djali yt shkon në shkollë dhe ka fëmijë që i thonë se babai yt është hajdut dhe ai kthehet në shtëpi duke qarë…, është diçka shumë e rëndë. Ajo që bëj unë është të përpiqem ta edukoj djalin tim dhe t’i them se babai i tij është një njeri i ndershëm”.

Në këtë moment, arbitri nuk arriti më të përmbahej dhe shpërtheu në lot. Me fytyrën e përlotur, ai vazhdoi: “Gabojmë, si çdo sportist. Është e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë, nuk ia uroj askujt. Sidoqoftë, kur të largohem nga ky profesion, dua që djali im të jetë krenar për atë që ka qenë babai i tij dhe për botën e arbitrimit.

Sepse arbitrimi na ka dhënë vlera të mëdha, ndaj nuk e meritojmë atë që po vuajmë. Dhe nuk mendoj aq shumë për ne profesionistët, por për dëmin që po iu shkaktohet kolegëve tanë në futbollin e të rinjve. Le të reflektojë secili mbi drejtimin që po marrim dhe mbi të ardhmen e sportit dhe të futbollit”.

Vigjilja surrealiste e Real-Barça… Akuza dhe kërcënime, në çfarë klime do të luhet finalja?

Në Spanjë ka përfunduar një nga ditët më surrealiste të historisë së fundit të futbollit. Pak më shumë se 24 orë para fishkëllimës së parë të finales së Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës, është ndezur polemika për shkak të një tjetër videoje provokative të publikuar nga televizioni zyrtar i Real Madridit.

Një akt i vërtetë akuzues ndaj arbitrit të finales, Ricardo De Burgos Bengoetxea, me të cilin Reali ka një përqindje fitoresh më të ulët në krahasim me rivalët. Reagimi i vetë De Burgos Bengoetxea dhe i kolegut të tij që do ta ndihmojë në VAR, González Fuertes, erdhi pothuajse menjëherë.

Të dy folën në një konferencë shtypi para finales. I pari madje shpërtheu në lot, ndërsa i dyti sulmoi hapur klubin e Florentino Pérezit, duke shkaktuar reagimin indinjues të këtij të fundit. Si pasojë, Real Madridi kërkoi nga Federata Spanjolle që t’i ndryshonte arbitrat e finales në momentet e fundit dhe vendosi të bojkotojë të gjitha aktivitetet zyrtare saj, përfshirë konferencën për shtyp ku duhej të merrnin pjesë Carlo Ancelotti dhe Luka Modric.

Një vendim i fortë, por kërkesa e Perez nuk u pranua. Federata qëndroi e palëkundur në pozicionin e saj, ndërsa Real Madridi fillimisht kërcënoi se nuk do të paraqitej në stadiumin “La Cartuja” të Seville, duke publikuar një komunikatë ku theksonte rrezikun që arbitrat të largoheshin nga parimet e “ndershmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë”, dhe kërkonte ndërhyrjen e Federatës.

Një protestë që do të kishte qenë historike, por për fat të mirë nuk do të ndodhë, pasi në mbrëmje klubi lëshoi një tjetër komunikatë ku deklaronte se “nuk kishte marrë kurrë në konsideratë idenë e tërheqjes nga finalja”.

Në fund të mbrëmjes erdhi edhe mesazhi i ashpër i Atletico Madridit, që sulmoi hapur “kushërinjtë” e vet nga Madridi. Finalja e Kupës së Mbretit do të luhet, por në çfarë klime?