Nga Fushë Kruja, ku zhvilloi takimin e radhës elektoral në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, kreu demokrat Sali Berisha, tha se krenaria e vërtetë e PD-së është ajo e popullit opozitar. Berisha u shpreh i bindur në fitoren e koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ ndërsa u shpreh se drita e fitores po ndriçon sot, zemrat, mendjet e mbarë shqiptarëve. “Rrugët, sheshet, rrugicat, e qyteteve dhe fshatrave. Po ngrihen madhështor, në zenit vullneti juaj për një fitore historike, për një fitore epike me datën 11 maj. I tmerruar, në panik Edi Rama, i cili e ka nuhatur se e pret disfata ndër më të thellat. Edi Rama tre muaj nuk guxoi, një minutë të vetme, një orë të vetme, një ditë të vetme të jepte llogari para jush për qeverisjen e tij 12 vjeçare, sepse u provua në 12 vite si e keqja ndër më të mëdhatë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre kombëtare.
Advertisements
Edi Rama nuk doli një minutë para jush jo për të dhënë llogari, por as për të numëruar suksesin e tij më të vogël, sepse e di që mbi çdo sukses qëndron vjedhja e tij e tmerrshme mbi shqiptarët. Nuk del dot para jush për të dhënë qoftë edhe orë llogari, qoftë dhe një minutë se e di që me avion në dispozicion ka shpenzuar, ka udhëtuar dy herë më shumë se presidenti i SHBA në dy vite. Se u ka gjobitur ju me 21 mln euro. Nuk del dot para jush sepse pasi kishte deklaruar 3800 euro në librin e llogarive të shtetit, na doli me saraje dy herë më të mëdha se Enver Hoxha. Doli me park dhe oborr 4 herë më të madh se diktatori. Edi Rama nuk del dot para jush të japë edhe një minutë llogari, sepse e di që shqiptarët e panë tek vodhi, rrëmbeu 224 mijë metër katrorë tokë në Gjipe, pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument konfiskimi. Nuk del dot, ndaj dhe miqtë mi, tani kërkon të bëjë hokatarin, të bëjë atë që nuk po jam them emrat dhe bën fushatë veçmas me gratë si në vitet ’50 kur komunistët bënin mbledhje veçmas me gratë dhe veçmas me burrat”, deklaroi dje Berisha.
Advertisements