Berisha dhe gjykimi i historisë!

by editor

Shtyrja e afatit të gjykimit për masën e arrestit të Berishës është një dëshmi tjetër e frikës që ka drejtësia shqiptare (përjashto SPAK) që të përballet me politikën.

Advertisements

E gjitha kjo përballë një politikani të rrëgjuar nga mosha dhe ndjekësit, tregon sa të vështirë e ka drejtësia jonë të përballet me politikën dhe me politikanë e aq më të vështirë me ata që janë në kulmin e fuqisë. Por kjo tregon edhe vështirësinë tonë për t’u përballur me historinë.

Advertisements

Janë tashmë virale kujtimet e njerëzve që punuan apo u burgosen ne 45 vite socializëm. Materialet vijnë pa asnjë lloj reference historike apo analize profesionale, përveçse merr nga arkivat dhe hidh në rrjet. Pa përjashtuar rastet e mitomanëve apo aq më keq të falsifikatorëve.

Ne ende nuk jemi në gjendje të gjykojmë përgjegjësitë politike nga ato juridike, lëre pastaj të flasim për ato historike.

Mirëpo në kushtet kur shoqëria lëviz me shpejtësi ne nuk mund t’ia lëmë gjykimin e politikanëve historisë. Historia do bëjë punën e saj sikurse e ka bërë gjithandej. Mbase Sarkozy në planin historik ishte pozitiv por drejtësia e gjykoi për atë çka i bëri Francës si president.

Sa i takon Berishës është evidente ngarkesa emocionale e shoqërisë, si të atyre që i janë besnik në mitingje ashtu edhe të kujt e simpatizon nga divani i shtëpisë. Por puna është që ai është njeri aktiv në politikë dhe për pasojat që i heqim sot duhet gjykuar po sot.

Çfarë ka historia me të, le të shkruajnë historianët. Por nuk mund t’i lihet gjykimi i akteve shtetërore dhe administrative historisë. Një shoqëri moderne dhe demokratike nuk e bën këtë.

Përndryshe do rrimë të tregojmë historitë e Berishës fëmijëve tanë, duke krijuar kështu një shtresë nostalgjikësh, sikurse ende ka nostalgjikë të Zogut apo Hoxhës.

Një shoqëri moderne i zgjidh punët me gjykatat sot dhe nuk i lë për në kalendat greke. Përndryshe nuk do kishim nevojë për gjykatës por për bejtexhinj që do na tregonin sesi Sali Berisha i shembi murin Serbisë dhe bëri naftën Shqipërisë.

You may also like