Beti Njuma: Veliaj financoi me 320 mijë euro shoqatën ‘Bash-Art’ të Altin Bashës

Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e ish-kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, ka financuar me 320 mijë euro shoqatën “Bash-Art” të drejtuar nga Altin Basha, një shifër që barazohet me buxhetin tre-vjeçar të Teatrit Kombëtar. Kjo zbulim është bërë publik nga gazetarja Beti Njuma përmes një postimi në rrjetet sociale.

Advertisements

Financimi vjen në fokus të vëmendjes pasi lidhet direkt me çështjen e diskutueshme të shembjes së Teatrit Kombëtar. Sipas gazetares, ky financim ndodhi pasi Basha, i cili fillimisht ishte kundër shembjes së ndërtesës historike, ndryshoi qëndrim dhe u bë mbështetës i projektit të Bashkisë për prishjen e godinës.

Advertisements

Njuma nënvizon se ky rast përbën një shembull të qartë të mënyrës së veprimit të ish-kryebashkiakut Veliaj, ku përmes financimeve publike është tentuar të ndikohet në qëndrimin e figurave të rëndësishme të komunitetit artistik lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Zbulimi i këtij financimi shton listën e pagesave të diskutueshme të bëra nga Bashkia e Tiranës ndaj regjizorëve dhe aktorëve që ndryshuan pozicionin e tyre lidhur me projektin e shembjes së Teatrit Kombëtar, një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit.

Postimi i plotë:

Pasi ia mbylli gojën për prishjen e Teatrit Kombëtar duke e bërë drejtor, Erion Veliaj financoi me 320 mijë euro (sa buxheti i 3 viteve të TK) shoqatën “Bash-Art” të Altin Bashës! Dhe pastaj habitemi si u ble kauza e Teatrit Kombëtar dhe se si aktorët e regjisorët u bënë palë me talebanët e trashëgimisë. Kush nuk blihet me para, blihet me SHUMË PARA!