BKH kontrolle në katin e 9-të të ETC-së, sekuestrohen dokumente dhe materiale të rëndësishme në zyrën që dyshohet se…

Përmes një aksioni të papritur dhe të koordinuar, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar së fundmi kontrolle të thella në katin e 9-të të ndërtesës së ETC-së në Tiranë, ku janë sekuestruar dokumente dhe materiale të rëndësishme që dyshohet se lidhen me hetimet në zhvillim për kryebashkiakun Erion Veliaj. Burime bëjnë me dije se zyra e kontrolluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dyshohet se ka qenë në përdorim të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, një nga emrat më të lakuar të politikës shqiptare.

Advertisements

Kanë dalë edhe pamje në televizione, ku Erion Veliaj është filmuar nga punonjës në zyrat e qendrës ETC në Tiranë, të cilët theksojnë se kryebashkiaku është parë shumë shpesh vitin e kaluar duke hyrë dhe dalë nga kati i 9-të i godinës në fjalë. Pyetja që shtrohet nga mediat është se a mos është kati i 9-të i ETC-së “Harabeli 3”, për të cilin institucionet hetimore nuk kanë informacion mbi aktivitetin që realizohet aty? Se çfarë ka “kurdisur” apo fshehur Erion Veliaj në këtë zyrë i takon SPAK-ut të japë përgjigjet e tij përmes hetimeve, por sipas “Ora News”, Veliaj mësohet se hynte pa çantë dhe dilte me çantë dhe makinën e tij e fshihte në anësoren e rrugicës së ETC-së.

Advertisements

Ky kontroll i BKH mund të jetë dhe arsyeja pse kanë nisur avancimet e PS për të futur duart te drejtësia e re. Vetë Xhafaj drejton komisionin që shihet si një përpjekje e pastër për të zhbërë SPAK-un dhe për të rikthyer kontrollin politik mbi sistemin gjyqësor. Tre ditë më parë Xhafaj kërkoi që të avancohej drafti për të minuar drejtësinë e re. ““Kush e kontrollon kontrollorin? Një problem që kemi në gjithë këtë mekanizëm është se kemi një sërë strukturash investigative kontrolluese, por ku japin këto llogari, kush i kontrollon? Dhe si mund ta realizojmë ne këtë gjë”, tha ai.

Mbrojtja ndaj Veliajt

Gjithashtu pas arrestimit të kryebashkiakut, Xhafaj doli menjëherë hapur në mbrojtje të Veliajt. Si bashkëluftëtar prej 10 vitesh në betejat elektorale për Tiranën Xhafaj thotë se Veliaj po luftohet fort egër dhe shpesh me goditje nën brez për shkak të mbështetjes popullore që kryebashkiaku ka. Ai sulmoi fort SPAK. “Po atë që nuk e bëri dot opozita për mbi 10 muaj me rreth 50 protesta të përjavshme e shpesh të dhunshme e bëri një vendim gjyqësor rreth 90 ditë para zgjedhjeve, që vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe një prej drejtuesve kryesorë politikë të PS për qarkun Tiranë”, tha ai ndër të tjera. Procesin gjyqësor ndaj Veliajt, të cilin e përkufizon si ‘njeri të gabueshëm por jo zyrtar të korruptuar” e quajti jo të drejtë. Ish ministri i Drejtësisë dhe i Brendshëm dyshon për shkelje procedurale, e thotë se drejtësia ka nevojë për standarde.

“Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedural,” shkruan Xhafaj. Kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale, u shpreh Xhafaj më tej. “Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithësesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori,” shkruan Xhafaj në analizën e tij të gjatë.

Në dosje thotë, se nuk gjenden prova se kryebashkiaku i Tiranës ka kryer korrupsion, por vetëm supozime e interpretime indirekte. “Nga ato qindra faqe nuk e gjej qartë një gjë të tillë, se ku është korrupsioni i vetë Kryetarit të Bashkisë! Prokurorët kanë barrën e provës, të provojnë fajësinë me prova bindëse, përtej çdo dyshimi dhe jo me supozime e interpretime indirekte siç lexohen në vendimin gjyqësor”, u shpreh Xhafaj ndër të tjera.