“Blendi Tetën e mori peng Vis Martinaj, i tha do të muros”- Vrasja e Santiago Malkos, Ilir Selmani mohon fajësinë: Po bëj burg kot

by editor

Në Gjykatën e Posaçme po shqyrtohet proces i veçuar për anëtarët e klanit që njihet me emrin Duka.

Advertisements

Por meqë ata janë ende në arrati dhe policia nuk ka mundur t‘i arrestojë për t‘i vënë në bankën e të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos, në gjykatë është thirrur të dëshmojë njëri nga ‘ushtarët’ e tyre. Konkretisht Ilir Selamni.

Ai është hetuar, gjykuar dhe dënuar me 28 vjet burg për pjesëmarrje në atë krim të rëndë, ndërkohë që tashmë është në cilësinë e dëshmitarit. Ai është shfajësuar për vete, por ka marrë në mbrojtje edhe të bashkëdënuarin tjetër, Blendi Tetën, për të cilin ka thënë se ishte i kërcënuar nga Ervis Martinaj. Po ashtu, Selmani në gjykatë ka mbrojtur edhe dy vëllezërit Duka, duke hedhur fajin mbi dy oficerë të policisë, që sipas tij, kanë manipuluar provat dhe se për të bërë këtë janë paguar 500 mijë euro.

Advertisements

Madje i akuzuari dhe dënuari për vrasjen e ish-policit ka shkuar edhe më tej kur i ka thënë prokurorit të SPAK dhe gjykatës se ka prova dhe se do t‘i vinte në dispozicion të gjykatës. Por Selmani ka treguar edhe se ditën e vrasjes së Malkos ka qenë në drekë vetë i nënti person në zonën e ‘Freskut’ se është larguar nga dreka me porosi të Dukës për të shoqëruar deri në afërsi të spitaleve Blendi Tetën, që e njeh Ervis Martinajn dhe se kanë qenë shokë me Dukët për shkak se kishin të njëjtin biznes, biznes që edhe i ka prishur.

I DËNUARI NË GJKKO

Pas Blendi Tetës, Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, ishte dëshmitari i radhës që u pyet në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Dukës e të tjerë, të akuzuar për të njëjtën ngjarje. Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka. Ai tha në seancë se nuk ka lidhje me vrasjen e Malkos.

Selmani tha se Blendi Teta, po ashtu i dënuar për ngjarjen, ishte marrë peng dhe kërcënuar nga Ervis Martinaj, ishte detyruar të firmoste shkresa që nuk i kishte lexuar. Sipas dëshmitarit, ditën e ngjarjes ai kishte drekuar në një restorant tek “Fresku” me Leonard Dukën, Erlis Dukën, Olian Logën, Dritan Again e disa të tjerë. Në përfundim ai kishte shoqëruar me një automjet “Skoda” që përdorej për aktivitetin e vëllezërve Duka, Blendi Tetën drejt një vendqëndrimi taksish.

“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qira. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Blendin dhe iku. Më kërkoj Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri te spitalet. Dëgjova diçka, por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo.

Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoj që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (i drejtohet prokurorit): Çdo provë është e manipuluar nga dy oficer policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjuar përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet”, – tha Selmani, që pretendon se ka punonjës policie, që kanë manipuluar provat dhe prokurorin i ka marrë ato të pa hetuar si duhet.

“Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinajn e njoh se ka patur kompani të përbashkët llotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte t`i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshme unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara”, – ka thënë ndër të tjera i dënuari.

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi në nëntor të vitit të kaluar dënimin me 28 vjet burg për Ilir Selmanin për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim ndaj ish-policit Santiago Malko në verën e vitit 2019 në Tiranë. I pandehuri u dënua në maj të 2023 edhe në shkallën e parë, ndërkohë që ra në pranga gjatë një aksioni të policisë në zonën e “Xhamllikut”, në prill të vitit 2020, rreth 8 muaj pas ekzekutimit të Malkos.

You may also like