Nuredin Dumani ka treguar ditën e djeshme se si e vrau Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës. Në fakt, për këtë ngjarje, Dumani ka folur edhe në dëshmitë e “pendesës”, duke treguar detaje tronditëse të vrasjes së një njeriu të pafajshëm dhe të papërfshirë në aferat e tmerrshme kriminale të bandave të Elbasanit.
Advertisements
Përgjatë rrëfimit të tij dje në Gjykatën e Posaçme, ai arriti deri atje sa tha se, “Bujarin doja ta vrisja me armën që më kishte dhuruar Talo”, por sipas tij, arma ishte bllokuar e për pasojë ka implikuar dy ushtarët e tij, Besmir Xhixhën dhe Enver Divën për ta kryer ekzekutimin e taksistit, i cili po pinte kafenë e mëngjesit para se sa të niste punën e përditshme.
Advertisements
Dumani e justifikon vrasjen e Bujar Çelës si hakmarrje për ekzekutimin dy ditë para të Klevis Kapllanit, vrasje që në fakt nuk është hetuar ende si duhet as nga SPAK dhe aq më pak nga policia dhe Prokuroria e Elbasanit. Të dy ekzekutimit kanë ndodhur në messhtatorin e 5 vjetëve më parë, ndërkohë që i gjithë vendi ishte i izoluar nga pandemia, killerat e vendit lëviznin të lirë dhe ekzekutonin këdo që kishin listuar nëpër ‘blloqet’ e tyre të vdekjeve!
DËSHMIA NË GJKKO
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dëshmuar dje në GJKKO për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të ish-mikut e ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, Talo Çela. I penduari rrëfeu në procesin ku po dëshmon për ngjarjet kriminale që u hetuan nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, se në krim mori pjesë me Besmir Xhixhën dhe Enver Divën. Dumani dëshmoi se diçka nuk shkoi me armën e tij dhe nuk qëlloi, ndonëse kishte në fakt dy armë.
“Kisha dy armë. Njërën e kisha për ta përdorur në vrasjen e Bujar Çelës, tjetrën e mbaja si zakonisht për vetëmbrojtje dhe nuk e përdorja në ngjarje. Tentova ta qëlloja Bujarin, por arma nuk më shkrepi. I thashë Xhixhës të qëllonte se nuk po më shkrepte. Nuk e përdora armën e dytë, sepse nuk doja ta bëja pis”. Bujar Çela u vra më 17 shtator të vitit 2020, ndërsa i penduari tregon se shkak ishte bërë vrasja e mikut të tij, Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa. Dumani thotë se ai bashkë me Enver Divën dhe Besmir Xhixhën pasi kishin marrë informacion nga Eljo Bitri, ishin nisur drejt shtëpisë së Bujar Çelës, por nuk kanë mundur ta kryejnë aty ekzekutimin, pasi u pikasën nga një person që nuk e njihte dhe u larguan. Por nga informacionet që kishte, e dinte se Bujari e pinte kafen në një lokal ku ndalonin autobusët që niseshin për Greqi dhe sapo e ka parë, drejt tij është nisur Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai ishte ende gjallë. Në këtë moment afrohet Dumani, i cili nxjerr pistoletën të cilën ia kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela, por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe të qëllonte mbi Bujarin me një pistoletë 9 mm. Pas vrasjes, ata janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku kanë djegur makinën që kishin përdorur për të kryer vrasjen, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në “Plepa” në Durrës.
Vrasja e Bujar Çelës ndodhi më 17 shtator 2020 te stacioni i autobusëve të Greqisë në Bradashesh, brenda një lokali. Kurse Klevis Kapllani u vra më 15 shtator 2020, në një pritë afër shtëpisë në Rrogozhinë, dy ditë para Çelës. Dumani po shkakton “tensione të forta” me dëshmitë e tij në GJKKO si i penduar i SPAK, duke përmendur edhe detaje si lokali ku shkonin politikanët apo deklarata e fundit se për të dalë nga burgu më 2014-n, kur ishte arrestuar për pengmarrje, e ndihmoi dhëndri i vëllait të ishministrit të Drejtësisë së asaj kohe, sot deputetit Nasip Naço, teksa ky i fundit e cilësoi mashtrim për t’i dëmtuar figurën dhe kërkoi hetime nga drejtësia./Gazeta Panorama