Category: Sport

  • Gianni de Biasi: Jam 51% shqiptar dhe 49% Italian, jacilën cilën skuadër do të mbështesë ditën e shtunë

    Gianni de Biasi: Jam 51% shqiptar dhe 49% Italian, jacilën cilën skuadër do të mbështesë ditën e shtunë

    Mbrëmjen e djeshme, ish-trajneri i Ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Gianni de Biasi, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, për të komentuar ecurinë e Shqipërisë deri në finalet e ‘EURO 2024”.

    Ai u shpreh se ndryshe nga skuadra e vitit 2016 kur drejtonte ai, ka një element të mirë që luajnë me ekip është një skuadër që është rritur shumë, por është edhe në meritën e Federatës Shqiptare që ka bërë me ekipin kombëtar.

    I pyetur për ndeshjen e ditës së shtunës mes Shqipërisë dhe Italisë dhe se për cilën do të bënte tifo, Gianni de Biasi, u shpreh se ishte 51% shqiptar dhe 49% italian.

    “Shqipëria ka një mundësi të artë sepse është rritur në aspektin teknik dhe është mjaft e fortë.

    Që në momentin ku u hodh shorti e kishin disa shtete të forta, ja kisha thënë edhe presidentit Duka, që kan shanse për të arritur favore.

    Ndryshe nga skuadra e vitit 2016, ka një element të mirë që luajnë me ekip është një skuadër që është rritur shumë, por është edhe në meritën e Federatës Shqiptare që ka bërë me ekipin kombëtar.

    Sot ekipi i Silvinjos teknikisht që është më i fortë se janë disa lojtarë që luajnë në liga të forta, teknikisht është skuadër më e fortë, sepse janë 7 lojtarë që luajën në Serinë A, në Bundesligë, në Spanjë, etj. Pra në anën teknike janë më të fortë, por në anën karakteriale dhe të pozicionimit në fushë këtë nuk jam në gjendje ta them tani”.

    I pyetur për ndeshjen e ditës së shtunës mes Shqipërisë dhe Italisë dhe se për cilën do të bënte tifo, Gianni de Biasi u shpreh:

    “Me Shqipërinë tonë. Nuk kam asnjë flamur italian, kam vetëm simbole shqiptare. Zemra më thotë Shqipëri sepse aty jam ndier mirë, jam gjetur në një mjedis fantastik. Por kam kombësi shqiptare. Por për të qenë i sinqertë, jam 51% shqiptar dhe 49% italian”.

  • Shqipëria drejt rekordit, 50 mijë tifozë kuqezi lënë pa bileta italianët në sfidën e parë

    Shqipëria drejt rekordit, 50 mijë tifozë kuqezi lënë pa bileta italianët në sfidën e parë

    Shqipëria do të sfidojë Italinë të shtunën në orën 21:00 në ndeshjen e parë të vlefshme për Europianin.

    Burimet për ESPN bëjnë të ditur se në stadium do të jenë mbi 50,000 tifozë shqiptarë, kontigjenti më i madh udhëtues i çdo skuadre tjetër përveç vendit pritës.
    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka pezulluar parlamentin e vendit për 10 ditë për të mundësuar që mbi 100 ministra dhe parlamentarë të marrin pjesë në ndeshjet e grupit B të ekipit kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

    Edhe pse Signal Iduna Park, stadiumi vendas i Borusia Dortmundit, mban rregullisht mbi 81,000 spektatorë për ndeshjet e klubit, vendi do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 gjatë Euro 2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë.

    Kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë për shkak të shumicës dërrmuese të biletave të blera nga tifozët shqiptarë.

  • “Dikur e shihje Kombëtaren në TV, sot je pjesë e saj”, babai i Brojës bën postimin emocionues

    “Dikur e shihje Kombëtaren në TV, sot je pjesë e saj”, babai i Brojës bën postimin emocionues

    Xhevahir Broja, babai i futbollistit të Kombëtares, Armando Broja ka bërë një postim nostalgjik lidhur me djalin e tij, teksa shkruan se dikur e ndiqte në TV, por sot është pjesë e Kombëtares tonë.

    Xhevahiri është krenar që djali i tij ka veshur fanellën kuqezi, teksa të gjithë sytë janë drejt tij në këtë Europian.

    “Dikur e shifshe nga televizori sot je pjesë e Kobtares Shqiptare krenar pre ty forca Shqipëri”, shkruan Xhevahiri.

  • Italia i vihet pas Seferit, 3 ekipe nga Serie A kërkojnë sulmuesin kuqezi, emri i del edhe në Angli

    Italia i vihet pas Seferit, 3 ekipe nga Serie A kërkojnë sulmuesin kuqezi, emri i del edhe në Angli

    “Euro2024” është një vitrinë e shkëlqyer për yjet kuqezi, ky është një fakt, për më tepër që pjesa e tyre më e madhe janë në qendër të merkatos, pritet të ndryshojnë destinacion pas kësaj vere. Një prej tyre është edhe Taulant Seferi, sulmuesi kuqezi, i cili mbylli një sezon në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u rikthyer pas Evropianit në Ukrainë, te Vorskla Poltava, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij. Seferi pritet të jetë thjesht kalimtar në Ukrainë, pasi sipas mediave italiane, për të ka një interesim të lartë nga Serie A.

    Sipas TuttomercatoWeb, për Seferin janë të paktën tre ekipet që po ndjekin nga pranë zhvillimin e tij, pritet të jetë një nga të vëzhguarit special në “Euro2024” pasi sipas mediave italiane Seferi është projektuar titullar nga Sylvinho. Cagliari, Lecce dhe Empoli janë tre ekipet që kanë shfaqur interesim për ish sulmuesin e Tiranës.

    Gjithnjë sipas Tuttomercatoweb, jo vetëm në Serie A, Seferi pëlqehet edhe në Premier League, ku interesim për të ka shfaqur ekipi i Ipswich Town, të sapo ngjiturit në elitë.

    (BalkanWeb)

  • E PABESUESHME / Shqipëria në krye të listës! Ky është rekordi që mban në historinë e Kampionatit Europian

    E PABESUESHME / Shqipëria në krye të listës! Ky është rekordi që mban në historinë e Kampionatit Europian

    Kampionati Evropian i UEFA-s është një spektakël talenti, pasioni dhe drame. Ndërsa golat dhe pritjet shpesh janë në qendër të vëmendjes, të dhënat disiplinore të turneut zbulojnë një shtresë tjetër intensiteti.

    BoyleSports, ekspertë në statistikat sportive, kanë analizuar të dhënat për të zbuluar se cila skuadër mban rekordin për më shumë kartonë të kuq në historinë e UEFA EURO, duke përfshirë edhe raundet kualifikuese.

    Sipas BoyleSports, skuadra me më shumë kartonë të kuq në historinë e UEFA EURO është Shqipëria, me një total marramendës prej 14 kartonësh. Kjo i vendos ata në krye të listës, të njohur për lojën e tyre agresive dhe ndeshjet me intensitet të lartë.

    Pas Shqipërisë janë tre skuadra të barabarta me nga 12 kartonë të kuq: Malta, Moldavia dhe Azerbajxhani. Këto kombe kanë parë gjithashtu pjesën e tyre të drejtë të masave disiplinore, duke kontribuar në natyrën dramatike dhe të paparashikueshme të turneut.

    Në vendin e pestë, me nga 11 kartonë të kuq, renditen Republika e Irlandës, Estonia, Uellsi dhe Rumania. Këto ekipe kanë treguar se shpirti i tyre konkurrues ndonjëherë mund të kalojë kufirin, duke çuar në largime të shumta ndër vite.

    Në krye të 10-shes janë Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, secila me nga 10 kartonë të kuq. Këto skuadra kanë lënë gjithashtu gjurmët e tyre në turne, shpesh duke u gjetur në mes të ndeshjeve me nivele të larta dhe me tension të lartë.

    Analiza e BoyleSports jo vetëm që nxjerr në pah skuadrat me më shumë kartonë të kuq, por gjithashtu nënvizon konkurrencën e ashpër dhe emocionet e larta që përcaktojnë Kampionatin Europian.

    Ndërsa kartonët e kuq shpesh shihen si një e metë në lojë, ato shërbejnë gjithashtu si një dëshmi e intensitetit dhe pasionit të konkurrencës ndërkombëtare. Ekipet e listuara këtu kanë treguar se vendosmëria e tyre për të fituar ndonjëherë çon në kalimin e vijës, duke rezultuar në momente të paharrueshme dhe dramatike në fushë.

  • Ishte me pushime në Shqipëri, merr ftesën e papritur për në Euro 2024

    Ishte me pushime në Shqipëri, merr ftesën e papritur për në Euro 2024

    Një ndryshim përgatitet te Gjermania.

    Talenti i Bayern Munich, Aleksandar Pavlovic është përballur me një infeksion në bajame gjatë ditëve të fundit.

    20-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Nagelsmann për ndeshjen hapëse të Euro 2024, të premten kundër Skocisë.

    Ndërkohë, gjendja e tij shëndetësore do të vlerësohet me kalimin e ditëve.

    Por, te Gjermania nuk duan t’i lënë asgjë në dorë rastësisë.

    Dhe pjesë e ekipit kombëtar pritet të bëhet Emre Can, kapiteni i Borussia Dortmund. I cili e ka veshur 43 herë më parë fanellën e Gjermanisë.

    30-vjeçari ditë më parë zbarkoi në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushime me Karim Adeyemin, shokun e tij të skuadrës te verdhezinjtë.

  • Armando Broja drejt Bundesligës? Trajneri i njohur ftesë futbollistit të kombëtares

    Armando Broja drejt Bundesligës? Trajneri i njohur ftesë futbollistit të kombëtares

    Volfsburgu po kërkon që të përforcojë repartin sulmues dhe në skenë kanë dalë kandidatë të ndryshëm.

    Sipas asaj që raporton “Kicker”, një emër që klubi gjerman ka në mendje është edhe ai i Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili aktualisht është duke zhvilluar përgatitjet me ekipin përfaqësues në Gjermani në kuadër të Europianit, njihet shumë mirë nga trajneri i ri i Volfsburgut, Ralf Hazenutëll.

    Në sezonin 2021-2022, kur Broja ishte te Sauthemptoni pati një shpërthim gjatë kampionatit, duke shënuar 9 gola në 38 ndeshje të Premier Ligës, si i huazuar nga Çelsi, por në drejtimin e Hazenutëll që tashmë kërkon që ta marrë 22-vjeçarin në Gjermani.

    Në atë kohë, austriaku ishte i lidhur shumë me Brojën dhe kërkonte që ta blinte, por kjo nuk u realizua. Gjithsesi, konkurrenca për Brojën është e madhe, pasi Milani ka dërguar në Londër përfaqësues për të folur me klubin e Çelsit dhe po ashtu Evertoni është vënë në lëvizje për sulmuesin.

  • Tension te Gjermania, mbrojtësi dhe sulmuesi “përleshen” gjatë stërvitjes (Video)

    Tension te Gjermania, mbrojtësi dhe sulmuesi “përleshen” gjatë stërvitjes (Video)

    Tension në kombëtaren e Gjermanisë pak ditë para nisjes së Euro 2024. Mbrojtësi i Realit të Madridit, Antonio Rudiger, është për pak u përplas fizikisht me Nicklas Fullkrug gjatë stërvitjes së Gjermanisë.

    Një episod që ndodhi para rreth 4000 tifozëve që ishin dyndur në kampin stërvitor të Gjermanisë për të mbështetur skuadrën që do të garojë në kompeticionin më të lartë kontinental si mikpritës. Sipas asaj që raporton “Sport Bild”, gjithçka ka ndodhur gjatë një stërvitjeje normale.

    Lojtarët gjermanë po praktikonin krosimet e tyre kur mbrojtësi i Real Madridit dhe sulmuesi i Borussia Dortmundit u përplasën mjaft ashpër në disa raste.

    Të dy ishin vendosur në grupe të ndryshme dhe, pas një dyluftimi të fortë, shpërtheu një debat i vërtetë. Pas fërkimeve të para, në duelin e radhës Rudiger e tërhoqi mbajti Fullkrug dhe e tërhoqi poshtë.

    Sulmuesi, pasi u rrëzua keq, filloi të shante jo vetëm shokun e tij të skuadrës, por edhe një nga anëtarët e stafit teknik, i cili sipas tij ishte fajtor që nuk e kishte ndalur Rudigerin.

    Në këtë pikë situata u nxeh dhe, pas futbollistët nisën të shtyheshin, duke shkuar thuajse në përplasje fizike.

    U desh ndërhyrja e ndihmëstrajnerit Sandro Wagner që situata të qetësohej.

    Gjermania organizatore e turneut do të luajë sfidën e parë të premten kundër Skocisë. Rivalët e tyre në fazën e grupeve janë edhe Hungaria dhe Zvicra.

  • Donnarumma me fjalë të mëdha për Shqipërinë: Skuadër me lojtarë me përvojë, duhet…

    Donnarumma me fjalë të mëdha për Shqipërinë: Skuadër me lojtarë me përvojë, duhet…

    Portieri i kombëtares italiane të futbollit Gianluigi Donnarumma e ka komentuar me fjalë pozitive kombëtaren shqiptare të futbollit.

    Ai ka folur gjithashtu për atmosferën në kombëtaren italiane.

    “Të gjithë kanë një personalitet të ndryshëm. Padyshim që atmosfera ishte e veçantë tre vjet më parë, dhe këtë po përpiqemi të rikrijojmë tani. Por ata janë të gjithë djem të mrekullueshëm tani, kështu që nuk ka frikë të mos mund ta përsërisni atë. Ne jemi një grup i mrekullueshëm dhe bashkohemi mirë. Kjo do të jetë padyshim e rëndësishme, siç ishte në Euron e kaluar”, tha Donnarumma.

    Donnarumma komentoi edhe cilësitë e kundërshtarit, Shqipërisë në Grupin B, ku Italia do përballet në ndeshjen e parë më datë 15 qershor.

    “Shqipëria është një skuadër e madhe me lojtarë të rinj interesantë që kanë përvojë. Çdo ndeshje është e ndryshme, kështu që ne do të duhet t’i qasemi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje.

    Ne do të duhet të shkojmë lojë pas loje, por për momentin po mendojmë vetëm të luajmë mirë kundër Shqipërisë. Pas kësaj, do të shohim”, tha rojtari portës italiane.

  • “Jemi më mirë se në EURO 2016, kemi ardhur të kalojmë grupin”, Duka bën parashikimin: Shqipëria e para, Italia e dyta

    “Jemi më mirë se në EURO 2016, kemi ardhur të kalojmë grupin”, Duka bën parashikimin: Shqipëria e para, Italia e dyta

    Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është i bindur se Shqipëria ka potencialin që duhet për të kaluar fazën në grupe të Euro 2024.

    Edhe pse ai ka pranuar se përballë janë tre skuadra shumë të forta në Grupin B, në intervistën e tij për “Sport News” në “News 24”, numri 1 i futbollit në vendin tonë ka shprehur besimin se kuqezinjtë mund t’ia dalin.

    Ai ka argumentuar këtë me eksperiencën e akumuluar gjatë këtyre 8 viteve që nga pjesëmarrja e parë, por edhe nga cilësitë e futbollistëve që ka, teksa nuk ka ngurruar që në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, të parashikojë vendin e parë në grup për kuqezinjtë.

    President, si është atmosfera, si po shkojnë këto ditë të para grumbullimi? Shohim kudo fëmijë të lumtur, flamuj kuqezi…

    Këtu në bazën e ekipit kombëtar çdo gjë është e organizuar shumë mirë, pritja nga autoritetet lokale ka qenë fantastike, nga komuniteti shqiptar, nga fëmijët e tyre, gjithçka ka qenë fantastike. Dje kishim edhe një stërvitje të hapur ku morën pjesë shumë nga mbështetësit tanë, por tashmë duke ardhur dita e ndeshjes rritet presioni, emocionet, më shumë emocione, më pak buzëqeshje.

    Si po e përjetojnë djemtë, trajneri Silvinjo. Më bëri përshtypje, tifozë që qëndronin në shi duke ndjekur seancat stërvitore…

    Dje në stërvitjen e hapur kishte kohë me shi, këtu është pak më ftohtë, ndryshim i madh me Shqipërinë. Ekipi po përgatitet shumë seriozisht, çdo gjë ka shkuar shumë mirë, në të gjitha këndvështrimet, gjendja duket e mirë. Tani jemi në ditët e fundit, jemi në pritje të ndeshjes së parë, rritet përgjegjësia, emocioni. Pritshmëritë janë të mëdha, por unë i thashë edhe dje djemve në fushë. Ne nuk kemi pse të mbajmë përgjegjësinë, le ta mbajnë këto tre të tjerët, tre kundërshtarët tanë vijnë në këtë kompeticion mbase për të fituar, përgjegjësia e tyre është shumë e madhe, ndërsa ne e kemi fituar Europianin tonë në një lloj mënyrë, kështu që duhet të luajmë lirshëm, të mos kemi emocione të jashtëzakonshme. Nëse do të bëjmë mirë, do të bëjmë, nëse do të largojmë atë mbingarkesën emocionale. Padyshim që një ndeshje ndaj Italisë ka përgjegjësinë, por duhet ta kemi deri aty sa të mos dëmtojë gjendjen sportive të skuadrës.

    Ju shohim dhe ju personalisht shumë të përfshirë, por ketë herë nuk e hiqni kostumin. Tetë vite më parë keni qenë më sportiv, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje këtë herë, çfarë do veçonit?
    Ne si Shqipëri, si ekipi kombëtar, si Federatë, jemi për herë të dytë, kemi një eksperiencë më shumë. Nëse e shohim nga pikëpamja organizative, në raport me tetë vite më parë, nëse do të shohim kushtet tani, janë një ndryshim i jashtëzakonshëm, është progresi i tetë viteve, është eksperienca e tetë viteve. Realisht në këtë kompeticion jemi në kushte shumë të mira, por dhe vetë klima, pasi një pjesë e çunave e kanë për herë të dytë, të gjitha këto na bëjnë të jemi ndryshe, të jemi një hap përpara. Tani nga pikëpamja sportive, sporti i ka të gjitha të papriturat, grupi jonë siç thatë dhe ju është i vështirë, nuk e di nëse do të bëjmë më mirë apo në keq, në rezultat, në raport me 2016. Jam i sigurt që në lojë do të bëjmë më mirë, rezultat nuk e di.

    Dy teste miqësore, 6 gola të shënuar, një i pësuar. Çfarë të pëlqeu dhe çfarë jo?
    Ajo që më ka pëlqyer gjithnjë në skuadër, edhe gjatë këtyre ditëve grumbullimi që shihet në fushë, është fryma e skuadrës, atmosfera pozitive, kjo shihet edhe në fushë. Slogani i Kombëtares: “Jemi një”, është demonstruar edhe në ndeshjet miqësore, jam i sigurt që kjo do të shpaloset edhe në fushë. Që skuadra është një, stafi është një, jemi të gjithë bashkë. Ne e kemi theksuar, ne nuk është se kemi yje në skuadër, por kemi një skuadër kompakte me një atmosferë pozitive, me këto ne shpresojmë që të bëjmë rezultat.

    Ka diçka që i druhesh president? Ka diçka për të cilën ke frikë? Po Silvinjon çfarë e shqetëson, besoj keni kohë për të diskutuar edhe detaje…
    Frikë, pikërisht kjo është, që nuk duhet të kemi frikë, por respekt po. Kemi tre kundërshtarë shumë të mirë, kujdesi dhe respekti i shtuar për kualitet që kanë, janë të tre skuadra shumë të mira. Italia, rivali jonë i parë, ka kualitete shumë të mira. Ka shumë që mendojnë që nuk është Italia më e mirë, e yjeve të kaluara. Por ne e pamë në miqësoren e fundit, atë kundër Bosnjës që ishte e vendosur shumë mirë, me kualitete, një ekip që mund të dëmtojë në çdo moment. Pra jo frikë, por kujdes për kualitetin e rivalëve. Dua ta përsëris, të mos kemi mbingarkesë emocionale, të mos i dhurojmë asgjë, pastaj në fund diferencën le ta bëjë kualiteti, apo fati.

    Flitet pafund për Shqipërinë në rrjet, madje italianët shkruajnë më shumë respekt. Mendojnë që mund të jemi një “Hirushe” e këtij Europiani, po ju besoni realisht?
    Unë jam realist dhe mendoj se të tre ekipet janë përfaqësuese shumë të mira, janë pretendentë për të fituar, nuk do të ishte çudi që një prej tyre të fitonte Europianin. Në letër, me statistika, me histori, ne jemi më keq, por në kompeticionin e fundit ne kemi bërë shumë mirë, kemi fituar grupin përpara Polonisë, Çekisë. Pra edhe në kemi bërë progres të jashtëzakonshëm. Nëse marrim historinë, të tre ekipet janë shumë më të mira se ne. Nëse marrim kompeticionin e fundit, skuadra jonë ka bërë mirë, mund ta përballojë dhe mund ta kalojë këtë grup.

    Për Italianët, për mediat sigurisht, e konsiderojnë Shqipërinë provën e zjarrit, ndeshja që duhet fituar. Edhe në Shqipëri është krijuar ky perceptim, që Italinë e shohin si rivalin më të mundshëm që mund t’i marrim pikë. Ju si mendoni?
    Ne nuk duhet ta shohim si provën e zjarrit. Italia, po, për pretendimet që kanë, ata janë të dënuar jo vetëm për të kaluar grupin, por për ta fituar, pavarësisht se Italia nuk ka marrë pjesë në dy Botëroret e fundit. Ata duhet ta shohin si ndeshje zjarr, kanë të drejtë ta shohin kështu, pasi në rast të një rezultati negativ me Shqipërinë do ta kenë shumë të vështirë të kalojnë grupin sepse janë edhe dy kundërshtarë të tjerë shumë të fortë. Në llogaritë e tyre, jam i bindur se ata llogarisin tre pikë me Shqipërinë, ndërsa ne nuk kemi pse ta shohim si një ndeshje zjarri, duhet ta shohim si një ndeshje radhe me respekt maksimal për kampionët e Europës, por me objektiv për t’i sfiduar.

    Çfarë pret nga sfida e 15 qershorit, a do të krijohet “muri” kuqezi? Keni një info sa tifozë shqiptarë mund të jenë në stadium në atë ndeshje?
    Unë jam shumë i sigurt që stadiumi do të jetë më shumë me tifozë shqiptar, jam shumë i sigurt që do ta mbështesin skuadrën, do të jenë një vlerë e shtuar. Ai muri i verdhë do të jetë mur i kuq. Uroj që të gjithë ata që do të jenë në stadium ta shijojnë, uroj që skuadra t’i kënaqë më shumë me rezultat se sa me lojë.

    President, sporti, mbi të gjitha Kombëtarja, bashkon shqiptarët kudo në botë. Përveç ish futbollistëve, a do këtë të ftuar të tjerë VIP, kryeministri Rama, apo Albin Kurti… Ramën e kishit pranë edhe në finalen e Champions League?
    Ne kemi ftuar të jenë pjesë e ndeshjes hapëse me Italinë të gjithë ish lojtarët e kombëtares, ish trajnerët, anëtarët e FSHF-së. Padyshim që në stadium do të jetë edhe kryeministri Rama, një pjesë e kabinetit, Ministria e Arsimit, Manastirliu, Taulant Balla, Ministri i Brendshëm, e shumë të tjerë. Kryeministri i Kosovës dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës do të jenë në ndeshjen e dytë me Kroacinë, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të jetë në ndeshjen e dytë. Do të ketë shumë mbështetje, por mbështetja më e madhe do të jetë e murit kuqezi.

    Tani, pasaportat diplomatike i morëm përpara Europianit, edhe Silvinjon e bëmë shqiptar. Prisni ndonjë dhuratë tjetër nga Qeveria, kam përshtypjen se politika është në borxh me sportin…
    Silvinjo është një nga figurat, ai është histori për futbollin shqiptar, për atë që ka kontribuar. Ai po vazhdon të bëjë mirë, unë pres nga qeveria Ligjin e Sponsorizimit dhe pasaportat diplomatike. Klubet kanë nevojë për më shumë financa. Kemi edhe premtimin e Ligjit të Basteve, që një pjesë e tyre duhet të kalojë për futbollin dhe sportin në përgjithësi. U tha që do kenë mundësi klubet për reklama, por që në fillim u përjashtuan.

    President kemi realisht një objektiv të qartë në këtë grup?
    Në çdo ndeshje do futemi për të fituar, këtë e kam gjithë kohën. Në çdo ndeshje do hyjmë për të fituar. Ne të gjitha ndeshjet, unë ju them se nuk kemi ardhur vetëm për turizëm. Unë e di realitetin. Objektivi jonë është që të kalojmë grupin e pastaj të shikojmë sesi do shkojnë gjërat. Unë jam me këmbë në tokë, por natyrisht që kemi një objektiv.

    Ndryshe nga Italia, Kroacia dhe Spanja duken në top formë. Kujt i druheni më shumë, apo cili është ai skenar që i druheni më shumë?
    Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Miqësorja, ndryshon nga eliminatorja, apo edhe nga ndeshjet e grupeve. Tani jemi në turne dhe do të shikojmë sesi do shkojnë gjërat. Të 23 kundërshtarët janë skuadra me nivel, sepse kanë kaluar pengesa për të ardhur këtu. Nuk mund të them kush është më i fortë edhe më i dobët. Askush nuk ka arritur rastësisht këtu.

    President, Spanja nuk priti Europianin për të bërë publike rinovimin e kontratës me De La Fuente. Po në çfarë presim, besoj keni diskutuar edhe për këtë, a keni gjetur një akord final?
    Ne jemi të fokusuar te Europiani. Nuk e kam dëgjuar këtë lajmin për De La Fuenten. E kemi shprehur me kohë dëshirën tonë në lidhje me Silvinjon. Pastaj, duhet të jetë edhe ai vetë që të na tregojë dëshirën e tij. Marrëveshja është dypalëshe, jo njëpalëshe.

    President, nëse kalojmë grupin, keni menduar për një premio, besoj e keni menduar edhe këtë?
    Jemi një nga federatat që kemi dhënë më shumë bonuse së të tjerët. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe në Europian, nëse do kemi rezultate pozitive. Ajo që i motivon lojtarët është fanella dhe flamuri.

    Në rrjetet bëhet shumë parashikime, algoritme. Ju si një financiar, i njihni mirë shifrat. Me jep një parashikim, një konfigurim të grupit…
    Shqipëria e para, Italia e dyta, Spanja e treta.

    E fundit, të vjen keq që Cikalleshi nuk është atje me ju? Të vjen keq për Uzunin, që aq shumë e priste këtë Europian…
    Më vjen keq për çdo lojtar që ka kontribuar dhe që nuk i është dhënë mundësia që të jetë me ne. Ky është futbolli, nuk t’i realizon gjithmonë pritshmëritë. Këtë situatë kam përjetuar edhe në vitin 2016. Ka mërzi kur nuk grumbullohesh, ka mërzi edhe kur je në pankinë, ka mërzi nuk merr asnjë minutë. Të jesh pjesë e një Kampionati Europian është një objektiv madhor. Më vjen keq për ata që nuk janë, Uzuni, Cikalleshi, Bare, e pse jo edhe Veseli. Kryesorja është të jemi të fokusuar, duhet ta inkurajojmë grupin. Unë, sido që të shkojë, jam krenar për këtë skuadër.