Çfarë ndodhi? SPAK kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur (Emri)

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 6 maj me konkluzionet në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj. Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në fillim të seancës për bisedimet përfundimtare, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se subjekti me shpjegimet dhe provat e dorëzuara nuk arrin të vërtetojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

Advertisements

Sipas Brahos, gjyqtari Hajredinaj gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Ai kërkoi gjithashtu, konsiderimin e disa gjetjeve për pasurinë dhe profesionalizmin në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Advertisements

Qëndrimet e Brahos u kundërshtuan nga Hajredinaj nëpërmjet përfaqësues së tij ligjore, avokates Romina Zano. Ajo konstatoi se shkaqet e ankimit në kriterin e pasurisë lidhen me aspekte formale të deklarimit dhe me të ardhura të krijuara përpara fillimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti.

Sipas Zanos, këto elemente nuk mund të cenojnë besueshmërinë e subjektit. Ajo theksoi se verifikimi i pasurive duhej të ishte interpretuar prej Komisionerit nën dritën e ligjit dhe praktikës së Kolegjit, duke konsideruar dhe parimet e proporcionalitetit dhe drejtësisë materiale, prej nga arihet në përfundimin se Hajredinat arrin nivel të besueshëm.

Gjyqtari Artan Hajredinaj u konfirmua në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e tij për konstatimet e hetimit paraprak lidhur me pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK për Hajredinajn duke ngritur shkaqe në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.

Para se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter dhe përmbarues. Ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë nëntë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Hajredinaj ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 113.1 m2 në Tiranë, të fituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2006 për çmimin 45 mijë euro dhe 30 mijë euro të shpenzuara për punime e mobilim. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat si noter, nga shitja e një toke-vreshtë dhe një kredi.
Sipas prokurorit Braho, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e konstatimeve për deklarimet kontradiktore të vlerës së kësaj pasurie, si dhe për pamundësinë e burimeve financiare. Ai theksoi se subjekti ka bërë deklarime kontradiktore dhe për destinacionin e kredisë. Kjo, pasi vlera e kredisë ka kaluar në llogarinë e administratorit të shoqërisë për pagesën pe apartamentit të Hajredinajt, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se shuma e përfituar nga kredia bankare është tërhequr dhe poseduar në cash nga ai vetë, duke e përdorur për rikonstruksion e mobilim.

Braho u shpreh se subjekti ka paraqitur situata të ndryshme lidhur me këtë pasuri dhe kërkoi që ky element të konsiderohet në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut. Ai shtoi se nuk mund të konsiderohen të ardhurat nga shitja e vreshtave, pasi subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e blerësit. Avokatja Romina Zano konstatoi se subjekti e ka lidhur kontratën sipërmarrjes në vitin 2006, në një kohë kur ushtronte funksionin e noterit dhe ende nuk ishte emëruar gjyqtar. Sipas saj, Hajredinaj e ka deklaruar në mënyrë të plotë dhe të saktë këtë pasuri në deklaratën veting, ku është pasqyruar vlera totale e investimit prej 75 mijë euro si dhe zërat përkatës. Për shkakun e ngritur nga Komisioneri për mospërputhje mes deklarimit të parë të subjektit, atij të vitit 2008 dhe në atë veting, Zano shpjegoi para Kolegjit se në 2008-ën është shënuar vlera totale e investimit prej 65 mijë euro, pa veçuar çmimin me shpenzimet e mëvonshme. Ajo nënvizoi se është deklarata venting që përmbush qëllimin e procesit të rivlerësimit, për të qartësuar pasuritë e krijuara në vite, si edhe formën e deklarimeve të mëparshme. Avokatja theksoi se sqarimet e detajuara të subjektit në deklaratën veting janë bërë me vullnet të mirë prej tij.

Lidhur me pretendimin e Komisionerit për moskonsiderimin si burim për apartamentin të të ardhurave të fituara nga shitja e vreshtave, Zano vërejti se ky pretendim është ngritur pa u mbështetur në analizë të plotë të provave të depozituara.

Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit, Zano argumentoi se pasuritë e krijuara para detyrës duhet të vlerësohen në mënyrë objektive dhe se ato nuk mund të konsiderohen a priori të dyshimta. Sipas saj, të ardhurat nga shitja e tokës janë të ligjshme dhe duhen konsideruar si burim për krijimin e pasurive të mëvonshme.

Prokurori Klodian Braho deklaroi se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit as për disa njësi në Bajram Curri.

Hajredinaj ka deklaruar të ardhura nga shitja e ktyre njësive. Gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut, subjektit iu kalua barrë prove për pamundësi për investimet e kryera në këto pasuri, për mosdeklarimin e tyre në vitin 2009, si dhe për deklarime të pasakta e të paplota në vite e gjatë procesit lidhur me sipërfaqet e tyre dhe burimin e krijimit. Po ashtu, u konsiderua e paqartë arsyeja e dhurimit të dy njësive një shtetasi tjetër në vitin 2016, rreth 7 vjet pas regjistrimit të tyre.

Subjekti i kundërshtoi gjetjet e KPK duke shpjeguar se veprimet ishin kryer në kohën kur ishte noter. Sipas tij, njësitë egzistonin dhe se kishte kryer vetëm një shtesë. Po ashtu, sqaroi se personi të cilit i kishte dhuruar njësitë në vitin 2016, kishte hequr dorë nga pasuritë me qëllim që të realizohej leja ndërtimore, por se ai kishte qenë gjithmonë pronari de facto i dy njësive që i kishte dhuruar. Pretendimet e Hajredinajt për këtë pasuri që u gjetën të besueshme nga Komisioni, u ankimuan me argumentin se subjekti kishte kryer deklarime kontradiktore dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për vlerën dhe kohën e investimit.

Braho argumentoi të martën se vlera e shpenzimeve për investimet në këto pasuri, të deklaruara nga subjekti, janë ndjeshëm më të ulta se kostoja reale. Sipas tij, deklarimet e Hajredinajt, në mungesë të akteve, mbeten të paprovuara.

Po ashtu, Braho tha se mbeten të paprovuara me dokumente ligjorë të kohës edhe dhurimi i dy njësive nga subjekti në favor të një personi tjetër. Në përfundim të parashtrimeve për njësitë, Braho tha se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Avokatja Zano theksoi se subjekti e ka blerë njësinë tregtare në vitin 2005, kur ushtronte funksionin e noterit. Ajo u shpreh se Hajredinaj për investimet e kryera në këto njësi, ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni urbanistik në fuqi. Sipas Zanos, subjekti ka paraqitur në institucionet e vetingut dokumentacion të plotë, si preventivin e punimeve, kontratën me shoqërinë ndërtuese, vendimin e KRRT-së, aktin e kolaudimit, si dhe akt ekspertimi.

Zano deklaroi se Komisioneri nuk kishte analizuar provat e dorëzuara, por ka përllogaritur kostot sipas reverencave të Entit Kombëtar të Banesave, prej nga ka arritur në një vlerë më të lartë të investimit. Ajo solli në vëmendje se nuk bëhej fjalë për ndërtim të ri, por për shtesë që nuk mund të ketë të njëjtën kosto.

Sipas avokates Zano, subjekti ka argumentuar në mënyrë të qëndrueshme se investimi është kryer me fonde të ligjshme të siguruara nga kursime, kredi të shlyera dhe të ardhura nga shitja e pasurive të tjera. Ajo theksoi se analiza e paraqitur prej Hajredinajt tregon aftësinë paguese për investimin e kryer.

Për pjesën e dhuruar, Zano argumentoi se janë paraqitur një sërë dokumentesh që provojnë se marrëdhënia ka qenë reale dhe transparente, që është motivuar nga nevoja për marrjen e lejes së ndërtimit.

Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin nga subjekti të përdorimit të një apartamenti në Bajram Curri, pasuri në emër të motrës së tij. Hajredinaj ka shpjeguar se, në kushtet kur nuk kishte të drejta mbi këtë pasuri, si dhe nuk gjendej përpara aktit të shitjes, dhurimit apo marrëdhënies së huasë, ka konsideruar se e kishte ezauruar deklarimin e përdorimit të kësaj pasurie duke përcaktuar vetëm adresën e deklarimit në gjendje civile.

Prokurori Braho deklaroi se subjekti nuk e provoi të kundërtën e gjetjeve për këtë apartament. Sipas tij, subjekti nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie. Ai shtoi se deklarimet e Hajredinajt janë kontradiktore dhe se edhe në këtë rats gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Për mosdeklarimin në deklaratën veting të këtij apartamenti, subjekti sqaroi se nuk gjendej në posedim apo përdorim, pasi në atë periudhë ishte zhvendosur në Tiranë. Sipas Zanos, adresa e deklaruar në deklaratën veting përkon me adresën e regjistruar në gjendjen civile, si edhe me të dhënat e deklaruara në pyetësorin standard. Ajo shtoi se është shënuar qartë periudha e qëndrimit në apartamentin në Bajram Curri, nga marsi i vitit 2007 deri në mars të 2017-ës. Zano argumentoi se përdorimi kishte marrë fund para datës së deklarimit dhe nuk ekzistonte një marrëdhënie e vazhdueshme posedimi që të detyronte deklarimin. Ajo nënvizoi se nuk rezulton asnjë përfitim i karakterit pasuror prej subjektit në lidhje me këtë pasuri, si dhe rezulton që të jetë tjetërsuar në vitin 2018.

Prokurori Braho paraqiti konkluzionet dhe për një apartament tjetër në Shëngjin, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka prenotuar për vëllain në vitin 2007. Kontrata e shitblerjes është nënshkruar nga i vëllai. Hajredinaj ka shpjeguar se e ka përdorur këtë banesë gjatë pushimeve verore.

Braho vërejti se subjekti e ka nënshkruar kontratën e pasurisë si zotërues i këtij apartamenti dhe së paku ka bërë deklarim të pasaktë. Sipas prokurorit të SPAK, konfuzioni i KPK lidhur me këtë pasuri nuk është në frymën e ligjit për vetingun e magjistratëve dhe kërkoi që shkaku i ngritur të konsiderohet në vlerësimin tërësor.

Avokatja Zano konstatoi se subjekti e ka nënshkruar kontratën e sipërmarrjes në vitin 2007, për shkak të mungesës fizike të vëllait të tij në Shqipëri. Sipas saj, ky veprim është kryer me dijeni e miratim të vëllait, ndërkohë që nuk ka rezultuar asnjë e drejtë juridike ose përfitim pasuror në favor të subjektit.

Zano solli si argument faktin se megjithëse subjekti ka parapaguar një pjesë të shumës tek ndërtuesi, është rimbursuar pas 10 ditësh përmes një transferte bankare nga ana e bashkëshortes së vëllait, e cila është shtetase angleze. Ajo konstatoi se kjo transfertë është e dokumentuar dhe përmban shënimin se është për blerje shtëpie për pushime. Në vijim, Zano sqaroi se subjekti e ka përdorur këtë apartament vetëm në disa periudha pushimi. Sipas saj, vëllai i Hajredinajt nuk është person i lidhur e për rrjedhojë subjekti nuk ka detyrim ligjor për të justifikuar pasurinë e tij. Megjithatë, avokatja Zano tha se vlera e pasurisë është e justifikuar me të ardhurat e dokumentuara të vëllait dhe të bashkëshortes së tij, nga puna në Mbretërinë e Bashkuar.

Komisioneri ka ngritur si shkak mosdeklarimin në deklaratën e parë të pasurisë të një kredie në vlerën 3 milionë lekë, të marrë në vitin 2005. Zano sqaroi se kjo kredi është marrë për rikonstruksionin e një njësie tregtare dhe është shlyer plotësisht para datës së dorëzimit të deklaratës para fillimit të detyrës në mars të vitit 2008. Ajo u shpreh se kredia nuk përbënte detyrim në momentin që duhej të plotësonte deklaratën para fillimit të detyrës dhe për rrjedhojë nuk përbënte detyrim ligjor për ta deklaruar. Zano shtoi, se subjekti për të qenë transparent dhe bashkëpunues e ka deklaruar këtë kredi në mënyrë të vullnetshme në vitin 2014, duke paraqitur burimin, vlerën, si dhe qëllimin e përdorimit të saj.

Sipas prokurorit Braho, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për gjendjen cash. Në ankim, u pretendua se Hajredinaj ka mospërputhje në pasqyrimin e gjendjes cash, duke ngritur dyshime mbi ekzistencën dhe burimin e kësaj gjendjeje monetare. Braho tha se dhe në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku në Kolegj, subjekti nuk ka aritur të provojë të kundërtën.

Zano deklaroi se subjekti ka sqaruar se kursimet cash janë deklaruar në mënyrë të vazhdueshme ndër vite, si dhe në deklaratën veting. Sipas saj, pretendimi për mospërputhje të gjendjes cash mbetet në nivel formalisht teknik dhe nuk përmbush standardin e ngritjes së një dyshimi të arsyeshëm.

Prokurori Braho tha se subjekti ka marrë vendime për ulje dënimi të të dënuarve, në kundërshtim me ligjin. Ai vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e gjetjeve për këto vendime, si dhe për çështje të tjera ku janë konstatuar mangësi në drejtim të njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor. Sipas Brahos, gjetjet afektojnë indikatorët e aspektit profesional.

Përfundimisht, prokurori Klodian Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Artan Hajredinaj.

Sipas avokates Zano, vendimarrjet e subjektit janë marrë në kushte të një ngarkese të lartë pune, si dhe janë të mbështetura në ligj e në prova. Ajo vërejti se vendimarrjet e ndryshuara nga Gjykata e Apelit nuk janë përsëritëse. Zano theksoi se mospërputhjet e qëndrimeve në shkallët e ndryshme të gjyqësorit, nuk mund të tregojnë paaftësi. Ajo solli në vëmendje se vendimarrjet e subjektit janë prishur nga Apeli për shkak të marrjes së provave të reja.

Gjyqtari Artan Hajredinaj deklaroi në fund të seancës se ka qenë gjithmonë i përgjegjshëm në ushtrimin e detyrës dhe se ka zbatuar vetëm ligjin. Ai tha se edhe nëse mund të ketë gabuar ndonjëherë, nuk kanë qenë asnjëherë të qëllimshme apo përsëritëse. Në përfundim ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 maj, në orën 15:00./ BIRN