Çfarë po ndodh me euron? Pëson rënie dhe merr ‘goditjen’ më të madhe në historinë e këmbimit valutor

by editor

Kursi i këmbimit të euros me lekun e ka nisur edhe këtë javë në rënie të shpejtë dhe tashmë ka arritur pranë kufirit të 108 lekëve.

Advertisements

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 108.18 lekë, duke prekur një minimum të ri historik. Kursi i euros ka pësuar rënie me 5.3% që nga fillimi i këtij viti dhe me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Advertisements

Agjentët e tregut të këmbimit valutor e shpjegojnë rënien e euros me një efekt gjithmonë e më të fortë të sezonit turistik. Pritshmëritë janë që këtë vit hyrjet e turistëve të huaj të shënojnë rekorde të reja historike dhe me bashkë me ta edhe flukset hyrëse të monedhës europiane.

Sipas ekspertëve, një lloj ndikimi në këtë situatë ndoshta po jep edhe efekti psikologjik. Mbështetur në të dhënat historike, tendenca rënëse e euros pritet të vazhdojë gjatë verës dhe efekti sezonal mund të arrijë pikën kulmore në fillim të muajit gusht. Kjo pritshmëri mund të shtyjë nga njëra anë për të shitur euro para zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane dhe nga ana tjetër në pritje për të blerë euro, kur kursi të ketë rënë edhe më shumë.

Advertisements

Kursi i euros jo vetëm që ka arritur pikën më të ulët historike, por edhe ritmet e rënies së tij janë më të shpejtat e regjistruara ndonjëherë.

Duket se vala e radhës e forcimit të lekut ndaj euros po zhvendos kursin e këmbimit drejt niveleve të reja, të vështira për t’u parashikuar tashmë. Vitin e kaluar, në periudhën mes fillimit të qershorit dhe fillimit të gushtit euro pësoi një rënie me 3.5% të vlerës në kursin e këmbimit me lekun.

Duke simuluar një rënie në përmasa të ngjashme edhe për këtë vit, kursi i euros deri në fund të gushtit do të arrinte pranë nivelit të 104.5 lekëve. Megjithatë, ritmet e rënies së euros qysh para sezonit veror kanë qenë shumë më të shpejta, ndërsa efekti sezonal mund të jetë edhe më i fortë, edhe për shkak të pritshmërive të krijuara për turizmin.

Forcimi i lekut në kursin e këmbimit do të ketë një efekt negative mbi sektorin turistik, duke sjellë rënie të fuqisë blerëse të valutës së turistëve të huaj dhe ndoshta do të tkurrë një pjesë të fitimeve të pritura nga rritja e numrit të vizitorëve. Një efekt i ngjashëm po ndihet gjithnjë e më shumë në sektorët eksportues të ekonomisë, sidomos në ato aktivitetet ku rritja e çmimeve mund të jetë e vështirë, pa humbur në konkurrueshmëri.

Ndërkohë, forcimi i lekut po sjell përfitime në rritje për atë segment të ekonomisë që ka të ardhura në monedhën vendase dhe shpenzime në euro. Këtu përfshihen importuesit, prodhuesit që punojnë me lëndë të para importi, huamarrësit në monedhën europiane, etj.

Në teori, kjo situatë duhet të përkthehet tashmë në një ulje të çmimeve të mallrave të konsumit të importuara. Por, nga ana tjetër ky përfitim mund të shkojë për të mbuluar kostot në rritje të forcës së punës e ndoshta edhe për të rritur fitimet e biznesit, sidomos në tregjet me probleme të funksionimit të konkurrencës.

Një efekt padyshim pozitiv forcimi i lekut po jep për rritjen e fuqisë paguese të huamarrësve në valutë të huaj dhe në ruajtjen e parametrave cilësore të kredisë për ekonominë, të paktën në këtë segment të portofolit. MONITOR

You may also like