Çmenduria e betonit/ 1.5 milion metra katrorë ndërtime të reja në Tiranë

by editor

Të dhënat e censit, që konfirmuan se në Tiranë janë mbi 50 mijë banesa të boshatisura duhej ta kishin ndalur valën e shfrenuar të betonit mbi kryeqytet. Por të dhënat e Instat tregojnë të kundërtën.

Advertisements

Nga janari në shtator këtë vit janë dhënë 380 leje, për një sipërfaqe rekord, prej 1.5 milion metra katrorë të tjerë ndërtime.

Advertisements

Një vit më parë, nga janari në shtator 2023, kjo sipërfaqe ndërtimi prej 1.5 milion metra ishte dhënë leje për të gjithë Shqipërinë.

Shfrenimi i investimit në tulla dhe beton ka parë një vrull të pajustifikuar vitet e fundit, që nuk gjen shpjegim as nga emigrimi i popullsisë drejt Tiranës. Sipas censit, nga viti 2011 deri në 2023, Tirana u shtua me vetëm 40 mijë banorë, ndërkohë që vitet e fundit është gënjyer duke thënë se Tirana rritet me mbi 20 mijë banorë çdo vit.

Dëmet në shëndetin e banorëve të Tiranës

Tirana konsiderohet një nga qytetet më të koracuara me beton. Mungesa e hapësirave të gjelbra, trafiku i rënduar dhe ndotja që krijohet kanë pasoja direkte mbi shëndetin e banorëve.

Disa muaj më parë, profesori Besnik Baraj, anëtar i Akademisë së Shkencave, prezantoi një studim për matjen e ndotjes së ajrit në Tiranë nga grimcat që qëndrojnë pezull në ajër dhe që janë aq të vogla saqë mund të depërtojnë në enët tona të gjakut. Këto grimca konsiderohen nga OBSH si të rrezikshme për shëndetin dhe shkaktojnë sëmundje të rënda si hemoragjitë cerebrale, kanceri, infarktet, etj.

Matjet në rrugët kryesore të Tiranës, tregonin prezencën e këtyre grimcave disa herë më shumë se sa vlera e rekomanduar nga OBSH që është 5 mikrogram për metër kub.

Pranë lokaleve prania e grimcave vlerësohej në 33.6 në 92.6 mikrogram/m3, ndërsa në qendrat tregtare në vendet e parkimit vlerat ishin në nivele kritike, deri në 352 mikrogram/m3.

“Këto matje i kam kryer nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 10:00 të mëngjesit, në objektet ku njerëzit ulen buzë lokaleve. Ishte ditë e thatë. Vlerat janë shumë të mëdha. Janë shumëfish nga rekomandimi i OBSH”, – tregoi Baraj.

Nga studimi i Bares rezultoi se ajri që thithim në Tiranë është minimumi 7 herë dhe maksimumi 18 herë më i ndotur se një mesatare, që merret si njësi matëse nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pavarësisht se profesori kishte bërë matje edhe në orën 03:00 dhe 05:00 të mëngjesit në rrugët e Tiranë, asnjëherë nuk kishte gjetur nivele të 5 mikrogram/m3, që është norma normale sipas OBSH.

Paratë e krimit si burim i financimit të ndërtimeve

Mbi 1.5 milion metra katrorë ndërtime që shtohen vetëm në një vit në Tiranë, supozohet të pasohen me uljen e çmimeve të apartamenteve në mënyrë të ndjeshme. Në fakt, ndodh e kundërta.

Çmimet mbeten të larta dhe në mënyrë të çuditshme, po aq lart qëndron edhe kërkesa për të blerë pasuri të paluajtshme.

Ekonomistët thonë se një fenomen i tillë jashtë logjikës ekonomike i dedikohet kryesisht parave të pista që kthen në Shqipëri krimi i organizuar.

Pak ditë më parë kreu i SPAK, Altin Dumani pranoi se nga një analizë që i është bërë grupeve kriminale të organizuara me fuqi financiare, është dalë në përfundimin se investimi më i preferuar është ndërtimi.

“Fusha më e preferuar është investimi në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, hoteleri etj. Kemi sekuestruar 6 milionë euro kesh gjatë këtij viti”, u shpreh Dumani.

Si shembull vjen në ndihmë operacioni i fundit i SPAK kur u godit banda e Suel Çelës që vepronte në Elbasan. Nga përgjimet e SKY ECC del se banda u përfshi në transportin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine dhe kishte lidhje të forta politike në nivelet më të larta të pushtetit.

Madje motra e dy prej antarëve më të rrezikshëm të kësaj bande, Marsel dhe Xhino Roka rezultoi të jetë në postin kyç të lejeve të ndërtimit në Shqipëri, si drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama.

Burime të pakonfirmuara tregojnë se në shtëpinë e vëllezërve Roka, oficerët e BKH-së gjetën një bllok shënimesh ku mbahej një regjistër i të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna vitet e fundit, bashkë me shënime sqaruese për këto leje. Por ndërsa ka nisur hetimin pasuror të Suel Çelës, lidhjet e tij politike SPAK nuk i ka prekur./ Lapsi.al

You may also like