Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, me anë të një postimi në rrjetet sociale, theksoi se disa ngjarje, një ndër to ajo e Pogradecit, manipulohen me qëllim që të goditet Policia e Shtetit.
Advertisements
Për këtë ka reaguar ashpër edhe motra e Egli Progës, i riu i cili u dhunua për vdekje dhe policia shtrembëroi e fshehu faktet.
Advertisements
Jonida Proga duke iu drejtuar ministrit Ervin Hoxha shprehet se “ti ministër me ofiqe shteti s’mund të tallesh me vëllanë tim nën dhe, sikur ai nuk u vra nga një bandë kriminelësh, sikur Egli nuk u masakrua nga një bandë gjobëvënësish, nga një bandë me lidhje në polici, nga disa banditë me lidhje në drejtësi, me njerëz deri lart në qeveri”.
Më tej ajo thekson se policia e Hoxhës dhe e Rrumbullakut përdhosi kujtimin e vëllait të saj në gusht, kur shtrembëroi dhe fshehu faktet.
“Ti, me paturpësi të pajustifikueshme, shkruan dhe e bën përsëri sot”- thekson ajo.
Reagimi i plotë:
Dy fjalë për Ministrin e Brendshëm
Ti, Ervin Hoxha, që përdhos “ngjarjen e Pogradecit” bashkë me vëllanë tim, lexo dy fjalë nga motra e Egli Progës, që vajton çdo ditë për të. Që kërkon drejtësi!
Ti, Ervin Hoxha, ministër me ofiqe shteti s’mund të tallesh me vëllanë tim nën dhe, sikur ai nuk u vra nga një bandë kriminelësh, sikur Egli nuk u masakrua nga një bandë gjobëvënësish, nga një bandë me lidhje në polici, nga disa banditë me lidhje në drejtësi, me njerëz deri lart në qeveri.
Policia jote dhe e Rrumbullakut përdhosi kujtimin e vëllait tim në gusht, kur shtrembëroi dhe fshehu faktet. Ti, me paturpësi të pajustifikueshme, shkruan dhe e bën përsëri sot.
Policia jote nuk i kapi kriminelët Denis Meçe, Arjan Manellari, Leonidha Guçe dhe Voltan Shkulaku kur masakruan vëllanë tim. I la të lirë të iknin.
Policia jote nuk izoloi vendin e ngjarjes, por i la që provat të pastroheshin dhe zhdukeshin bashkë me to edhe autorët deri pas mesnate, kur u dorëzuan vetë me negociatorë ‘nga lart’.
Policia jote nuk e gjeti maskarain Denis Meçe derisa atij i doli gjumi dhe e dorëzoi në polici daja i tij, maskarai tjetër me lidhje politike. Valter Gora quhet, a e njeh?
Policia jote (të paktën njëri inspektor policie) e Pogradecit është e akuzuar nga prokuroria për atë që ti e quan “dallgë e madhe dezinformimi”. Unë do akuzoj më shumë se një polic, shumë shpejt.
Policia jote dështoi në mënyrë të turpshme për kapjen në flagrancë të kriminelëve kur kjo u pa live në TV (si iku me makinën e krimit në sy të policëve Arjan Manellari?), ndërsa ti tentove atëherë dhe vazhdon sot të njëjtin avaz mashtrimi.
A mos po tenton të ushtrosh ndikim të paligjshëm me këtë deklaratë ndaj atyre që po bëjnë hetimin ti, Ervin Hoxha?
Një vrasje që ndodhi në sy të Policisë që ti mbron, është një vrasje që të implikon ty nëse nuk bën kthesë ligjore për të bashkëpunuar me prokurorinë dhe nuk bën kthesë publike për t’i kërkuar falje të gjithëve për këtë dezinformim të poshtër. Ata ishin një bandë gjobëvënësish që pogradecarët kanë frikë të tregojnë vetëm se ti dhe shokët e tu i mbroni me këto deklarata të ngrohta për ata.
Ty dhe Rrumbullakut që mendon se shpëtoi nga deklarata e datës 14 gusht, duke ikur fare nga Policia, ju siguroj se të gjithë ata që vranë vëllanë tim, katër janë në burg dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan në vrasjen e tij me fshehjen e provave dhe që e dhunuan kujtimin e tij pas vdekjes, nuk do kenë paqe për sa kohë unë jam e gjallë.
Në fund, kam një pyetje për ty si njeri e jo si ministër. Nëse një njeri shumë i dashur, do të masakrohej në një lokal nga katër banditë, çfarë do bëje, nëse ata nuk do kapeshin nga Policia, por do liheshin të iknin live nga vendi i krimit?
Nëse ti nuk vendos të përgjigjesh, do të përgjigjem unë pa vonesë ligjërisht.