Dënohet me burg kryebashkiaku i Rrogozhinës

Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO), ka dënuar me një vit burg kryebashkiakun e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Sipas vendimit të shpallur, Memolla ka ndikuar në procesin e votimit gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të datës 6 mars 2022, duke kërkuar favore në këmbim të shërbimeve dhe punësimeve në administratën lokale.

Advertisements

Në të njëjtin vendim, është dënuar edhe Blerim Xhamani, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, i cili u dënua gjithashtu me një vit burg.

Advertisements

Xhamani, në detyrën e tij si elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, dyshohet se ka shpërdoruar pozitat për të ndikuar në votën e një abonenti debitor, duke mos i ndërprerë energjinë elektrike në këmbim të mbështetjes në zgjedhje.

Rasti ka nxjerrë gjithashtu në pah falsifikimin e dokumenteve të energjisë elektrike, ku Xhamani dhe Isuf Tosku, i akuzuar po ashtu për shpërdorim detyre, paraqitën të dhëna të rreme në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë.

Ky dënim vjen si pjesë e hetimeve të nisura nga SPAK, që po lufton korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Dënimet ndaj Memollës dhe Xhamanit, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin e qytetarëve mbi integritetin e zgjedhjeve dhe administratës lokale.