Prej një jave, opinioni publik është i tronditur për ngjarjen e rëndë dhe të paprecedentë të ndodhur në mes të qytetit të Pogradecit. Ndërkohë që institucionet përgjegjëse, lokale dhe ato shtetërore u përfshinë në një betejë deklaratash, duke marrë secili në mbrojtjen institucionin e vet, ekspertët e fushë së drejtësisë duket se janë më të qartë në gjithçka që solli edhe përballjet e pakuptimta institucionale për rastin e vrasjes së Eglantin Progës.
Advertisements
Ekspertët janë shprehur një zëri kundër mënyrës se si është hetuar ngjarja deri në fazën e daljes së autorit për masë sigurimi në gjykatë, ndërkohë që sipas tyre, prokurorja e çështjes ka lënë në duar të një inspektori policie krejt hetimin e aktit. Sipas avokatit Kujtim Ibraj, prokurorja që ka hetuar çështjen ka shpërdoruar detyrën, ndërkohë mjaft i ashpër me institucionet lizgjzbatuese ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.
Advertisements
Ai tha për emisionin ‘Opinion’ se ngjarja mund të jetë fshehur edhe nga frika që kanë njerëzit prej personave të caktuar që veprojnë në qytet, ndërsa ka shtuar se sistemi i drejtësisë dhe policia kanë probleme të shumta. E në fakt, problemet, që nga momenti se si u raportua vdekja e 42-vjeçarit, e deri te seanca e përcaktimit të masës së sigurimit, dëshmoi që jo vetëm që nuk është hetuar çështja, por madje u la të kuptohej se vrasësi ishte një person i marrë në mbrojtje nga të gjitha palët.
Edhe pse Policia tha se e kishte referuar ngjarjen si ‘vrasje me dashje’, kryepolici i vendit, në një dalje publike saktësoi se autori e viktima nuk njiheshin njëri me tjetrin. Por ishte e kundërta, ata njiheshin dhe madje i lejonin njëri-tjetrit edhe shakatë. Ose të paktën ky eshët versioni i dalë nga dëshmia e të zotit të lokalit ku ka ndodhur edhe vrasja, ndonëse, u duk se i ndjeri humbi jetën pasi u rrëzua në anë të rrugës.
Advertisements
REAGIMI I AVOKATIT IBRAJ
Në rubrikën “Opinion” në “News 24”, avokati Kujtim Ibraj, duke folur për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, ngjarje e ndodhur në Pogradec, tha se ishte një ngjarje tragjike dhe nëse institucionet do të ishin në zbatimin e ligjit, do të ishte tashmë e zbardhur plotësisht. Ibraj tha se lidhur me këtë ngjarje për shkak se institucionet ligjzbatuese nuk kanë zbatuar ligjin ka një seri shkeljesh procedurale. Ai tha se për një ngjarje kaq tragjike Prokuroria e Korçës nuk mund t’ia lërë ngjarjen një inspektori policie.
“Është prokurorja, në rastin konkret, që udhëheq të gjithë veprimet hetimore. Unë nuk e kuptoj se si prokurorja ka lënë në heshtje të gjithë këto veprime”, tha Ibraj.
Ai u shpreh se ndërsa Policia e ka referuar veprën si “vrasje me dashje”, shkon Prokuroria në Gjykatë dhe e klasifikon në “vrasje nga pakujdesia”. “Si arriti Prokuroria në këtë konkluzion? Kemi një ndryshim tërësor për një vepër penale. Vrasja me dashje është 10 deri në 20 vjet burg, ndërsa vrasja nga pakujdesia është nga gjobë në 5 vjet burg. Sipas mendimit tim, Prokurorja është në shpërdorim të pastër të detyrës”, – tha Ibraj.
Në vijim ai u shpreh se nëse ky rast nuk do të zbardhej nga media, do të kalonte ashtu në heshtje, do të mbetej versioni që qytetari humbi jetën pasi ishte rrëzuar sepse ishte i pirë. “Si ka mundësi që Polici ndenji në vendngjarje rreth 30 minuta, dhe nuk njoftonte ambulancën. Si ka mundësi që nga vendi i ngjarjes deri në vendin që është nisur ambulanca janë vetëm 850 metra, si ka mundësi që kjo distancë bëhet për 7 minuta? Veprimet dhe mosveprimet janë të dënueshme, duhet të kemi të tjerë persona që duhet të vihen nën akuzë”, – tha Ibraj. Ai e konsideroi si një rast skandaloz atë që ka ndodhur në Pogradec.
“Si ka mundësi që të lihet në mes të një qyteti, 850 metra larg spitalit, të lihet në trotuar një qytetar dhe të vdesë”, – tha avokati.
REAGIMI I DEPUTETIT SULA
Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, në një intervistë me “Skype”, në “News 24” komentoi vrasjen e Egli Progës në Pogradec. Sula tha se përgëzon shoqërinë shqiptare për reagimin e shumtë në lidhje me rastin. Ai tha se ngjarja fillimisht mund të jetë fshehur, edhe për shkak të frikës nga persona që kanë pushtet në zonën e Pogradecit.
“Përgëzoj shoqërinë shqiptare për reagimin. Shpreh ngushëllime për familjen e viktimës. Policia dhe sistemi ynë i drejtësisë janë hallka të dobëta. Ngjarja mund të jetë fshehur nga frika e atyre që kanë pushtet në zonën e Pogradecit. Kishim dhe një ngjarje tjetër të rëndë në Durrës, ku një shef policie shantazhonte një biznesmen që t’i jepte para. Kjo tregon se sistemi ynë, policia e drejtësia, kanë shumë probleme”, – tha Sula.
HETIMET E MUNGUARA
Vrasja e Eglnatin Progës jo vetëm që nuk është zbardhur, por ende nuk është hetuar as në gjendjen fillestare. Janë një mori aktesh që duheshin kryer që ditën e parë dhe të nesërmen e krimit, në vendin e ngjarjes dhe jo vetëm, që në fakt nuk janë kryer as sot. Policia dhe as prokuroria, e për pasojë as materiali hetimor, ende nuk kanë një motiv se përse ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Po ashtu versioni i vetëm dhe real që ka shërbyer edhe për rikualifikimin e veprës penale bazohet në dëshminë e dhënë nga vetë autori i krimit, i cili është dorëzuar në komisariat rreth 8 orë pas kryerjes së krimit dhe madje në prani të avokatit, ku dëshmia e tij mund të jetë edhe një leksion i mësuar mirë në lidhje me mënyrën se si do ta paraqiste situatën para oficerëve të policisë gjyqësore. Policia dhe as prokuroria, referuar vendimit të gjykatës, nuk kanë bërë të mundur hapjen e telefonit të të ndjerit, ndërkohë që ende nuk janë marrë në pyetje familjarët e viktimës.
Lënia në detyrim paraqitje e tre dëshmitarëve okularë të ngjarjes dhe marrja nën hetim e një inspektori policie, nga ana e prokurores së çështjes ka bërë që zhurma e përballjeve publike mes institucioneve të zëvendësojë nevojën për hetim të hollësishëm të çdo detaji dhe dëshmie që vjen nga vendi ku ndodhi edhe vrasja e babait të dy fëmijëve. Po ashtu, ende nuk janë mësuar rezultatet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, nga ku pritet të dalin në pah edhe shkaqet e vdekjes së 42- vjçarit, Eglantin Proga