Deputeti që punon në “të zezë” dhe fsheh pasurinë nga ILDKPKI, një hotel i regjistruar me niptin e veterinerit të qenve dhe maceve

by editor

Dëshironi të kaloni një mbrëmje të paharrueshme në Vlorë dhe nuk dini ku të akomodoheni? Zgjidhjen ju a japim ne. “Bee Hotel”, dhoma luksoze, komfort, deti fare pranë… relaks që s’ka të paguar. Ky spot i shkurtër publicitar që sapo bëmë, është një qokë për pronarin e këtij hoteli, i cili nuk është një person aq i panjohur, por përfaqësuesi i popullit të Vlorës në parlament nga radhët e maxhorancës, zoti Anduel Tahiraj.

Advertisements

Hoteli në pronësi të deputetit e ushtron aktivitetin e tij që nga viti 2023, fakt që e konfirmojnë edhe revieët që janë lënë nga pushuesit, por për më shumë se një vit, ai ka punuar i paregjistruar, si në Qendrën Kombëtare të Biznesit ashtu edhe në Drejtorinë Vendore të të Ardhurave Vlorë. Thënë shkurt e qartë, punë në të zezë, duke shmangur detyrimet dhe shkaktuar evazion fiskal në dëm të shtetit.

Advertisements

Për të dokumentuar sa thamë, në datën 30 gusht ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Tatimeve të Bashkisë Vlorë. Pesë ditë më vonë, në 4 shtator, institucioni kthen përgjigje se ky biznes, ushtron aktivitet me NIPT-in, që rezulton në emër të vëllait të deputetit, i cili që nga viti 2017 e deri para pak kohësh ka pasur si fushë veprimtarie “Farmaci dhe Klinikë veterinare”.

Një Hotel i regjistruar me niptin e shëronjësit të qenve dhe maceve. Kreativiteti zero. Por këtu nis e bukura, sepse deputeti ka sy e veshë kudo. Aq më tepër në bashkinë e Vlorës. Pasi ne dërguam shkresën, dhe nga bashkia po bënin gati përgjigjen, e cila na erdhi me 4 Shtator, magjia funksionoi dhe në 3 shtator, vetëm 1 ditë më përpara, hoteli i deputetit u regjistrua.

Por ne nuk mbarojmë dot kaq shpejt. Madje mund të themi se sa kemi nisur, sepse përveç evazionit fiskal, deputeti ka kryer edhe veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, bazuar në nenin 257/a, i kodit penal.

Në bazë të deklaratës që ka nënshkruar para se të merrte detyrën e deputetit, Tahiraj ka deklaruar se është pronar në pjesën 25% në këtë pasuri, ndërsa pasi mori detyrën, ai e kaloi në emër të prindërve.

Lidhur me këto akuza të dokumentuara, deputeti mohon kategorikisht të jetë pronar i hotelit dhe gjithashtu pretendon se nuk e njeh fare si emër “Bee Hotel”.

Deklarimi i pasurisë është një detyrim ligjor, që ka si qëllim të shmangë informalitetin, përdorimin e pozitës për qëllime personale, si dhe të mundësojë transparencë nga të gjithë qytetarët, duke ulur kështu rrezikun nga korrupsioni

Ndërsa fshehja e pasurisë, siç ju a thamë edhe më sipër, është vepër penale dhe si e tillë është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet. A do të zbatohet ligji në rastin e zotit Tahiraj?/ PIRANJAT

You may also like