Dëshmia/ Dumani tregon si i grabitën 30 ora dhe 8.3 kg ar një argjendari në Elbasan

Në GJKKO vijojnë seancat gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me ngjarje të ndryshme kriminale.

Advertisements

Gjatë seancës së kësaj të enjteje, avokatët patën mundësinë ta pyesin Dumanin mbi aktivitetin dhe lidhjet e tij me grupe kriminale.

Advertisements

I pari që e mori në pyetje ishte avokati Sokol Hazizaj, i cili e pyeti të penduarin e drejtësisë për vendbanimet e tij ndër vite.

Dumani: “Jam shpërngulur nga Dibra drejt Rrogozhinës, më pas në Durrës dhe kam lëvizur herë pas here. Në vitin 2020 kam marrë një apartament në Elbasan, përballë parkut.”

Në vijim të seancës, Dumani u pyet edhe për njohjen me Gentian Sharrën, një tjetër person i lidhur me grupet kriminale.

Avokati: “Nga e njihni Gentian Sharrën?”

Dumani: “E njoh nga Talo Çela që prej vitit 2010-2011. Ai kishte një lokal pranë shtëpisë së Talo Çelës në Bradashesh. Gjithashtu, kishte dhe një servis, ku kam qenë disa herë, si vetëm ashtu edhe me persona të tjerë.”

Sipas dëshmisë së Dumanit, ai dhe Sharra kishin bashkëpunuar në vjedhje dhe grabitje të ndryshme, përfshirë një grabitje të një argjendari në Elbasan në vitin 2011 ose fillimin e vitit 2012.

Dumani: “Në fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet. Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kemi kryer. Objektivi ishte një argjendar në Elbasan, u planifikua nga Gentian Sharra, i cili donte të merrte pjesë pasi ishte një shumë e madhe. Ditën e grabitjes, unë dhe Ilirjan Keci shkuam të parët. E goditëm viktimën në një parkim të një lagjeje të vjetër, teksa po shkonte drejt makinës së tij, një ‘Benz’ i vjetër. Më pas, Talo Çela dhe Sharra erdhën për të ekzekutuar pjesën tjetër të planit.”

Ku u diskutua plani për grabitjen?

Dumani: “Plani u bisedua në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë servisit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dykatëshe me çati dhe në atë kohë nuk kishte portë, por vetëm rrjetë.”

Si ishte viktima dhe si u krye grabitja?

Dumani: “Viktima ishte trupmbushur dhe më i gjatë se unë. Grabitja u krye në orën 07:00-08:00 të mëngjesit, gjatë një dite me shi. I morëm dy çanta, një blu e errët ose e zezë, nuk e mbaj mend saktë.”

A e mësuat emrin e viktimës?

Dumani: “Nuk e kam fiksuar, pasi nuk më interesonte.”

Çfarë kishte brenda çantave?

Dumani: “Në çanta kishte bizhuteri të ndryshme, mbi 30 ora dhe rreth 8.3 kg ar, pa llogaritur orët. Pas grabitjes, shkuam në shtëpinë e Talo Çelës dhe i zbrazëm sendet në papafingo. Hoqëm çantat për të shmangur ndonjë pajisje GPS.”

Si u larguat nga vendngjarja?

Dumani: “Atë ditë kishim një ‘Benz 2500’ me ngjyrë blu të errët. Shkuam dhe u kthyem me të njëjtën makinë. Po ashtu, kishim dhe dy mjete të tjera, një ‘Rover 75’ dhe një tjetër ‘Benz 2500’.”

Çfarë ndodhi me çantat e grabitura?

Dumani: “Çantat i hoqi Talo Çela, por nuk e di se ku i çoi.”