Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në seancën e djeshme në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.
Advertisements
Gjatë dëshmisë, Veliaj ka ngritur disa pikëpyetje të forta lidhur me arsyet që sollën arrestimin e tij të nxituar.
Advertisements
Veliaj i është drejtuar prokurorit të dosjes, Ols Dado, duke e akuzuar se e ka burgosur për arsye politike, në një kohë kur vendi po shkon në fushatë zgjedhore dhe ai është Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.
“Më burgosët në mes të fushatës dhe ky është një akt i pastër politik”, mësohet të ketë thënë Veliaj.
“Më nxorët me dhunë nga fushata. Por, unë jam më i lirë se ju sepse ju burgosjen e keni në kokë. Unë nga dritarja e qelisë time shikoj shkollën “Jeronim de Rada”, të cilën e kemi rindërtuar me Bashkinë e Tiranës, është një ndër mijëra veprat e mia, që kam bërë në këtë qytet. Kurse ju nga dritarja e zyrës tuaj shikoni burgun”, ka shtuar më tej ai.
Veliaj ka shprehur habinë edhe për arsyet e ndalimit të tij dhe se për këtë nuk ka pasur asnjë sqarim.
“Në 11 orë seancë, ende nuk e di pse kam arrest me burg; ende nuk e di pse jam këtu. Nuk ma keni shpjeguar”, ka thënë Veliaj.
Veliaj është shprehur se s’ka asnjë arsye që ai të mbahej në arrest me burg sepse nuk ka rrezikshmëri.
“Ku qëndron rrezikshmëria ime, që më mbani në burg? Që do dal e do hap çerdhe e kopshte? Ajo që i kam kërkuar oficerit gjyqësor është të mos e njoftojnë bashkëshorten time me sms intimiduese, por ta lajmërojnë sipas rregullave proceduriale, dhe kjo është marrë si kërcënim dhe ju më mbani në burg”.
Gjatë seancës gjyqësore paraprake që zgjati rreth 11 orë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u përball me prokurorin e çështjes, Olsi Dado, rreth mungesës së fakteve për arrestimin e tij.
Veliaj ka thënë se shifrat që SPAK ka publikuar në media janë të pavërteta dhe se ata kanë gërmuar në gjithë jetën e gruas së tij dhe të vetën, duke prodhuar tabela dhe shifra që nuk i përgjigjen realitetit:
“Familja e Ajolës është një familje e vjetër me emër në shoqëri, që ka pasur bizneset e saj që nga viti 1995 dhe nuk mund të abuzohet me të ardhurat e një familjeje dhe shpenzimet e saj, duke ia faturuar vajzës dhe dhëndrit.”
Ai iu referua edhe disa mesazheve të shkëmbyera me një prej agjentëve të BKH, i cili i kishte kërkuar me SMS që gruaja e tij të paraqitej në SPAK. Në këtë moment, prokurori Olsi Dado, duke ngritur zërin, i është drejtuar Veliajt me fjalët: “Je patologjik!”
Pas kësaj, Veliaj ka thënë se “ju e keni ndarë mendjen çfarë do bëni dhe e gjithë kjo seancë është formale. Fakti që gjyqtari po ju pyet në sytë tanë se ç’masë duhet të marrë, tregon qartë standartin e këtij gjykimi”.
Në orët e vona të 12 shkurtit 2025, pas më shumë se 11 orëve në GJKKO, ku u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurisë, gjyqtari Erion Bani vendosi të lërë në fuqi masën e ‘arrest në burg’ për Erion Veliaj, e biznesmenin Elman Abule ndërsa ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim me paraqitje’ për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. ‘Detyrim me paraqitje dha dhe për 5 biznesmenët në hetim si pjesë e kësaj dosjeje./ Shqiptarja.com