‘Ditën në punë dhe natën në burg’, Ministria e Drejtësisë propozon programin e ri për të dënuarit, ja se kush përfiton

Burgu i “Ali Demit” në Tiranë do të transformohet në një burg ‘hotel’, duke i mundësuar të dënuarve që kanë për të shlyer deri në 2 vite e 6 muaj burgim të punojnë gjatë ditës dhe të kthehen në burg gjatë natës.

Advertisements

Ky ndryshim po mbështetet nga Ministria e Drejtësisë, e cila po përgatit rregulloret përkatëse, dhe po diskutohet në Kuvend si pjesë e një reforme ligjore.

Advertisements

Deputeti Nasip Naço ka propozuar që të zgjerohet afati për përfitimin e kësaj të drejte, nga 6 muaj, siç parashikohej më parë, në 2 vite e 6 muaj. Drejtoria e Burgjeve e ka mbështetur këtë iniciativë, duke argumentuar se është një zgjidhje për mbipopullimin e burgjeve, një problem që përfshin aktualisht 1713 të dënuar dhe 2778 të paraburgosur.

Gratë që më parë qëndronin në këtë institucion janë transferuar në një burg të ri në Pogradec, duke i hapur rrugë riorganizimit të hapësirave. Debati politik për këtë ndryshim ka sjellë kundërshti nga opozita, e cila sugjeron që të dënuarit për korrupsion të mbulojnë vetë shpenzimet e akomodimit në këto burgje. Ndërkohë, reforma shihet si një hap drejt një modeli më fleksibël dhe të orientuar drejt integrimit shoqëror të të dënuarve.