Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arratisjen e Daut Lazës nga Burgu i Shënkollit, ku 49-vjeçari është larguar pas shfrytëzimit të momentit kur nuk kishte staf mjekësor pranë tij.
Advertisements
Sipas hetimeve paraprake dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, nuk ka pasur ndihmës nga persona të tjerë brenda burgut, por Laze ka përdorur një llamarinë për të kapërcyer murin e lartë 4 metra dhe më pas ka kaluar edhe rrjetën rrethuese.
Advertisements
Ai është larguar me vrap në arat fushore pranë burgut.
Policia po kryen kontrolle të shtrira në zonën përreth burgut të Shënkollit, në Lezhë, Tiranë, Çorovodë dhe qytete të tjera, duke kërkuar të gjejnë 49-vjeçarin, i cili ka një histori të çrregullimeve të shëndetit mendor.
Policia ka shpallur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacion që mund të çojë në kapjen e tij.
Familjarët e Lazës kanë deklaruar se nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij, ndërsa e ëma ka pohuar se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të që pas arratisjes.
Përveç kontrolleve në zonat e njohura për të, policia ka kontrolluar edhe xhamitë e Tiranës, pasi Dauti njihet si një person besimtar. Megjithatë, deri tani, ai nuk është gjetur.