Jeta e Parashqevi Simakut ka qenë kryefjalë e mediave, prej më shumë sesa 10 ditësh. Këngëtarja e njohur, e cila ishte zhdukur nga sytë e publikut prej shumë vitesh, u rikthye sërish, këtë herë si e pastrehë.
Advertisements
Por jeta e saj ndryshoi tërësisht brenda këtyre dy javëve, duke u shndërruar gatigati në një përrallë të kohëve moderne. Pas ndihmës së dhënë nga biznesmeni Ilirjani dhe ndërhyrjes nga shteti shqiptar, tashmë për Parashqevinë po mendohet edhe rikthimi në Shqipëri.
Advertisements
Përgjatë këtyre ditëve, Panorama ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me shumë kolegë e miq të këngëtares, si në vendin tonë, ashtu edhe në SHBA, ku ‘off record’ kanë treguar një variant tjetër të ngjarjes, madje duke qenë të bindur, se e gjithë historia është e parapërgatitur me regji nga individë të caktuar. Lidhur me këtë, ne kontaktuam edhe këngëtaren Mira Konçi. Si një artiste që e ka njohur nga afër Parashqevinë që në Tiranë dhe më pas një njohje edhe më të ngushtë kanë pasur të dyja në SHBA.
Në prononcimin e dhënë për Panorama, Mira Konçi shprehet se këto dyshimet, për skenarë të përgatitur, nuk duhet të zëvendësojnë ndjeshmërinë për situatën e vështirë që Parashqevia ka kaluar.
Këngëtarja me tej shprehet se ndihma që i është dhënë Parashqevisë, të paktën nga ana e saj ka qenë tërësisht private, duke mos dashur që të flasë konkretisht se për çfarë ndihme e ka pasur fjalën. Konçi është shprehur se të paktën njerëzit që e kanë njohur nga afër Parashqevinë, nuk duhet të hamendësojnë nëse gjithçka ndodhi ishte e përgatitur, apo një rastësi e bukur.
“Gjykoj se askush, akoma më shumë ne që e kemi njohur në jetë të mrekullueshmen Parashqevi, nuk mendoj se kemi të drejtë t’i japim vetes tagrin për të hamendësuar lidhur me sa pyesni. Historia e saj personalisht më ka tronditur shumë, si grua në radhë të parë dhe padyshim edhe si dikush që e ka njohur nga afër, ashtu si shumicën e shqiptarëve besoj për artisten e tyre.
Ndaj, lutem pranoni shumë miqësisht e modestisht ftesën time për të mos stimuluar që dyshimet që mund të ekzistojnë nga kushdo për rrethanat e saj familjare, të zëvendësojnë ndjeshmërinë që duhet të tregojmë karshi një situate kaq komplekse për të. Sigurisht, secili duke e bërë këtë brenda kornizës profesionale apo në privatësi e në mënyrën e vet, siç është rasti im”, është shprehur këngëtarja Mira Konçi./ Enida Himaj, Gazeta Panorama