Në emisionin “Vetting”, në “News 24” mbrëmë u trajtua çështja e rindërtimit në Bashkinë e Vorës, një nga njësitë e prekura si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.
Advertisements
Qytetarët, edhe 5 vjet pas tërmetit, ose ndodhen në banesa me qira, ose në rastet e pamundësisë për të paguar, kanë gjetur si zgjidhje kontejnerët.
Advertisements
Por, ka nga ata që jetojnë në kasolle, bashkë me familjarët e tyre, me shpresën se një ditë do t’u bëhet realitet premtimi për të pasur një banesë të re. “Nuk kishim mundësi të paguanim qiranë dhe përfunduam në kontejner. As një thes me miell për familje nuk na kanë sjellë, por për dy shtëpi një thes. Një kasolle me dërrasa të na bëjnë”, – shprehen banorë të Vorës, ndërsa luten që të kenë një banesë për të jetuar të lumtur vitet e jetës që u kanë mbetur. Prej ditës kur panë t’iu shembej para syve gjithçka që kishin mundur të ndërtonin, mbetën të bllokuar në një kalvar dhimbjeje, pa mundur të rikuperojnë asgjë. Në një kontejner të ftohtë jetojnë katër pleq.
Bedrie Breti me bashkëshortin, por edhe Naxhire Disha me bashkëshortin e saj. Ata ishin komshinj para se të shembej pallati ku banonin. Prej pesë vitesh jetojnë të detyruar si një familje e vetme. I kanë kaluar këtu 5 dimra e do ta kalojnë edhe dimrin e këtij viti, sepse nuk shpresojnë më që mund të kenë banesën e tyre. Katër pleqtë janë të ngujuar në këtë hapësirë të ngushtë, vetëm 15 m2 , të mbuluar nga një çati teneqeje që nuk i mbron as nga vapa as nga i ftohti.
“S’jemi duke jetuar 500 vjet. Në kontejner jetojmë bashkë 2 familje, ishim komshi të dy atje, kemi ardhur këtu jemi bërë vëlla e motër”, – shprehet banorja, që dikur banonte në një pallat që është shembur.
Ajo nuk kishte mundësi të paguante qiranë, dhe bashkë me komshiun, përfunduan në kontejner. Ata jetojnë në kushte shumë të vështira, në një ambient të vogël, 4 persona së bashku. “Me djalin tënd nuk mund të jetosh në këto kushte, por nga halli e kemi shtuar me teneqe dhe çarçafë”, – shprehet e moshuara.
Në këtë kontejner ata ndajnë një realitet tragjik të mbushur me dhimbje, trishtim e pa shpresë. Madje ata ndjehen të denigruar.
“Kemi nxjerrë rreckat e këto dyshekët jashtë sepse na i ka lagur shiu, ka rënë shi i madh dy net më parë. Unë fle këtu, burri atje. Nuk kam fuqi të hipi atje lart te krevati. Jemi si në kotec të pulave. Vendi ku kemi vendosur kontejnerin nuk është i yni, na i kadhënë një komshi për sevap sepse na shikonte katër pleq të vjetër. Ai na i dha për 6 muaj deri në 1 vit. Kanë kaluar 5 vite dhe na ka kërkuar që të dalim që këtu sepse do të bëjë punimet e veta, nuk e di. E ka pronën e vetë. Presim të ndërtohet pallati, ashtu na thanë atëherë do të bëhet shpejt, do të bëhet shpejt”, – shprehet banorja.
Por duket se çdo javë e muaj që kalon, i ka bërë këta banorë që të shikojnë se si shpresat për të pasur një banesë të re të veniten dhe premtimi i rindërtimit të kthehet në një fjalë boshe. Pesë vjet nga tërmeti, banorët e Marqinetit dhe Marikajt vazhdojnë të jetojnë në kushte të papranueshme.
“Nuk dua të ha as të pi, as të vesh asgjë, mua malli i shtëpisë më ka ikur komplet, dy shtëpia në majë të kodrës, dy atje poshtë. Katër shtëpia kam ndërruar deri më sot. Ai tjetri vjen dhe më thotë dil prej shtëpie, ku të shkoj unë pastaj? Lëre që ajo shtëpia është e dëmtuar nuk ke çfarë flet. Është komplet uji, unë fëmijën e kam të sëmurë, vetëm për këtë se fëmijën e kam të sëmurë në shtëpi”, shprehet një tjetër banore. Ndërkohë që një tjetër banor shton se nuk po kërkojnë lëmoshë, por kërkojnë një banesë që edhe ata të jetojnë si njerëz. Këta qytetarë në kontejnerët ku janë strehuar kanë kujtime, të gëzuara dhe të dhimbshme. Përtej kushteve të vështira ata kanë përjetuar ndjenjën e të bërit prind, ose të moshuarit kanë ndjerë se si janë bërë gjyshe apo gjysh, për herë të parë ose jo. Dhe gjithashtu kanë përjetuar dasmat, por edhe hidhërimet. Dhe për rastet e dhimbshme, si ceremonitë mortore, ka pasur nga ata, që nuk kanë ditur ku e si ti hapin dyert e mortit.
“Rahmet pastë por atij i ka vdekur babai në shtëpi të huaj, i ka vdekur babai me dy metra vend. Nuk ka poshtërsi më të madhe sesa është bërë me fshatin Marqinet”, – shprehet banori. Një banore sqaron se humbi bashkëshortin.
“Burri më vdiq, nuk ka bërë akoma vitin dhe ne nuk kishim shtëpinë tonë, përse? Unë dua vetëm shtëpinë”, – shprehet ajo.
EKSPERTËT
Qeveria premtoi se banorët që humbën shtëpitë si pasojë e tërmetit do të merrnin bonus qiraje, por prej dy vitesh ato nuk përfitojnë fondin. Dhe në kushte të tilla, ata që duan të vijojnë të qëndrojnë në banesa me qira, duhet të përballojnë vetë kostot, ndërsa të tjerë që s’kanë mundësi strehohen në kasolle ose kontejnerë. Të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti janë njoftuar nga Ministria e Financave se pas muajit mars 2023 se subvencionet e qirasë për këto familje do të financohen nga buxheti i bashkive, duke kërkuar që të marrin masat e mëtejshme për mbulimin e këtyre pagesave. Pas tërmetit, pa banesa, pa mundësi ekonomike dhe me ndërprerjen e bonusit, familjet vazhdojnë të mbeten në kufijtë e mbijetesës.
Alfred Kareci sqaron se pallati ishte ndërtuar rreth viteve 80, u ndërtua në atë kohë me punë vullnetare. Ai tregon se pas shembjes së pallatit, ka paguar qiranë e banesës me të ardhurat e tij. Kareci ankohet në emisionin “Vetting” për diskriminimin që ata po provojnë.
“Jam banor i fshatit Marqinet që nga viti 1980. Kam jetuar në këtë pallat me 17 familje të tjera. Tërmeti e dëmtoi plotësisht pallatin, ndërsa Bashkia futi fadromat. Specialistët që erdhën në pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 e nxorën të pabanuar pallatin. Ndërsa ne humbëm gjithçka dhe pritëm deri më tani sipas premtimeve që shteti do të vinte dorën në zemër, si për të gjithë banorët e tjerë dhe do të ndërtonte nga e para pallatin. Kjo na është premtuar. Aktualisht jetojmë me qira dhe bonusi i qirasë na është ndërprerë. Nuk e dimë nëse do të marrim apo jo shtëpi. Askush aktualisht nuk na ofron një gjë konkrete por shprehen se nuk ka fonde”, – shprehet ai.
Banori i radhës shprehet se prej vitit 2019 ka jetuar me qira dhe ka ndërruar 4 banesa. “Ngela me dollap dhe krevat në krahë. As ato dërrasat nuk po mbajnë më, qiraxhiu më thotë largohu, dil përjashta. Tjetri thotë do të ngremë qiranë, është bërë e pajetueshme”, – shprehet banori.
Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, evidenton për “Vetting” problemet që kanë dërguar në këtë situatë banorët e prekur nga tërmeti.
“Në këtë proces normativ ka pasur disa devijime nga fondet që ishin ofruar me bujari nga institucionet ndërkombëtare, qeveritë perëndimore dhe aleate. Pati devijime nga manualet, guidat, udhëzimet etj.. U devijuan fondet drejt kompanive të përzgjedhura paraprakisht për klientët e qeverisë, lobistëve dhe ndoshta drejt elementëve të krimit të organizuar siç janë denoncuar në shtyp kompani të lidhura me Ndragetën dhe të tjerë. Realisht ka pasur rritje të kostos pasi ishte nënshkruar kontrata dhe është një proces që ha shumë diskutim nga pikëpamja ligjore se si shteti vihet në shërbim të një grupi biznesesh duke u shtuar normat e fitimit atyre, i përjashton nga tatimet dhe taksat e të tjera në një kohë që kjo nuk ndodh tek të tjerët dhe nuk ka si të ndodhë. Ne jemi bashkëvuajtës në efektin që kanë krizat apo ndryshimi i kursit të këmbimit apo të tjera si këto”, – thotë Zef Preçi.
Por çfarë mendon urbanisti dr. Gent Kaprataj?
“Emergjenca ka një lidhje me mënyrën sesi ka zgjedhur ti qaset kjo qeverisje për t’iu shmangur një nga parimeve më të rëndësishme të një qeverisjeje të mirë, e cila është përgjegjshmëria dhe transparenca në vendimmarrje. Kam bindjen që edhe pas 7- 8 vitesh nga tërmeti do të kemi të njëjtën problematikë, ai do të harrohet, shumë familje do të ngelen fare pa shtëpi, kjo është qasja ime si ekspert. Të mos ndërtojmë asgjë, të blejë shteti me këto para që po vijnë nga jashtë, u premtuan rreth 1 miliardë nëse nuk gaboj por me çmim preferencial edhe ndërtuesit që kishin gabuar dhe koha po e tregon që kanë gabuar. Kanë mall në magazinë por nuk kanë kujt t’ia shesin, çmimet janë tjetër gjë por ne nuk do të hyjmë tek ajo”, – sqaron eksperti.
Bashkia Vorë: Nga 404 apartamente të ndërtuara, janë dorëzuar 101
“Vetting” hedh dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur në këtë bashki, pjesë e Qarkut Tiranë, ku ka ende familje që jetojnë në kontejnerë apo me banesa me qira, por pa përfituar bonusin nga shteti. Godina e Bashkisë Vorë u përfshi në procesin e rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, madje qeveria shqiptare alokoi edhe fond me vlerë 618.868.546 për rindërtimin e kësaj ndërtese. Sot, 5 vite pas tërmetit, punonjësit e Bashkisë së Vorës janë zhvendosur në një ambient me qira. Por deri më tani procesi ka ngecur në pikën e shpronësimeve dhe bashkia është ende në pritje.
Në përgjigje të emisionit “Vetting”, Bashkia Vorë pranon situatën e vështirë të banorëve të pastrehë, por justifikohet me mungesën e fondeve. Emisioni “Vetting” ka dërguar kërkesë për informacion Bashkisë Vorë në lidhje me procesin e rindërtimit. Bashkia në përgjigje të saj ka sqaruar se “ju informojmë se 182 aplikues janë në proces për t’u trajtuar për banesa private ku përfshihet njësia Vorë, njësia Prezë dhe njësia Bërxullë, që përfshihen në territorin e Bashkisë Vorë (Janë akomoduar dhe 50 aplikues për apartamente në fshatin Marqinet, që pritet për t’u trajtuar nga Fondi i Zhvillimit në Bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Drejtorisë së Rindërtimit). Gjithashtu janë në mungesë dhe 60 apartamente (nevoja për rindërtim ,ku përfshihen dhe procesi i shpronësimit) për qytetin e Vorës”.
Bashkia sqaron se deri më tani në qytetin e Vorës janë ndërtuar 404 apartamente, procesi i shpërndarjes ka përfunduara për 101 familje përfituese në fshatin Marikaj, që janë akomoduar në apartamentet e reja. Sa i takon mungesës së pagesës për bonot e qirasë, Bashkia Vorë sqaron se nuk ka fonde për t`i paguar familjet që kanë mbetur jashtë pa banesa.
“Drejtoria e Menaxhimit Financiar dhe programeve të strehimit ka paguar bonusin e qirasë deri në periudhën Mars 2023 nga kjo periudhë e në vazhdim bonusi i qirasë për familjet e prekura nga tërmeti rezulton i papaguar për mungesë fondesh”, shkruan Bashkia Vorë në përgjigjen e saj. Por eksperti Zef Preçi shprehet se janë vënë re fenomene të rrezikshme, probleme që ngrenë pikëpyetje të mëdha për shpronësime të qëllimta për të hapur terren për investime me oligarkë ndërtues.
Në Bashkinë e Vorës qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti ende janë në pritje të përmbushjes së premtimit për të pasur një shtëpi të re. Dhe në fakt, ky premtim deri më sot ka mbetur në letër dhe si të mos mjaftonte, këta qytetarë kanë mbetur edhe pa bonus qiraje. Por cilat janë arsyet që këta banorë vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje, çfarë ka ndodhur me rindërtimin në këto pesë vite? Cilat janë hapat e institucioneve qendrore dhe vendore?
Zef Preçi shprehet në lidhje me këtë pikë se “shtrati ku ngjizet keq qeverisja, abuzimi me fondet është pikërisht shfrytëzimi i pozitës shtetërore, është pikërisht mungesa e kërkesës së llogarisë dhe arroganca e pushtetit dhe mosndëshkimi nga ana e SPAK. Fakti që një numër i caktuar tenderash dalin me flamur të kuq tregon se sistemi është problematik në tërësi”, – thekson Preçi. Në dallim nga Bashkitë e tjera, Vora deri tani ka kryer vetëm 6 tendera për rindërtimin dhe janë shpallur me fitues me fond limit rreth 11 miliard lekë pa TVSH.
“U vu re negocim me lëndët e para në fillim dhe negocime jo transparente mbi dhe nën tavolinë që lënë shkas për dyshim të arsyeshëm për korrupsion dhe keqpërdorim në dëm të taksave të qytetarëve”, – shprehet Zef Preçi. Në vitin 2021 për fshatin Marqinet është hapur tenderi me objekt “Sistemim, asfaltim i rrugëve “Kodra e Miut” dhe rindërtim fshati Marqinet 2, Bashkia Vorë”. Vlera e fondit të përcaktuar 660 milionë lekë. Kontratën e fitoi bashkimi i kompanive “Be. Is SHPK” me pronar Hamza Islamaj dhe “Leon Konstruksion”, me pronare Sonila Sharka dhe Florenc Sharka të dy me nga 50 % të aksioneve të kompanisë.
Ky tender ka rënë në rrjetën e KLSH-së pasi diferenca e volume për punime të deklaruara të kryera në objektin rezulton me problematika. Ndërsa tek autoriteti mbikëqyrës është vërejtur pasaktësi të punimeve në verifikimin e zbatimit të projekti-preventivit. Si pasojë e mangësive të mësipërme është përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi i punimeve.
TENDERI I KOPSHTIT
Mes godinave që do të rindërtoheshin në Bashkisë Vorë ishte edhe ajo e administratës lokale, pra bashkisë së qytetit. KLSH në auditin e kryer për rindërtimin e godinës së bashkisë vëren disa pasaktësi. Në procedurën e prokurimit me objekt “Rindërtimi i Godinës së Bashkisë, Bashkia Vorë”, Komisioni i ngritur për hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit përbëhet nga 3 juristë dhe asnjë specialist fushe.
Ky tender është cilësuar me risk të lart nga KLSH dhe në analizën e dhënë kontrolli sqaron se “titullari i AK, të marrë masa që në çdo procedurë prokurimi, të përcaktojë minimalisht 1 person i cili të jetë specialist i fushës që lidhet me objektin e prokurimit, kjo për të hartuar kritere të përshtatshme dhe në përputhje me objektin që prokurohet”. Eksperti Zef Preçi thekson se nuk ka asnjë ndëshkim për procedurat e gabuara tashmë edhe pas tërmetit.
HAPJA E TENDERIT
Në datën 29.10.2021 është hapur tenderi nga Bashkia Vorë për rindërtimin e një kopshti publik program i rindërtimit me vlerë 884 milion lekë pa TVSH. Në garë morën pjesë 3 kompani. Koha e përcaktuar për ndërtimin e kopshtit ishte 12 muaj. Bashkimi i operatorëve “Ergi shpk”, “Egeu Stone shpk” dhe “Aepa Group” rezultuan fituesit e kësaj procedure. Egeu Stone me aksioner Gëzim Bregu e ka përfituar këtë kontratë edhe pse në bashkëpunim në kundërshtim me ligjet pasi nuk plotësonte kushtet. Një ndër pikat që duhet të përmbushen patjetër lidhen me dokumentet standarde të tenderit. Kompania “Egeu Stone” nuk kishte shlyer taksat dhe tarifat vendore për vitin 2021, duke mos qenë korrekte me shtetin.
Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Egeu Stone” ka pasur adresa sekondare gjatë vitit 2021 në Bashkitë Korçë, Vlorë dhe Rrogozhinë, të cilat janë mbyllur gjatë vitit. Për periudhën e caktuar, ky operator duhej të likuidonte detyrimet përkatëse pranë këtyre bashkive, ndërkohë në dokumentacionin e paraqitur nuk ka asnjë vërtetim për likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve. “Egeu Stone” gjithashtu nuk përmbushte një tjetër pikë të DST që lidhej me pjesëmarrjen në një punë të ngjashme, për punën që ky subjekt pretendonte mungonte dokumentacioni përkatës në dosjen. Kompania e “Egeu Stone” nuk disponon as kategorinë e licencës NS-3, NS-12, NS14 dhe NS-18.
Pavarësisht gjithë shkeljeve, kjo kompani që do të kryente edhe 43% të punimeve, nuk ka as inxhinierët e duhur për të ndërtuar kopshtin e fëmijëve në Vorë. Konkretisht i mungon inxhinieri elektrik, inxhinieri hidroteknik, inxhinieri i mjedisit, të cilët duhet të figuronin në licencën e shoqërisë. “Egeu Stone” me pronar Gëzim Bregun nuk ka provuar se disponon staf teknik të nevojshëm për realizimin e kontratës, ndërkohë që ka marrë përsipër angazhim në një masë relativisht të madhe, konkretisht 43% të punimeve. Pasi sipas ligjit të prokurimeve publike, subjekti që merr më shumë përqindje pune duhet të ketë staf përkatës në përputhje me përqindjen e realizimit të kontratës. Sakaq edhe kompanitë e tjera që janë shpallur po ashtu fituese në këtë tender kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion. “Ergi shpk” me aksioner Nuri Ballën gjithashtu ka shkelur kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.
Ky subjekt nuk përmbush kriterin e pikës 2.3.3 të DST për shlyerjen e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2021. Sipas ekstraktit historik të QKB, rezulton se ky OE ka hapur adresa sekondare pranë bashkive Tiranë, Durrës dhe Kavajë, ndërkohë nuk ka paraqitur asnjë vërtetim për të konfirmuar likuidimin e detyrimeve vendore pranë këtyre subjekteve të vetëqeverisjes vendore, në kundërshtim me kërkesën në DST. “Ergi shpk” nuk është një kompani e panjohur për opinionin publik. Pronari Nuri Ballën në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit. Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin megaoperacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla. Firma e Nuri Ballës është mjaft e njohur për tenderët që zhvillohen nga kryebashkiakët e Juglindjes. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB” e bashkisë Elbasan, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “Ergi Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit, kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë. /Gazeta Panorama