Dy vëllezërit në Mallakastër u gjetën pajetë në banesë, ende mister shkaqet e vdekjes, pritet ekspertiza mjekoligjore

Shkaku i vdekjes së dy vëllezërve të moshuar në rrethana të pazakonta në Corrush të Mallakastrës, vazhdon të jetë i paqartë. Burime nga policia e Fierit thanë se pista e vetme e hetimit deri tani, është ajo e vdekjes natyrale, por shkaku mbetet i paqartë. Ekspertiza mjekoligjore nuk ka dalë ende.

Advertisements

Të moshuarit u gjetën të vdekur nga kryeplaku i fshatit Corrush Ismet Zenelaj i cili kërkoi të kontaktonte me ta pasi bashkëfshatarët i thanë se kishin dy javë pa i parë vëllezërit të dilnin nga banesa.

Advertisements

Sipas dëshmisë së tij dhënë për policinë dhe mediat të moshuarit ndodheshin në dhoma të ndryshme të banesës. Njëri prej tyre që ndodhej i shtrirë në korridor, kishte gjakosje në fytyrë që mendohet të ketë ndodhur pasi ka rënë në dysheme. Vëllai tjetër u gjet në dhomën e gjumit dhe u gjet nga efektivët e policisë që hapën derën me forcë, pasi ishte e mbyllur nga brenda.

Dy të moshuarit Novruz Velaj 90 vjeç dhe Sabri Velaj 85 vjeç jetonin bashkë pasi asnjëri prej tyre nuk ishte martuar. Të afërmit e vetëm familjarë të të moshuarve janë një vëlla dhe një motër si dhe fëmijët e këtyre të fundit, që jetojnë në Vlorë dhe Tepelenë.

Shkaku i vdekjes së të moshuarve dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta pasi në banesë dhe në trupat e tyre nuk janë vërejtur shenja dhune.

Asfiksimi nga ngrohësja elektrike e përfolur një ditë më parë kur u zbuluan trupat, nuk është konfirmuar nga policia e Fierit.