“Kemi qenë të dy të dehur, nuk kisha qëllim ta vrisja.” Kështu mësohet të ketë thënë dje përpara oficerëve të Policisë së Durrësit, Majlind Habibi, autori i vrasjes së 33-vjeçarit Branko Shkoza, ngjarje kjo e ndodhur më 2 Dhjetor. “Ditën e ngjarjes, më 2 Dhjetor unë kam qenë në punë dhe pasi kam mbaruar, kam pirë në një lokal. Në mbrëmje kam dalë në lagje dhe e kam takuar aty Brankon, ku pashë se dhe ai ishte i pirë. Nuk kam patur probleme. Kam qenë shumë i pirë dhe s’mbaj mend shumë gjëra. Jam shumë i penduar, por nuk mendova se mund t’i ndodhte gjë”, tha ai.
Advertisements
Zbardhja e ngjarjes së rëndë dhe identifikimi i autorit, u bë për shak se 35-vjeçari, Habibi ka rrëfyer krimin e kryer tek një i njohuri i tij, dëshmia e të cilit ka ndihmuar policinë. Madje personi që ka patur dijeni për ngjarjen, i ka rrëfyer hetuesve se vrasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta. Nga ana tjetër vëllai i 33-vjeçarit Branko Shkoza, i cili dyshohet se është vrarë nga shoku i tij, Majlind Habibi më 2 dhjetor, është shprehur dje se në ngjarje janë të përfshirë edhe familjarët e autorit. Ai ka deklaruar se i vëllai nuk ka pasur konflikte me asnjë dhe nuk ka dijeni si ka ndodhur krimi. Vëllai i viktimës deklaroi se trupin e pajetë të 33-vjeçarit e gjetën pas 4 ditësh kërkime në kanalin e ujërave të zeza pranë banesë së tyre në Durrës. Ai kërkoi që të hapen kamerat dhe të zbulohen autorët, duke theksuar se edhe familjarët e 35-vjeçarit kanë pasur dijeni për krimin, ndërsa shtoi se duhet të arresohen për fshehje të kufomës.
Advertisements
“Vëllai im nuk ka pasur konflikt me asnjë, nuk e di se si ka ndodhur. Unë e di se janë të përfshirë të gjithë këta si familja, e kanë ditur krimin dhe nuk na kanë treguar. Katër ditë nuk e kemi gjetur vëllanë. Unë kam dyshuar vetëm tek ky lloj robi. Unë besoj se janë të përfshirë të gjithë këta si familje, të hapen kamerat dhe të zbulohen autorët. Autori e ka pranuar krimin. Vëllai vet, nëna dhe të gjithë si familje e kanë ditur. Këta duhet të arrestohen të gjithë për fshehjen e kufomës. Unë këtë kërkoj nga shteti, vetëm zbardhjen e ngjarjes”, tha vëllai i 33-vjeçarit për Euronews.
Flet babai i 33-vjeçarit të vrarë në Durrës
Gjithashtu, babai i 33-vjeçarit Haxhi Shkoza ka deklaruar se autori u dyshuar e mashtroi në sy duke i thënë se nuk e dinte se ku ndodhej, ndërsa tregoi se i ka shkuar edhe në varrim. Babai shprehet se dyshimet se djalin mund ta kishte vrarë shoku i tij, i lindën pasi kishte parë lëvizje të dyshimta prej tij. Ai tha se autori erdhi edhe në varrim me vëllain e tij. “E pyeta autorin, ‘ka humbur djali’, më pa shtrembër dhe iku, kisha katër ditë që kërkoja çunin, i kam rënë telefonit disa herë ndërkohë që zija i binte po nuk e hapte. Kemi kërkuar me efektivët ditë e natë ndërkohë që e kemi gjetur 11 metra larg shtëpisë. Ai deklaroi se e ka hedhur nga ura, po aty nuk ka më shumë se një metër ujë dhe nuk mund të mbytet.
Pinte pak çuni, por nuk ka mundësi t’i jepte fund jetës, sepse distanca nga ura dhe vendi ku u gjet është shumë larg. Ai ka qenë duke pirë me disa persona para ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk dinë gjë. Kam frikë se çunat janë të nervozuar nga situata, kërkoj që policia të na qëndrojë afër sepse familjarët e autorit kalojnë para banesës sonë. E kam takuar autorin dhe e kam pyetur, se ata rrinin bashkë prej katër vitesh dhe më ka thënë është trembur, është larguar. Ndërkohë që kërkoja djalin ata bënin sikur nuk dinin asgjë, ndërkohë që ata e dinin. Një nga çunat e lagjes i kishte thënë shokut të babait të viktimës ‘kam katër ditë që nuk ha bukë dhe dua të tregoj të vërtetën se kush e vrau’”, ka thënë babai i viktimës.
“E ftova pas varrimit të vinte për drekën e vdekjes, por nuk erdhi”, ka deklaruar ai. Kujtojmë se Durrësi u trondit dy ditë më parë pasi u zbulua fati tragjik i 33-vjeçarit, Branko Shkoza i cili u gjet pa shenja jete në një kanal në zonën e Spitallës. Ai ishte deklaruar i humbur prej 1 jave. Në pranga është vënë shoku i tij, Majlind Habibi, i cili dyshohet se e ka shtyrë pas një konflikti, duke e hedhur nga një urë dhe duke i shkaktuar vdekjen. Sipas autorit të dyshuar, konflikti ka ndodhur për shkak se viktima i kishte ngacmuar gruan. Ngjarja ka ndodhur në 2 dhjetor, ndërsa trupi u gjet në datën 5 dhjetor, pak metra larg banesës së viktimës.