E frikshme në Durrës, me automatikë e pistoleta, makinë të blinduar dhe me radio të lidhur me policinë, kush janë 3 të arrestuarit që kanosën 44-vjeçarin

Policia e Durrësit thotë se ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon një ngjarje kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Intervention”.

Advertisements

Vihen në pranga 3 shtetasit Bajram Roçi, Bekim Çera dhe Ylli Murati, të cilët për motive të dobëta, kanosën me armë zjarri, një 44-vjeçar. Njëri prej të arrestuarve, me precedent për vjedhje me armë.

Advertisements

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoleta), municion luftarak, si dhe 3 automjete, njëri prej tyre, i blinduar.

Gjithashtu, sekuestrohen 1 radio e lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës, e cila së bashku me 2 armë zjarri dhe me automjetin e blinduar, mbaheshin nga shtetasi me precedent kriminal.

“Menjëherë pas njoftimit, për një rast kanosjeje në rrugën “Pavarësia”, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, kanë shkuar në zonë, dhe si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, si dhe i punës së mirorganizuar, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë autorët e rastit.

Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intervention”, janë vënë në pranga shtetasit Y. M., 40 vjeç, B. R., 30 vjeç dhe B. C., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur me armë zjarri, një shtetas 44 vjeç.

Nga kontrolli në automjetin e blinduar të 40-vjeçarit u gjeten 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë). Më tej, nga kontrolli fizik ndaj këtij shtetasi, u konstatua se mbante dhe 1 radio të lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës.

Në vijim të operacionit “Intervention”, nga kontrolli në banesën e babait të shtetasit të arrestuar B. R., u gjet 1 armë zjarri pistoletë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Durrësit.