E mahnitshme!Laura Fazliu i sjell Kosovës medaljen Olimpike

by editor

Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024 të martën, në debutimin e saj në lojëra olimpike.Ajo mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.Lufta e drejtpërdrejtë për bronz mes Fazliut dhe Kristos ishte shumë e barabartë në kohën e rregullt dhe u nevojit koha shtesë, e njohur si “golden score” për ta përcaktuar fituesen e medaljes së bronztë.Fazliu, 23 vjeç, fitoi falë ndëshkimit të 22-vjeçares me tri shido, pasi ajo e bëri një gabim në tentim për ta hedhur kosovaren në tatami.Rrugës drejt medaljes së parë olimpike, Fazliu e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se ta mposhte kinezen Jing Pang në përballjen e saj të parë olimpike, duke kaluar në çerekfinale, ku u mposht nga francezja Clarisse Agbegnenou.Ajo disfatë nënkuptoi se Fazliu e humbi mundësinë për të luftuar për titullin e kampiones olimpike apo për medaljen e argjendtë, por mbeti në garë për bronz.Në dy luftërat e saj për ta rrëmbyer medaljen e bronztë, ajo i mundi kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard dhe kroaten Kristo.Kjo është medalja e pestë olimpike në përgjithësi në historinë e sportit kosovar, dhe e dyta nga Parisi 2024, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë.Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

Advertisements

You may also like