Kur kanë kaluar më shumë 24 orë nga atentati që tronditi Lezhën, policia dhe grupi hetimor nuk kanë mundur ende të gjejnë asnjë gjurmë të vrasësve të Gjovalin Prendit.
Advertisements
Përgjatë së djeshmes, e vetmja punë e konkretizuar e policisë është gjetja e mjetit luksoz të përdorur nga autorët e krimit në pritën që i zunë Prendit në derën e lokalit të tij, në fshatin Pllanë. Policia i humbi shpejt gjurmët e atentatorëve, të cilët dyshohet që e kanë kaluar lehtësisht urën e Milotit për të hyrë nëpër fshatrat e Kurbinit pa u ndjekur nga askush.
Advertisements
Aty kanë djegur mjetin për t’u larguar në drejtim të paditur. Përgjatë së djeshmes, nuk është bërë me dije asnjë e dhënë tjetër në lidhje me pistat në të cilat është fokusuar hetimi dhe aq më pak të ketë ndonjë shpresë për identifikimin e atentatorëve, që dyshohet që kanë qenë 4, ku dy prej tyre kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar në drejtim të Prendit.
Referuar të dhënave që vijnë nga Lezha saktësohet se autorët e kanë djegur mjetin në zonën e Gjormit, jo shumë larg vendit të ngjarjes, ndërsa ende nuk dihet nëse policia ka mundur të gjejë pamje të makinës që u përdor në vrasje. Nga dëshmitë e personave që e kanë parë mjetin është mësuar lloji, ndërsa makina është gjetur e shkrumbuar, çka u heq mundësinë ekspertëve për të gjetur ndonjë gjurmë të personave që kanë qenë brenda mjetit.
Nga sa është mësuar pas aktit të rëndë, policia ka kryer pyetjen e shumë personave, mes tyre edhe të afërm me viktimën por që nuk është mësuar asnjë e dhënë në lidhje me konflikte që ka pasur Prendi, ndonëse disa herë më parë ka qenë i shënjestruar, por gjithnjë policia dhe prokuroria e Lezhës nuk kanë hapur hetime duke e konsideruar si kërcënime si mesazh për çështjet në të cilat dyshohej se ishte përfshirë i biri.
Djali i tij, Sidorel Prendi, që njihet me emrin Roan Brahimi, u ekzekutua me 9 maj të vitit të kaluar në Athinë, teksa kishte mbërritur në Athinë për të kaluar Pashkët me familjen e tij që kishte në Greqi. Nga të dhënat e medias greke, aso kohe u mësua, se në makinë me Roanin gjendeshin edhe djali dhe gruaja, por atentatorët kanë qëlluar drejt tij duke mos i dëmtuar pjesën tjetër të familjes.
DYSHIMET DHE HETIMET
Grupi hetimor që është rikthyer ditën e djeshme në vendin e ngjarjes, mësohet se ka arritur të kuptojë lëvizjen që kanë bërë autorët për të mbërritur të padyshimtë në lokalin e Prendit. Sipas të dhënave, ata kanë ardhur nga Miloti, rrugës së vjetër dhe kanë hyrë në pjesën që duket si garazh për lokalin. Nga aty kanë zbritur dy persona, për të cilët nuk dihet nëse kanë qenë të maskuar dhe kanë qëlluar mbi 64-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend.
Ata janë larguar pa kërcënuar askënd tjetër, ndërkohë që kanë marrë rrugën nëpërmjet Pllanës, për të dalë në aksin që lidh Lezhën me Tiranën dhe për t’u zhdukur.
Grupi hetimor është rikthyer sërish tek aktivitetet e pahetuara të të birit të viktimës, për të parë hollësitë dhe për të shkuar drejt një piste konkrete. Roan Brahimi, ose Sidorel Prendi, i cili u vra vetëm një vit më parë, ishte i dyshuar për një sërë aktesh. Madje, Policia e Shtetit e listoi në mes të 5 emrave që duhej të dëshmonte për masakrën e FushëKrujës me 4 të vrarë, atentat ku humbi jetën Brilant Martini, si shënjestra kryesore e asaj ngjarjeje horror, që tronditi mbarë opinionin publik.
Përveç djalit nga Pllana, në listën e personave që duheshin pyetur ishin edhe emra të njohur të botës së krimit në vend dhe që aktualisht janë në kërkim për dosjet e bujshme të grupeve kriminale, por asnjëherë nuk u mësua nëse këta persona u morën në pyetje mbi ngjarjen e frikshme, ku u vranë dhe më pas u dogjën në mes të ditës dhe në mes të rrugës kryesore të vendit katër djem të rinj.
/Gazeta Panorama