Gazetarja Anduena Llabani thotë se de fakto Suel Çela është pronari i burgut të Peqinit dhe për denoncimin e bërë ndaj tij prokuroria po heton dhe ka nisur procedimi penal për shpërdorimin e autoritetit hetimor. Nga studio ajo deklaroi se pas kallëzimit të bërë nga Flamur Noka, janë sekuestruar dhe aparatet celularë të këtyre personazheve të denoncuar. Sipas saj, burgu i Peqinit drejtohet nga grupet kriminale të Suel Çelës dhe ata vendosin për votën atje.
Advertisements
“Ka pasur dhe më parë shumë informacione në rrugë zyrtare se Suel Çela skeda e të cilit flet për një personazh shumë të njohur mbas vitit 2017, ku dhe pamjet filmike tregonin se si Suel Çela mbyllte portën e policisë, një procedim penal që në vitin 2019 e nxori Suel Çelën të pafajshëm.
Advertisements
Por ka dhe një sërë ngjarjesh ku ky personazh është i lidhur me institucionet në Elbasan, duke marrë drejtimin e prokurorisë dhe burgjeve, duket i paprekshëm në qytetin e Elbasanit. Mos harrojmë se Suel Çela është individi që emëronte drejtorët e burgjeve në Elbasan. Rizgjimi i këtyre grupeve ndodh në rast zgjedhjesh, në rastin konkret informacionet për të nxjerrë në pah se çfarë ndodh me disa të dënuar.
Burgu i Peqinit drejtohet nga grupet kriminale të Suel Çelës dhe ata vendosin për votën atje. Për sa kohë që drejtori i burgut emërohet nga këto grupe kriminale, edhe e drejta e votës do të orientohet sipas interesit të këtyre grupeve. Fakti që prokuroria Elbasan ka regjistruar një procedim, do të hetohet në Elbasan dhe jo nga SPAK për shkak të juridiksionit.
Mbledhja e provave dhe pyetja e personazheve besoj se do të ketë një konkluzion, nëse Suel Çela orienton votën, emëron drejtorët e burgjeve, apo e bën çdo gjë me pagesë. Meqenëse janë dhënë të dhëna, prokurorët e kanë të pamundur të injorojnë informacionet. Janë sekuestruar pamje filmike dhe aparate celularë.
Prokuroria ka nisur një verifikim të të dhënave që janë bërë publike. Është e vështirë të provosh inkriminimin e personazheve siç janë policët brenda burgjeve dhe rolin që ata kanë në orientimin e votës, por nuk është e pamundur të vërtetosh nëse këta persona kanë lidhje me personazhe të botës së krimit. Diçka në këtë histori do të zbardhet. Asnjëherë denoncime në raste të tilla nuk janë të vonuara. Është rasti i parë kur një politikan si Flamur Noka flet me emra konkret dhe thotë se procesi zgjedhor në qarkun e Elbasanit, tregon se historia përsëritet”, tha Llabani.
Sa i takon krimeve zgjedhore dhe 115 rasteve të referuara në SPAK, Llabani tha se janë vetë partitë politike që denoncojnë.
“Pjesën më të madhe të hetimit të krimit zgjedhor do e luajnë prokuroritë e rretheve se aty zhvillohet ngjarja. Nëse Prokuroria Elbasan provon se Sara Mile paguhet nga Suel Çela, i del përgjegjësia SPAK që të ndjekë çështjen”, u shpreh gazetarja.