Emigrantëve u shkon fleta e votimit me postë te dera e shtëpisë, përzgjidhet kompania që do të bëjë transportin dhe kostoja për çdo fletë! Shqiptarët që s’gjejnë emrin në lista të drejtë ankimi, ja afati

KQZ vendosi dje që një kompani ndërkombëtare postare, DHL, të bëjë transportin e fletëve të votimit në diasporë për zgjedhjet e 11 majit, që do të kushtojë 10 milionë euro.

Advertisements

Mësohet se brenda datës 10 prill do të nisë shpërndarja e fletëve të votimit në 85 shtete të botës ku jetojnë shqiptarë, të cilët kanë fituar të drejtën e votës për këto zgjedhje. Tashmë është përcaktuar edhe kompania që do të merret me të gjithë procedurën e transportit, më pas në bashkëpunim me postat ndërkombëtare do të bëhet shpërndarja e fletëve të votimit në banesat e shqiptarëve. Është përzgjedhur DHL-ja, një kompani shumëkombëshe. Do të jenë 10 milionë euro në dispozicion për të gjithë transportin dhe mbërritjen në të gjitha këto shtete të botës ku janë shqiptarët dhe kanë të drejtën e votës.

Advertisements

Ndërsa mesatarisht llogaritet që 40 euro për fletë votimit të jetë kostoja e transporti. Ndërkohë partitë politike shqiptare kanë shprehur shqetësimin e tyre pasi postat kanë vendosur që fleta e votimit të merret dhe të dorëzohet vetën nga personi që ka të shënuar emrin në zarf. Ata pretendojnë se kjo do të ndikojë në numrin e shqiptarëve që do të ushtrojnë të drejtën e votës. PS ka tentuar që të bëjë një marrëveshje për heqjen e këtij kushti, të cilët propozojnë që në rast se personi nuk është në banesë, familjarët e tyre të lejohen për dorëzimin e fletës së votimit. Ndërkohë 10 milionë euro do të kushtojë vetëm transporti i fletëve të votimit të emigrantëve. Shpërndarja e 245,808 zarfeve do të bëhet në 85 shtete të botës, nga kompania e huaj shumëkombëshe DHL, e themeluar në SHBA. Kostoja për një fletë votimi shkon mesatarisht 40 euro. Numrin e emigrantëve shqiptarë që e kanë fituar të drejtën e votës e kryesojnë Greqia dhe Italia, të ndjekura nga shtetet e tjera.

Fletët e votimit pritet të dërgohen në diasporë në 10 prill, ndërsa mbërritja e tyre duhet të bëhet deri në orën 19:00 të datës 11 maj. Fleta e votimit do t’u shkojë emigrantëve e vulosur në një zarf, i cili mban një barkod me informacionet për zgjedhësin, shtetin ku banon dhe qarkun për të cilin voton. Zarfi duhet të hapet me kujdes, pa u dëmtuar ku brenda do të ketë fletën e votimit. Zgjedhësi do duhet të bëjë shënimin brenda një kolone, të palosë fletën e votimit dhe ta vendosë brenda zarfit. Mbi zarf, apo edhe te fleta e votimit, nuk duhet të ketë asnjë shënim. Votuesi nga jashtë nuk do të ketë asnjë kosto financiare për këtë proces. Brenda fletës së votimit do të jetë edhe një udhëzues në mënyrë që emigrantët të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë korrekte dhe të shmanget sa më shumë pavlefshmëria e tyre.

VENDIMI

Emigrantët, të cilët kanë bërë një kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit, por nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve nga jashtë, do të mund të ankohen deri më 11 prill (30 ditë para zgjedhjeve), në portalin e dedikuar enkas për ta në KLGJ. Sipas detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur me një vendim të 6 marsit një platformë elektronike për të gjithë zgjedhësit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit. Këshilli i Lartë Gjyqësorë miratoi dje platformën “Microsoft Exchange Server”. Një platformë që do t’u vijë në ndihmë të gjithë votuesve nga diaspora. Në dispozicion nga KLGJ është vënë një link “[email protected]”, ku të gjithë qytetarët që votojnë nga diaspora nëse nuk kanë gjetur emrat e tyre apo kanë probleme me karakter ligjor, mund të ankohen.

Më pas Gjykata e Tiranës do të duhet që brenda një afati prej 48 orësh të dalë me një vendim. Gjykata do të kthejë përgjigje nëpërmjet sistemit Microsoft Teams. “Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 147 dhe 147/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 25 pika 8 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, në nenin 10 të Kodit të Procedurave Administrative, në nenin 61 pika “ë”, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në nenin 36, të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në vendimin nr. 23, datë 24.01.2024 “Për krijimin e “EMail Server” për postën elektronike zyrtare të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimit nr. 354, datë 11.07.2024 “Për miratimin e rregullores “Për përdorimin e postës elektronike zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Sistemin Gjyqësor” me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, vendosi:

1. Miratimin e platformës elektronike “Microsoft Exchange Server” për paraqitjen e kërkesave edhe online për zgjedhësit që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

2. Kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të dërgohen në adresën zyrtare [email protected].

3. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, edhe nëpërmjet platformës elektronike “Microsoft Teams”, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve.

4. Ngarkohet Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe hyn në fuqi në datën e botimit në Fletoren Zyrtare”, – thuhet në njoftimin e KLGJ.

Ky vendim ka hyrë në fuqi pasi është publikuar në faqen e këshillit të lartë gjyqësor. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të KLGJ-së dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.