Euro në rënie drastike, monedha europiane prek një rekord të ri minimumi historik

by editor

Euro ka shënuar një rënie të lehtë në kursin e këmbimit në ditët e para të kësaj jave, aq sa për të regjistruar një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Advertisements

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të martën me 100.23 lekë, nga 100.24 lekë që ishte rekordi i mëparshëm, i shënuar më datë 25 qershor.

Advertisements

Luhatjet e kursit të këmbimit këtë verë janë minimale dhe kanë kryesisht vlerë statistikore, duke qenë se qysh prej muajit maj e në vazhdim, kursi është mbajtur praktikisht i fiksuar nga Banka e Shqipërisë, pak sipër nivelit të 100 lekëve.

Megjithatë, sezoni veror e ka ngushtuar ndjeshëm hendekun e mbiçmimit vjetor të euros. Rënia vjetore e kursit të këmbimit ka zbritur në 2.6%, nga 9.1% që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Në kushtet e rritjes së prurjeve valutore gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë ndërhyn periodikisht në tregun valutor duke kryer blerje të drejtpërdrejta të valutës, me qëllim për të mos lejuar rënien e monedhës europiane poshtë kufirit të 100 lekëve. Kjo ndërhyrje është argumentuar me objektivin ligjor të inflacionit. Në pjesën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, në muajin qershor inflacioni vjetor ishte 2.1%, në nivelet më të ulët të tre viteve të fundit. Një efekt të rëndësishëm në uljen e inflacionit ka patur edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron, duke ulur inflacionin e importuar nga jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e valutës së blerë në treg do të bëhet publike vetëm në raportin për ndërhyrjet në tregun e parasë, që si rregull publikohet me një kohë vonesë prej tre muajsh.

Banka e Shqipërisë nuk ka përcaktuar afate apo parametra të qarta për ndërhyrjen e saj në kursin e këmbimit. Besohet se objektivi i ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë është të mos lejojë rënien e euros poshtë kufirit të 100 lekëve, i përcaktuar si një lloj kufiri psikologjik. Pritet që presionet mbiçmuese mbi monedhën kombëtare do të bien pas sezonit veror, megjithatë kjo është e vështirë të thuhet me siguri, duke qenë se në vitet e fundit as mbarimi i sezonit të pushimeve nuk ka sjellë ndonjë zhvlerësim domethënës të lekut.

Leku i fortë ka ndihmuar në uljen e inflacionit të mallrave të importuara, por nga ana tjetër ka patur efekte negative mbi sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Pasojat kanë qenë veçanërisht serioze në sektorin e fasonerisë, por ndërkohë edhe bizneset e lidhura me turizmin e shpjegojnë pjesërisht rritjen e çmimeve me zhvlerësimin e monedhës europiane./Monitor

You may also like