Tiranë – Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në kryeqytet, Ilir Alimehmeti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për rikthimin në pronësi të shtetit të godinave të ish-Uzinës “Autotraktori” në zonën e Shkozës, me qëllim ndërtimin e një fabrike armësh. Alimehmeti e ka cilësuar këtë vendim si të paprecedentë, duke akuzuar qeverinë për shkelje të ligjit dhe injorim të interesit publik.Sipas Alimehmetit, kjo zonë i ishte kaluar Bashkisë së Tiranës në vitin 2017 për zhvillim me destinacion arsimor, kulturor dhe sportiv. Megjithatë, në tetë vite, nuk ishte ndërmarrë asnjë projekt konkret, dhe sipas tij, tani qeveria kërkon të rikthejë pronën për një destinacion të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për zonën urbane.
Advertisements
“Në vend që të kërkojë llogari për dështimin e përdorimit të kësaj prone për interes publik, qeveria vendos të ndërtojë aty një fabrikë armësh – në mes të qytetit,” u shpreh Alimehmeti në një intervistë televizive.
Advertisements
Ai e cilësoi vendimin si të rrezikshëm, duke theksuar se bie ndesh me çdo standard të sigurisë dhe planifikimit urban. Sipas tij, edhe në kohën e komunizmit, fabrikat e armëve ishin ndërtuar jashtë zonave të banuara.
“Edhe në Poliçan, dikur, fabrikat nuk ishin pranë zonave të banuara. Ndërsa sot, në zemër të Tiranës, qeveria po sjell një projekt të tillë pa asnjë transparencë dhe pa marrë mendimin e komunitetit,” tha ai.
Alimehmeti theksoi se ky është një tjetër rast që sipas tij tregon arrogancën e qeverisë dhe mungesën e vullnetit për të shërbyer interesit të qytetarëve.
“Repartet ushtarake në Dajt po privatizohen për restorante, ndërsa tokat që mund të ishin kthyer në shkolla, sot përdoren për armë,” shtoi ai.
Në përfundim, kandidati demokrat paralajmëroi veprime ligjore për ndalimin e këtij vendimi. Ai deklaroi se çështja do të shtrohet edhe në Këshillin Bashkiak, pasi çdo tjetërsim prone bashkiake kërkon shumicën e cilësuar prej 3/5 të votave.
“Kjo është mënyra si vepron Partia Socialiste: me forcë dhe pa asnjë transparencë,” përfundoi Ilir Alimehmeti.