“Fluturojnë” çmimet e biletave të avionëve në gusht, arrijnë mbi 200 euro për një drejtim

by editor

Çmimet e biletave nga dhe drejt Rinasit kanë shënuar rritje të ndjeshme për muajin gusht, një tendencë kjo që ndodh gjithmonë në këtë periudhë të kulmit të sezonit të verës, për shkak të kërkesës së shtuar nga emigrantët, por edhe të turistëve. Nga një kërkim në operatorët me kosto të ulët rezulton se për të ardhur nga Milano në Tiranë në datën 10 gusht, bileta kushton midis 130-190 euro, me Wizz Air.

Advertisements

Kthimi në 12 gusht nga Tirana në Milano është më i lirë, në 35 euro, teksa një biletë vajtje-ardhje kushton deri në 225 euro. Më lirë kushton Ryanair, me 108-150 euro nga Milano në Tiranë, ndërsa nga Tirana në Milano duhen nga 43 deri në 60 euro, me biletën më të lirë në të dy drejtimet që kushton rreth 150 euro. Nga Roma drejt Tiranës, po në të njëjtat data, bileta me Wizz luhatet nga 130 në 175 euro, ndërsa kthimi është shumë më i lirë, me 25 euro.

Advertisements

Biletat nga qytetet italiane për të Rinas janë shtrenjtë në gjysmën e parë të gushtit për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve për në Tiranë, një pjesë e madhe e të cilëve janë emigrantë. Ndërsa kërkesa për fluturime nga Rinasi drejt qyteteve italiane është më e ulët, duke bërë që biletat të jenë të lira.

E kundërta ndodh në gjysmën e dytë të gushtit, teksa emigrantët kthehen në vendet ku ata jetojnë. Nga Milano mund të vish në Tiranë në datën 24 gusht edhe me 10 euro, ndërsa për të shkuar nga Tirana në Milano bileta arrin deri në 250 euro, me Wizz Air.

Me Ryanair, nga Tirana në Milano në datën 24 gusht bileta kushton nga 225 në 332 euro, ndërsa nga Milano (Bergamo) në Tiranë mund të vish në datën 24 me 17 euro. E njëjta gjë ndodh dhe me Romën. Nga Roma në Tiranë, bileta është 15 euro në datën 24 gusht, ndërsa nga Tirana në Romë arrin në 145 euro. Të shtrenjta janë dhe destinacionet e tjera në gjysmën e parë të gushtit. Një bileta vajtje-ardhje me Barcelonën kushton të paktën 260 euro, me Wizz Air.

Për të udhëtuar nga Tirana në Berlin në datën 14 gusht, bileta kushton 320 euro. Nga Tirana në Paris, në datën 17 gusht, çmimi arrin në 305 euro, ndërsa për tu kthyer në datën 20, biletën e gjen me 20-30 euro. Edhe operatorët e tjerë kanë çmime të shtrenjta në gusht. Një biletë drejt Vjenës dhe anasjelltas për datat 17-19 gusht me Vjenën, përmes Austrian Airlines kushton minimalisht 250 euro.

Hyrja e operatorëve me kosto të ulët, fillimisht Wizz Air dhe më pas Ryanair ka ulur ndjeshëm çmimet e biletave të avionëve gjatë viteve të fundit. Në periudha jo pik, çmimi i tyre varion edhe në më pak sesa 20 euro një drejtim. P.sh., për dhe nga Milano në fund të shtatorit mund të gjesh biletë vajtje-ardhje me 30 euro, si me Wizz Air ashtu dhe me Ryanair.

Gjithsesi, gushti nuk i shpëton asnjëherë “fluturimit” të çmimeve të biletave, që arrijnë në disa raste nga 150-300 euro në një drejtim. Operatorët e tregut rekomandojnë që blerja e biletave të mos lihet asnjëherë në momentet e fundit, sidomos në periudhën e verës.

Të dhënat nga Tirana International Airport (TIA) bëjnë të ditur se për 5 mujorin e parë të vitit, WIzz Air zë peshën më të madhe të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve, me rreth 60%. Në vend të dytë është Ryanair me 23%. Më pas renditet Air Albania me 3.3% e ndjekur nga Lufthansa me 2.5%, Pegasus 2%, Austrian Airlines 1.9%. Sipas TIA, për periudhën janar-maj nga dhe përmes Rinasit udhëtuan rreth 3.7 milionë pasagjerë, me rritje 67% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

You may also like