Një sistem i fuqishëm stuhish ka shkaktuar kaos në SHBA, duke sjellë tornado të dhunshme, zjarre masive dhe erëra shkatërruese që kanë marrë jetën e të paktën 17 personave dhe kanë dëmtuar qindra shtëpi.
Advertisements
Missouri, shteti më i goditur
Advertisements
Missouri ka raportuar numrin më të madh të viktimave, me të paktën 11 të vdekur, pas një serie tornadosh që goditën gjatë natës. Ndër viktimat është një burrë, shtëpia e të cilit u shkatërrua plotësisht.
“Ishte e panjohshme si shtëpi. Vetëm një fushë me rrënoja,” tha koroner Jim Akers i Butler County. “Dyshemeja ishte përmbys. Ecëm mbi muret.”
Arkansas në alarm: viktima dhe të plagosur nga stuhia
Në Arkansas, autoritetet konfirmuan të paktën 3 viktima në qarkun Independence dhe 29 të plagosur në 8 qarqe të ndryshme si pasojë e stuhive të forta që kaluan gjatë natës.
Guvernatorja e shtetit, Sarah Huckabee Sanders, deklaroi në rrjetin social X: “Ekipet janë në terren për të vlerësuar dëmet nga tornadot e natës së kaluar dhe për të ndihmuar të prekurit. Për këtë operacion, kam lëshuar 250,000 dollarë nga fondi ynë i rimëkëmbjes nga katastrofat.”
Aksidente fatale në Texas
Në shtetin e Teksasit, tre persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve automobilistike të shkaktuara nga një stuhi pluhuri në Amarillo, në zonën Panhandle.
Zjarr dhe shkatërrim: Më shumë se 100 vatra zjarri dhe qindra shtëpi të shkatërruara
Stuhia e fuqishme ka shkaktuar më shumë se 100 vatra zjarri në disa shtete jugore, duke përfshirë Oklahoman, ku rreth 300 shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga flakët.
Guvernatori i Oklahomas, Kevin Stitt, raportoi se 266 milje katrorë (69,000 hektarë) tokë janë djegur nga zjarret, ndërsa banorët në disa zona u detyruan të evakuohen për shkak të rrezikut të madh.
Dëshmitarët e përshkruan situatën si katastrofike. “Ka aq shumë pluhur dhe rërë në ajër. Jam i frikësuar se mund të më përmbysë kamionin nëse e rris shpejtësinë mbi 55 milje në orë,” tha Charles Daniel, një shofer kamioni që po lëvizte në autostradën Interstate 40 në Oklahoma.
Tornado dhe stuhi të fuqishme në horizont
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhi të tjera të fuqishme do të godasin rajonin juglindor të SHBA-së, me erëra që mund të arrijnë deri në 160 km/h. Ekspertët thonë se tornado të rënda dhe të gjata mund të prekin: Louisianën dhe Misisipin në orët e pasdites, Alabamën, perëndimin e Xhorxhias dhe pjesë të Floridës në mbrëmje.
Shkencëtarët e klimës theksojnë se kushtet ekstreme të motit në mars nuk janë të pazakonta, por kombinimi i erërave të forta, tornadove dhe zjarreve ka krijuar një situatë të rrallë dhe jashtëzakonisht të rrezikshme për miliona amerikanë.
ShBA përballet me një nga stuhitë më të rrezikshme të dekadës
Më shumë se 100 milionë banorë janë nën ndikimin e kushteve ekstreme të motit, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje njerëzve të marrin masa mbrojtëse dhe të ndjekin paralajmërimet zyrtare.
Shërbimet e emergjencës dhe ekipet e shpëtimit vazhdojnë të punojnë për të ndihmuar të mbijetuarit, ndërsa vendi përballet me një nga katastrofat më të rënda natyrore të viteve të fundit. /noa.al