“Futuni live, do djeg makinën e policisë”-Arrestohet i riu pas thirrjeve në TikTok

Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 24-vjeçar nga Sukthi, pas identifikimit të tij si autor i thirrjeve publike për veprime të dhunshme ndaj strukturave të rendit, të shpërndara në rrjetin social TikTok.

Advertisements

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë monitorimeve rutinë të rrjeteve sociale, strukturat e specializuara të Policisë konstatuan postime nga një adresë false në TikTok, ku përmes videove bëheshin thirrje të drejtpërdrejta për dhunë, përfshirë edhe nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.

Advertisements

Si rezultat i hetimeve të nisura, u arrestua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës. Sipas Policisë, ndaj tij rëndojnë akuzat për “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në një prej videove të publikuara në TikTok, 24-vjeçari u bënte thirrje ndjekësve të tij që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë, duke i lënën një datë dhe një orar në mesnatë për kryerjen e aktit të rëndë.

Drejtoria e Antiterrorit vijon ndjekjen e çështjes, duke vlerësuar rrezikshmërinë e mesazheve dhe ndikimin e tyre në rendin dhe sigurinë publike. Autoritetet theksojnë se po zbatojnë me përpikmëri të gjitha procedurat ligjore në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, duke siguruar se do të ketë reagim të menjëhershëm dhe ndjekje të plotë ligjore ndaj çdo akti që cenon sigurinë publike.

Në video të tjera i riu shihet i maskuar duke kërcënuar me hanxhar në dorë.