Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën e arrestit me burg, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme më 12 shkurt.
Advertisements
Gjyqtari Engert Pëllumbi shpalli vendimin pas një seance maratonë që zgjati dy ditë.
Advertisements
Veliaj, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, shprehu zhgënjimin e tij për vendimin dhe e cilësoi situatën si një “kurth të qëllimshëm” ndaj tij dhe familjes së tij.
Ai deklaroi se do të vazhdojë luftën për drejtësi dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e marrë nga miqtë dhe mbështetësit.
Në reagimin e tij publik, Veliaj përmendi se avokati amerikan, i angazhuar nga vëllai i tij, nuk arrinte të kuptonte arsyet e arrestimit pa një proces gjyqësor të plotë.
Pavarësisht situatës së vështirë, Veliaj u shpreh optimist për një ringritje në të ardhmen.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq e dashamirës,
Vendimi i sotëm nuk ishte ai që do të doja, po ishte ai që deshën ata që më janë qepur si të isha armiku më i betuar i këtij vendi.
Do të kisha dashur shumë që ta kisha fituar këtë betejë dhe tani të isha duke përqafuar djalin tim, për të cilin më ka marrë shumë malli!
Por, këta më ngritën edhe një kurth, duke më vënë në përgjim bisedat me gruan e me vëllain nga burgu, dhe shfrimet e mia i kthyen në një dosje të re!
E gjitha është si një ëndërr e keqe, si një film sovjetik, me sigurimsa që i qepen robit deri në poshtërim. Po ja që s’është as ëndërr, as film, po është një ngjarje e jetuar në lëkurën e një familjeje për fustanet imagjinare të gruas dhe dosje të stisura qëllimisht për Kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit.
A ka diku dikush që duhet të dëgjojë e të shohë se çfarë lebetie është e gjithë kjo?! Avokati amerikan, që më siguroi im vëlla, nuk arrinte të kuptonte asgjë, pasi më dëgjonte dhe pyeste: “Dakord, po pse në burg pa gjyq?”. I kam shkruar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por po më duket sikur kam hedhur në det një letër në shishe, që kushedi se në ç’breg të shkretë ka dalë.
Sidoqoftë, ky nuk është fundi dhe s’ka se si të jetë! Luftën për drejtësi do ta vazhdoj e do ta bëj deri në fund, siç ju’a kam premtuar. Sepse gjatë gjithë jetës sime kam treguar se di të ringrihem. Humbjet na bëjnë më të fortë dhe janë preludi i fitoreve.
Uroj të mos bezdis asnjeri nga ju, sidoqoftë me këtë absurdin që po jetoj unë dhe familja ime. Por, kjo është realisht çnjerëzore.
Faleminderit për çdo mesazh inkurajues e për çdo mbështetje zemre.
Ju përqafoj të gjithëve!