Goditi Gjestin para se të largohet nga shtëpia, zbardhet dëshmia e Jozit: Më provokoi, nuk e durova më…

Një situatë e pazakontë dhe e papranueshme ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës, gjatë spektaklit “Big Brother VIP”, duke lënë publikun të habitur dhe të shqetësuar.

Advertisements

Menjëherë pas eliminimit të tij nga gara, Jozefin Marku, i njohur për temperamentin e tij shpërthyes ka sulmuar fizikisht një tjetër banor, reperin Besart Klemendi, i njohur ndryshe me emrin e artit Gjesti.

Advertisements

Incidenti ndodhi brenda ambienteve të spektaklit, pikërisht në momentin kur Jozi po largohej nga shtëpia.

Ai i afrohet Gjestit dhe e godet me shuplakë në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë, përpara syve të kamerave dhe publikut.

Gjesti ka përfunduar në tokë dhe për disa çaste situata ishte kaotike. Fatmirësisht, më vonë u konfirmua se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Pas aktit të dhunës, forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në ambientet e spektaklit, ku kanë ndaluar Jozefin Markun dhe e kanë shoqëruar me pranga në Komisariatin nr. 6 të Tiranës.

Sipas burimeve për Report TV, gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Jozi ka deklaruar: “Më ka provokuar gjatë gjithë lojës, nga gjaknxehtësia e qëllova. Nuk e durova më!”.

Ai ka qëndruar në komisariat për rreth pesë orë, deri në përfundim të procedurave, dhe është liruar rreth orës 05:00 të mëngjesit. Megjithatë, hetimet ndaj tij do të vazhdojnë në gjendje të lirë.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit bëri të ditur: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. M., 29-vjeç, pasi gjatë transmetimit të një reality show, ka qëlluar me pëllëmbë shtetasin B. K.”.

Ky veprim ka ngjallur reagime të forta nga publiku dhe ndjekësit e programit në rrjetet sociale, me shumëkënd që kërkon masa të rrepta ndaj dhunës në ekran dhe përgjegjësi nga organizatorët e spektaklit.