Gripi është në sulm! Në javën e katërt të janarit, janë 23.400 persona me infeksione respiratore

Shqipëria ka hyrë në një fazë ku infeksionet respiratore po qarkullojnë me intensitet shumë të lartë.

Advertisements

Java e katërt e janarit, sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik, paraqet një situatë të rënduar, pasi janë raportuar afro 23,400 persona të prekur nga infeksione të sipërme dhe të poshtme respiratore.

Advertisements

Epidemiologët shpjegojnë se po qarkullojnë disa viruse paralelisht, por predominojnë dy viruset e gripit: A dhe B, më së shumti nëntipi i gripit AH1N1 dhe nëntipi australian AH3N2. Ky nëntip ka shfaqur temperatura të larta te fëmijët, por edhe te të rriturit, duke shkuar deri në 40 gradë. Zgjat nga 5 në 7 ditë dhe menaxhohet me vështirësi me antiperetike.

Siç paraqitet edhe në grafik, situata e këtij viti duket më e rëndë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku kurba në këtë rast(vija me të kuqe) vazhdon ngjitjen dhe ende nuk ka arritur pikun. Fëmijët e vegjël janë më të prekurit, duke krijuar ngarkesë jo vetëm në urgjencën e shërbimit të pediatrisë, por edhe nëpër qendrat shëndetësore. Ndërkohë, nuk mbetet pas mosha e rritur, që kanë pasur diagnoza të tjera dhe kanë shfaqur komplikacione, duke u drejtuar në ish-Sanatoriumin e Tiranës dhe në shërbimin infektiv.

Përveç gripit, i cili ka shfaqur edhe simptoma të tjera si diarre dhe të vjella, në vend qarkullon virusi respirator sincicial, por edhe SARS-CoV-2, ndonëse ky i fundit në raste shumë të pakta. Kjo situatë e rënduar reflektohet jo vetëm në institucionet shëndetësore, të cilat kanë ngarkesë, por edhe në ato arsimore, ku ka mungesa të theksuara të nxënësve dhe mësuesve në shkolla për shkak të infeksioneve.

Siç duket në grafik, Durrësi ka numrin më të lartë të të infektuarve, dhe spitali i Durrësit ka raportuar më shumë raste. Mjekët vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar sa i përket higjienës, por dhe për vaksinim ndaj gripit për ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese dhe ende nuk janë infektuar nga gripi.