Gripi i shpendëve në Gjirokastër, futet në karantinë e gjithë zona e prekur nga infeksioni, u gjetën shpendë të ngordhur

Në fshatin Valare të Gjirokastrës shërbimi veterinar ka konfirmuar përfundimisht praninë e gripit të shpendëve H5N1 në 20 shpendë të një oborri privat.

Advertisements

Pas konstatimit të parë të ngordhjeve veterinerët kanë kryer asgjësimin e pulave dhe kanë çuar mostrat për analiza të posaçme në ISUV.

Advertisements

Flora Zharkalli, përgjegjëse e sektorit veterinar thotë: “Na u kthye përgjigjja që kafsha ishte pozitive për H5N1 ose influencë aviare. U ngrit grupi i emergjencës sipas urdhrit të ministres. Grupet e punës kryen asgjësimin e të gjitha kafshëve që ishin të gjalla ndërkohë që u konstatua se kishin ngordhur edhe 4 kafshë të tjera.

Masat në rastin e influencës aviare përcaktojnë vendosjen në karantinë të një zone prej 3 km dhe ne në këtë zonë kemi vetëm fshatin Valare të cilin e kemi në kontroll të plotë dhe kryhen vizita në ferma pothuajse dy herë në ditë. Gjithashtu janë përcaktuar edhe zonat e mbikëqyrura në të cilat përfshihen fshatrat, zonat, njësitë që janë në rrezen 10 km nga vatra”.

Në të gjithë territorin janë në inspektime dhe inventarizim të përditshëm të shpendëve 12 veterinerë të ndarë në 6 grupe. Deri tani nuk ka raportime për ngordhje të tjera.

Veterineri Krenar Veli thotë: “Grupet e veterinerëve të kontrollit dhe të shërbimit janë në terren duke bërë riregjistrimin e fermave të shpendëve të oborrit për një territor 10km. Dëmi kryesor është dëmi ekonomik që shkakton ngordhjen dhe eliminimin e të gjitha shpendëve por është i rrezikshëm edhe për njerëzit që manipulojnë me shpendin e infektuar prandaj ju bëjmë thirrje qytetarëve në rast se hasin një shpend të ngordhur duhet të njoftojnë veterinerin e njësisë administrative.”

Sipas planit të kontigjencës zona e fshatit Valare do të qëndrojë në karantinë për një muaj ndërsa nuk ka asnjë person të infektuar prej kësaj sëmundjeje. Në të gjithë rrethin e Gjirokastrës numërohen rreth 25 mijë shpendë ndërsa ky ishte rasti i parë i shfaqjes së influencës aviare në këtë territor.