Një javë më parë, ndamë historinë e 55-vjeçarit nga Kruja, Albert Skura, i cili është në kërkim të 3 vajzave të mitura, që nuk i sheh prej një kohe të gjatë. Pas një martese të parë të dështuar, ai u njoh me një vajzë 21 vite më të re në moshë, me të cilën krijoi familje. Ata jetonin në Gjermani, por në vitin 2021 siç thotë Alberti, gruan e tij e depërtoi shteti gjerman për prostitucion.
Advertisements
“Elsona gjatë kohës që isha unë në Shqipëri, në Gjermani kishte nisur të bënte gjëra të papëlqyeshme. Siç më kanë thënë pinte drogë. Kishte filluar prostitucionin. Ajo me të vetën e quan punë, por si mund të bëj një nënë një gjë të tillë?!”.
Advertisements
Prandaj veç mungesës së vajzave dhe mallit në këto dy vite, dyshimi se nëna e fëmijëve të tij ushtron prostitucion, është një tjetër arsye se pse Alberti insiston të gjejë se ku ndodhen ato. Të shoqëruar nga 55 vjeçari, hymë brenda shtëpisë ku më herët ka jetuar 34-vjeçarja me fëmijët e saj, dhe aty mësojmë se vetëm 2 ditë para se Alberti të linte qelinë, ajo kishte braktisur banesën duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Në raftet e boshatisur dhe të shkatërruar, gjetëm skeda telefoni, dokumente kredimarrje dhe dërgesa parash në adresë të një personi në Peqin, me të cilin kuptuam se 34-vjeçarja kishte krijuar një lidhje.
Prandaj me shpresën që në shtëpinë e këtij personi mund të ishte dhe nëna me tre vajzat, nuk humbëm kohë dhe u nisëm drejt qytetit të vogël në zemër të Shqipërisë. Pasi dhamë disa detaje paraprake në policinë e Peqinit, bashkë me një patrullë nisemi për në adresën ku dyshojmë se do të gjejmë tre vajzat e Albertit. Aty gjetëm nënën e 25-vjeçarit, e cila na pohoi se gruaja e Albertit kishte jetuar aty me vajzat, por në muajin gusht 2024 ishte larguar për te nëna e saj. Prandaj, largohemi me urgjencë nga Peqini dhe nisemi drejt Laçit, në shtëpinë e vjehrrës së Albertit.
Edhe pse gjykata nuk është shprehur ende për kujdestarinë e fëmijëve dhe rrjedhimisht babai ka të drejtë t’i takojë ata, Alberti është i frikësuar. E ndërsa koordinoheshim me Policinë e Kurbinit për të zhvilluar një takim në prezencë të tyre dhe një psikologeje, na telefonoi një numër i panjohur.
“Unë atij z.Albert i kam dhënë të gjitha të drejtat t’i shohë fëmijët, si kur është bërë gjyqi në 30 janar si me avokatin e tij, si me të gjitha. Unë jam e gatshme t’i sjell fëmijët t’i shohi. Por unë nuk dua të takohem me të personalisht“.
Ishte 34-vjeçarja, e cila e njoftuar me gjasë nga ish- i dashuri, u vu menjëherë në kontakt me ne. Më pas na telefonoi avokatja e saj.
“Unë kam folur vetë me Albertin se ne jemi shumë dakord që ai të takojë fëmijët, por unë kam një kërkesë nga ju, në Rrogozhinë takohemi, në shtëpi, në lokal ose afër stacionit të Policisë“.
Më në fund një lajm i mirë. Alberti do të takohej me vajzat e tij, madje të nesërmen. Kështu, një ditë më pas, ekipit tonë i bashkohet edhe psikologia Erisa Aliaj, e cila i jep 55-vjeçarit këshilla që duhen zbatuar gjatë komunikimit që do të ketë me fëmijët. Në një lokal në qendër të Rrogozhinës, po na priste nëna me 3 fëmijët. Sapo shikon ish-burrin, ajo largohet, ndoshta për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, por Alberti është i gjithi i rrëmbyer nga emocionet dhe i painteresuar për detaje të tilla. Ai i takoi të trija vajzat dhe u çmall me to, në pritje të vendimit të gjykatës për kujdestarinë e tyre./ Piranjat