“Hajde merre se e ka pickuar diçka”- U dhunua barbarisht në kopësht, 3 vjeçarja përfundon me këmbë të thyer në spital. Si u zbulua përmes kamerave skandali që u tentua të mbahej i fshehtë

by editor

Një 3-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga edukatorja në një kopësht privat në kryeqytet. Rasti është denoncuar nga prindërit, të cilët kërkojnë të dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me fëmijën e tyre, të cilën e gjetën me këmbë të thyer, të mërkurën e 1 Nëntorit.

Advertisements

Në rrëfimin e tyre për ‘Stop’, ata tregojnë se fillimisht u lajmëruan nga kopështi se vajza e tyre kishte lënduar këmbën dhe se diçka mund ta kishte pickuar.

Advertisements

Në fakt ky lëndim, sipas mjekëve nuk mund të ishte një pickim, por veçse një thyerje e shkallës së rëndë, e cila kishte nevojë për ndërhyrje

Nuk dihen rrethanat në të cilat 3-vjeçarja mund të ketë thyer këmbën, por në pamjet filmike të marra nga mjediset e kopshtit, shihet qartë ndërsa dhunohet nga edukatorja e saj.

Advertisements

Përtej situatës së krijuar, dyshimet nga ekspertë të fushës hidhen se rasti në fjalë mund të jetë tentuar të mbulohet nga mjekësia ligjore, dhe nga Komisariati i Policisë Gjyqësore, të cilat nuk kanë vepruar siç e parashikon ligji për rastin në fjalë.

Rasti i plotë:

Denoncuesi: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”.

Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”.

U nisën në pediatri dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri. Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”.

Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.

Sabri Hoxha, ekspert mjekoligjor: Grafia është tregues i një thyerje të kofshës së majtë, të kockës femorale. Është një thyerje me zhvendosje, futet tek thyerjet e rënda e cila ka nevojë për ndërhyrje, por është në varësi se si e vlerësojnë mjekët specialistë në rastin konkret.


“Stop” ka siguruar pamje filmike që tregojnë se edukatore Lina ushtron dhunë ndaj vajzës së vogël.

“Emisioni Stop ka siguruar pamjet filmike të kopshtit “Stinët”, këtu jemi tek dhoma e vizatimit të këtij kopshti. Ajo që dyshohet është se rreth orës 10 të mëngjesit, diçka ka ndodhur me vajzën 3-vjeçare. Nuk dimë nëse ka qenë aksident apo dhunë e ushtruar nga personeli, por ajo që dimë është se vajzës 3-vjeçare i është thyer këmba.

“Kjo është edukatore Lina. Nga pamjet kuptojmë se diçka nuk shkon me të. Ajo është e tensionuar, ku për disa minuta rri me kokë ulur vetëm në dhomën e vizatimit.”

“Kjo është ora 10 e 36 minuta. Vogëlushja e lënduar futet në dhomë nga sanitarja. Pas pak, edukatore Lina e acaruar çohet dhe godet me vizore vajzën. Duket qartë që këmba e vajzës në këto momente është e lënduar nga dridhjet dhe lëvizjet që ajo bën”

“Edukatore Lina mesa duket po shqetësohet nga të qarat e vajzës dhe i kthehet përsëri duke e goditur në fytyrë që vajza të pushojë së qari.”

“Sikur të mos mjaftonte kjo, vajza e vogël tërhiqet zvarë nga dora dhe ulet brutalisht në një karrige.”

Fillimisht Spitali i Traumës nuk ka bërë kallëzim për këtë ngjarje skandaloze, megjithëse ishte konstatuar këmba e thyer e vajzës. Po kështu, Oficeri i Policisë Gjyqësore, Ergys Brahimaj, nuk i ka marrë një denoncim prindërve në momentin kur e vogla ka shkuar me traumë në spital.

Babai i vajzës tregon se drejtoresha e kopshtit ka biseduar me OPGJ-në atë ditë duke i thënë se nuk kishte asnjë problem dhe ishte e afërmja e të miturës. Denoncimi është bërë të nesërmen nga e ëma e vajzës.

Gazetari: Ndërkohë ishte edhe drejtoresha e kopshtit që ju kishte shoqëruar?

Denoncuesi: Po. Unë ju ktheva dhe e pyeta: Të lutem ku është vrarë se mua doktori më kërkon një informacion për ta mjekuar. Drejtoresha më kthehet që “kërkoj të hapen kamerat”, por nuk është vrarë asgjëkundi, por është pickuar, ndërkohë pickim nuk kishte fare. Drejtoresha u kontaktua nga kopshti i saj privat, “ne i kapëm filmimet dhe vajza në orën 3 para se të merrnin në telefon ka qenë në gjumë dhe është ngritur nga krevati dhe sa është ngritur, nga forca e ngritjes, ka thyer këmbën”. Në atë moment, unë nga mërzia i thashë që “kjo nuk është një përgjigje që mua më nevojitet si prind dhe mjekut që të bëjë detyrën e tij me informacionet që ju japim ne si prindër”.

Gazetari: Ndërkohë një detaj që dua unë të ju pyes: Oficerët e Policisë Gjyqësore a ju pyetën tek Spitali i Traumës sepse është procedura kur kemi të tilla aksidente?

Denoncuesi: Unë ika para me vajzën, por një oficer i ishte drejtuar drejtoreshës, e cila i ishte përgjigjur që “jam njeriu i saj dhe jam duke i shoqëruar” dhe më tej kishte ardhur pas nesh. Oficeri e kishte lënë si rast familjar, ka ndodhur diçka dhe po sjellin fëmijën për ndërhyrje urgjence. Denoncimi u bë ditën e nesërme, datë 2 pasdite. Tek spitali dhe urgjenca, oficeri quhej Ergys Brahimaj.

Nga informacionet që emisioni “Stop” ka siguruar, kemi të bëjmë dhe me një shkelje të mjekëve të spitalit të Traumës të cilët nuk i janë drejtuar organeve kompetente për zbardhjen e kësaj ngjarje, pasi duhet të ishin drejtuar prokurorisë apo policisë.

Arben Llangozi, avokat: Njëkohësisht, edhe drejtoresha e kopshtit ka pasur detyrim që të kallëzojë në institucionet përkatëse këtë krim të ndodhur në këtë kopsht, gjë që nuk e ka kryer. Personeli mjekësor ka detyrimin ligjor të bëjë kallëzim për vepra penale të cilat i konstaton gjatë ushtrimit të detyrës së saj, por nuk e ka përmbushur spitali apo personat përgjegjës që janë marrë me këtë punë ose akuzohen për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Menjëherë pas denoncimit, rasti është dërguar në Komisaritatin Numër 1 për tu hetuar nga shefi i krimeve Ylli Çako. Ky i fundit ka sekuestruar pamjet filmike të kopshtit, ku duket qarta dhuna. Por ai nuk ka vazhduar me procedurën për arrestimin e personit apo personave që kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës.

E infiltruara: Si kaluat?

Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Mirë.

E inflirtuara: Unë jam halla e vajzës së dëmtuar. Kopshti vazhdon të jetë i hapur dhe është në punë. Ne nuk dimë asgjë se çfarë po bëhet. Nuk është marrë asnjë masë. Çfarë është bërë të paktën sepse ne nuk dimë asgjë?

Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Materiali është dërguar në prokurori dhe po vazhdon hetimi. Kjo është e gjitha. Unë përsëri po i shikoj, po i hap pamjet filmike.

Një tjetër provë implikimi është mesazhi që drejtoresha e kopshtit i dërgon babait të vajzës duke e orientuar të takojë shef Yllin për të parë pamjet e kamerave të kopshtit. Por drejtoresha nuk e ka ditur se në ato pamje duket qartë dhuna që edukatore Lina ushtron ndaj 3-vjeçares.

Arben Llangozi, avokat: Policia në rastin aktual, ka mbuluar ngjarjen kriminale të ndodhur në kopshtin në fjalë. Policia ka pasur detyrimin ligjor, sipas nenit 251 të Kodit të Procedurës Penale, të bënte arrestimin e personave përgjegjës, të cilët kanë dhunuar të miturën, shefi i Krimeve e po ashtu edhe Oficeri i Policisë Gjyqësore që kanë ndjekur rastin, kanë detyrimin ligjor që të bëjnë arrestimin e cilitdo person që dënohet për vepra të tilla të rënda dhe me aq sa kontatohet në pamjet filmike, dhuna është evidente dhe Shefi i Komisariatit, Oficeri i Policisë Gjyqësore dhe Shefi i Krimeve kanë pasur detyrim ligjior që të bënin arrestimin në flagrancë, gjë që nuk është bërë dhe me aq prova sa keni ju, gjë që nuk është bërë sepse pasoja, siç e kemi fakt tashmë, është shumë e rëndë për të miturën. Një tjetër shkelje që është bërë nga Komisariati i Policisë Gjyqësore, është edhe mosvendosja e një psikologu. Dhuna ndaj të miturit është në 2 momente, dhunë fizike dhe psikologjike, gjë që shefi nuk e ka marrë parasysh fare dhe e ka trajuar si një rast të rëndomtë në shkelje shumë të rëndë, qoftë morale, qoftë edhe ligjore.

Mjekësia Ligjore është përfshirë në mbulimin e skandalit pasi eksperti nuk ka shkuar akoma të këqyrë gjendjen e vajzës tek Trauma duke i thënë të atit se duhet ta çonte vajzën tek ai.

Denoncuesi: Bëmë denoncimin, morëm një letër dhe në atë letër, unë duhej të nisesha tek mjeko-ligjori. Unë u nisa tek mjeko-ligjori dhe kur shkova aty, mjeko-ligjori m’u drejtuar që “djalë ti duhet të sjellësh dhe fëmijën këtu sepse kështu e ka rregulli, mjeku jonë bëri vlerësimin dhe më pas lëshon deklaratën e tij”. Unë ju drejtova që “fëmija im është në gjendje shumë kritike dhe unë nuk mund ta sjell për momentin këtu. Atëherë më tha që “nuk kam çfarë të bëj, por ky është rregulli i institucionit”.

Më tej, eksperti mjeko-ligjor, Sabri Hoxha ka shpjeguar edhe procedurën sesi duhet vepruar. Ai thotë se mjeku ligjor e ka detyrim të shkojë të kqyrë gjendjen e vajzës, të kontrollojë kartelat në spital në kohë rekord, për të bërë edhe zbardhjen e saktë të shkakut se nga çfarë i është thyer këmba 3-vjeçares.

Sabri Hoxha: Këto janë procedura rutinë për shkak se mjekët ligjorë, ekspertët, gjithmonë e çdo ditë, pothuajse 1 ose 2 ekspertë janë në Spitalin Ushtarak. Kërkesa nga eksperti mjeko-ligjor në fjalë që vajza e shtuar që të shkojë të ekzaminohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është e pavend. Mjekësia Ligjore nuk është një organ as policesk, as në shërbim direkt të prokurorisë, është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe ai ka detyrim që jo vetëm të ja bëjë prezente policisë dhe prokurorisë, por ka detyrë për të sqaruar edhe taksapaguesit me një transparencë dhe objektivitet dhe një koherencë që njerëzit nuk kanë pse të ngrejnë dyshime tek puna e Mjekësisë Ligjore. Objektivet dhe transparenca dhe trajtimi i çështjeve në kohë, është ajo që janë ngre vlerën Institutit të Mjekësisë Ligjore.

You may also like