Robert Hanssen, një agjent federal amerikan që dorëzonte dokumente të klasifikuara amerikane në Moskë për më shumë se dy dekada, u gjet i vdekur këtë të hënë në qelinë e ADX Florence, një nga burgjet më të sigurta në botë, ku ai kishte vuajtur një dënim të përjetshëm, që nga fillimi i viteve 2000, për tradhti dhe spiunazh.
Advertisements
Nën pseudonimin “Ramon Garcia”, Hanssen paralajmëroi agjentët rusë në vitet 1980 se qeveria federale e SHBA-së po gërmonte një tunel nën ambasadën sovjetike në Uashington, i ofroi Moskës një plan të SHBA-së për një përshkallëzim të luftës bërthamore dhe ekspozoi identitetin e disa agjentëve rusë të cilët i kalonin informacione të klasifikuara CIA-s, dhe për këtë u shpërblye me diamante, para në bankë dhe 1.4 milionë dollarë para të gatshme.
Advertisements
Edhe sot e kësaj dite, FBI e konsideron rastin Hanssen “skandalin më të madh të inteligjencës në historinë e SHBA”. “Ai donte të ishte James Bond, por ishte i indinjuar që agjencia e tij mëmë e la thjesht një bibliotekar”, tha agjent Eric O’Neill, i cili drejtonte hetimin kundër Hanssen, për “The Washington Post”.
Nisja e tradhtisë
Advertisements
Një nëpunës i përkushtuar civil, katolik, një bashkëshort shembullor dhe baba i gjashtë fëmijëve, Hanssen u transferua në zyrën e FBI-së në Nju Jork në fillim të viteve 1980. Pas mbërritjes në vendin e tij të ri të punës, iu bë e qartë se në Nju Jorkun e shtrenjtë me rrogën e një nëpunësi publik, do të ishte shumë e vështirë të ushqente një familje prej tetë anëtarësh.
Prandaj ai kontaktoi KGB-në, 9 ditë pastransferimit në punën e re dhe iu ofroi atyre dokumentin e parë konfidencial për 100,000 dollarë. Dhe kështu filloi gjithçka. Pasi agjentët federalë në mesin e viteve 1990 arrestuan Aldrich Ames, një tjetër amerikan që kishte spiunuar për rusët për vite me radhë, u bë e qartë për ta se ata kishin një “shënjestër” tjetër, një spiun tjetër në radhët e tyre.
Kjo është arsyeja pse ata formuan një ekip special, për të identifikuar tradhtarin. FBI dhe CIA morën një dokument që i drejtonte ata te Robert Hanssen, në atë kohë një zyrtar në Zyrën e Misioneve të Jashtme të Departamentit të Shtetit. Ata e dinin se duhej të vepronin shpejt, sepse Hanssen tashmë po i afrohej pensionit.
Ndjekja nga 300 agjentë
Si pjesë e një strategjie, ata i ofruan ngritje në detyrë për ta joshur në zyrën e tyre, e cila, natyrisht, ishte e mirëplanifikuar paraprakisht. Për një muaj të plotë, më shumë se 300 agjentë federalë ndoqën nga afër çdo lëvizje të tij; që nga koha kur u largua nga shtëpia e tij në Fairfax, Virxhinia, deri në kohën kur u kthye prapë aty. Ata zbuluan se më 18 shkurt 2001 do të bëhej një dorëzim i ri i një pakete informacioni të klasifikuar, në një park jo shumë larg shtëpisë së Hanssen.
Sapo ai la materialin e mbështjellë me kujdes në një qese plastike në vendin e rënë dakord, forcat speciale dolën në terren dhe e arrestuan. Në raportin zyrtar të arrestimit thuhet se Hanssen e kishte marrë situatën me shumë qetësi, duke komentuar shkurt “sa kohë u desh për ta kapur”.
“Ju vetë duhet të përgjigjeni për neglizhencën dhe dështimet e sigurisë që më lejuan të kryeja një vepër penal”, i tha Hanssen gjykatës gjatë seancës së parë, duke theksuar se ai mori informacion konfidencial për sigurinë kombëtare dhe sekretet ushtarake përmes një procedure rutinë, si zyrtar në qeverinë federale; ashtu si edhe qindra mijëra amerikanë të tjerë.
Fundi i hidhur
“Besojmë se ai nuk ishte vetëm i motivuar nga paratë, por se e ka shijuar vërtet të gjithë aventurën. Në dijeni se ai kishte mashtruar punëdhënësin e tij, i cili në të njëjtën kohë kishte reputacionin e agjencisë më të mirë të spiunazhit në botë”, pohojnë agjentët që morën pjesë në ndjekjen e tij për “The Washington Post”.
John J. Hamre , zëvendësministri i mbrojtjes në atë kohë, pohon se letrat që Hanssen i dërgoi KGB-së në fillim të karrierës së tij spiunazhi dukeshin si transaksione biznesi, ndërsa ato që ai dërgoi në fund dukeshin si letra të një sociopati të dëshpëruar. “Ai ishte i etur për vëmendjen që mendonte se meritonte, por s’po e merrte”, shpjegoi ai. Hanssen u dënua me burgim të përjetshëm pasi u deklarua fajtor në 2001.