I jepet lamtumira 13-vjeçares shqiptare në Itali, përlotet mamaja: Të të shikoja edhe 5 minuta …

Është përcjellë për në banesën e fundit, 13-vjeçarja shqiptare Jennifer Alcani, e cila ndërroi jetë të enjten në spitalin Manzoni të Lecco, pas 6 ditësh në koma, pas aksidentit të rëndë të regjistruar në orët e para të mëngjesit të 10 Janarit në Itali.

Advertisements

Me qindra njerëz u mblodhën në Kishën e San Nicolo për t’i dhënë lamtumirë të miturës shqiptare. Ajo që u përlot më shumë ishte mamaja e Jennifer Alcanit, e cila lexoi një mesazh që e kishte shkruar bashkë me babain e të resë që humbi jetën.

Advertisements

“Kam nevojë për një përqafim. Kam nevojë vetëm për përqafimin tënd. Është e vështirë për mua ta pranoj këtë, por e gjej forcën në dashurinë e pafundme që më dhe. Ishe shumë për mua, ishte shumë për ne, ishe shumë për çdo kënd. Ishe një forcë e natyrës. Në këto ditë kur çdo gjë po thyhet në mes, je e vetmja që më jep forcë, që më bën të rezistoj. E di që je këtu. E di që nuk më ke lënë, që më mbron. Zemra jote ndaloi së rrahuri, por e imja s’do ndalojë kurrë së kërkuari ty. Do jetosh përjetë brenda meje dhe babit tënd”, tha e ëma, raportojnë mediat italiane

“Nëse do të të shikoja edhe për pesë minuta do të të thosha faleminderit. Faleminderit që jeton brenda meje. Ylli ynë i vogël, vdekja mund të na ndajë fizikisht, por kurrë zemrat tona”, përfundoi mesazhi i tyre.

Mes të pranishmëve në ceremoni ishte edhe kryebashkiaku i Lecco-s, Mauro Gattinoni. Ndërsa prifti që mbajti ceremoninë preku po ashtu me fjalët e tij. “Duhet ta duam njëri tjetrin, të ndihemi të bashkuar. Duhet të bëjmë çdo të ri të kuptojë që nuk janë kurrë vetëm”, tha ai.

Pas fjalës së tij, arkëmorti i bardhë doli nga kisha ndërsa me dhjetëra tollumbacë të bardhë e rozë u lëshuan drejt qiellit.

Si ndodhi aksidenti?

Jennifer Alcani, më 9 janar, natën vonë, kishte dalë nga shtëpia fshehurazi nga prindërit për të kaluar mbrëmjen me dy shokë më të rritur, në McDonald’s.

Rreth orës 5 të mëngjesit të së premtes, mamaja e saj, që nuk dinte gjë dhe e besonte të flinte në dhomën e saj, mori lajmin që çdo prind do të donte ta shmangte: vajza e saj ishte në spital, kishte pësuar një aksident në Abbadia Lariana.

Jennifer ishte e shtruar në repartin e Neuro-rianimacionit, ku e kishin dërguar në mëngjes pas përplasjes që ndodhi në provinciale 72. Gjendja e saj ishte e rëndë që nga fillimi. Gjatë gjithë javës, miqtë e saj, edhe pse nuk mund të hynin për ta parë, ishin mbledhur para spitalit, nën dritaren e saj.

Aksidenti ndodhi pak para orës 5 të mëngjesit të së premtes, më 10 janar, në hyrje të tunelit që të çon në statale 36.

Shoferi, një djalë 22-vjeçar, po udhëtonte me më shumë se 150 kilometra në orë dhe pasi doli nga një kthesë e vogël humbi kontrollin mbi makinën e fuqishme, e cila përfundoi kundër një parmak betoni. Në makinë me të, përveç shoferit, ishin edhe dy shokë më të rritur, përfshirë Jennifer, e cila po flinte në sediljen e pasme.

Videoklipi i postuar në TikTok tregon momentet e fundit të kësaj gare çmendurake, ku shfaqet shoku që e drejton makinën me muzikën në maksimum. Jennifer kishte rripin e sigurimit të lidhur, por nuk u zgjua pas përplasjes, pasi pësoi një traumë të rëndë në kokë dhe u fut në koma të pashërueshme.

Para aksidentit, Jennifer kishte kaluar natën me shokët e saj duke pirë shumë alkool. Makinën e drejtonte një shok i saj 22-vjeçar, ndërsa shoferi tjetër 19-vjeçar, nga Malgrate, kishte postuar videon në TikTok. Ky i fundit nuk e kishte marrë ende patentën dhe për këtë arsye e drejtonte shoku më i madh.

Dy të rinjtë kishin shishe alkooli në makinë dhe, përveç saj, nuk kishte pasur asnjë problem tjetër të dukshëm. Shoferi 22-vjeçar, tashmë i hetuar për plagosje të rëndë rrugore, rrezikon tani edhe akuzën për vrasje nga pakujdesia. Për më tepër, pas përplasjes ai kishte tentuar të largohej nga urgjenca për të shmangur testin e alkoolit.

Jennifer ishte regjistruar në klasën e parë të shkollës Stoppani në Lecco, edhe pse kishte probleme me frekuentimin dhe kishte ngelur dy herë. Ajo do të kishte mbushur 14 vjet në muajin prill.