Është zbardhur dëshmia në Gjykatën e Shkodrës të 4 efektivëve të forcave Shqiponja, të cilët u arrestuan nën akuzën se nuk ndaluan personin e tretë misterioz që ndodhej në makinën me viktimat e atentatit në Dobraç, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Advertisements
Ata janë shprehur se kanë shkuar në vendin e krimit, ngjarje e ndodhur më 30 Tetor, pasi kanë marrë njoftim për një aksident. Por theksuan se kur mbërritën në vendngjarje kuptuan se kishin të bënin me një atentat.
Advertisements
Efektivët u shpreh se ishte kaos pasi në vendin e atentatit mafioz ndodheshin rreth 50 persona dhe se prioritet i tyre ishte t’i jepnin ndihmën e parë personave që ishin ende gjallë, Arlind Bushati dhe Bashkim Basha, të cilët humbën jetën në spital.
Ata thekson se nuk kanë patur asnjë dijeni nëse personi i tretë ishte Ibrahim Lici apo dikush tjetër, duke shtuar se nuk e njihnin.
Advertisements
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri.
Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”, mësohet të kenë thënë katër policët e dyshuar që gjykata i liroi.
Gjykata e Shkodrës mori vendimin për të liruar nga paraburgimi 4 efektivët e policisë të arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore lidhur me ngjarjen e rëndë në Dobraç më 30 tetor ku u vranë katër persona.
Efektivët e forcave “Shqiponja”, inspektor Blerim Kurmekaj 45 vjeç, Viktor Logu 33 vjeç me detyrë patrullë e përgjithshme e forcës “Shqiponja” dhe inspektor Julian Sterkaj si dhe Marte Martini, përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë trupë shërbimi, u lanë me masën “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë gjykata vendosi gjithashtu “ndalim dalje jashtë shtetit” për 4 efektivët si dhe janë pezulluar nga detyra deri në hetimin e plotë të kësaj çështjeje. Ndërkohë avokatët mbrojtës nuk kanë qenë dakord me këto masa sigurie ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të dyshuarit.
Katër efektivët e policisë “Shqiponja” në Shkodër u arrestuan nga AMP si të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre” në lidhje me atentatin e 30 tetorit. Sipas AMP 4 policët nuk kanë respektuar procedurat standard të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.
Urdhëri i ndalimit ndaj tyre erdhi pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit Hamza Lici, dhe Arlind Bushati si dhe dyshohet se ka qenë edhe një person tjetër i paidentifikuar që është larguar nga vendi i ngjarjes dhe efektivët nuk kanë bërë shoqërimin e tij në polici. Tashmë çështja do të vijojë që të jetë nën hetim për katër efektivët do të jenë në gjendje të lirë dhe të pezulluar derisa të përfundojë hetimi.