“Idiotë të padobishëm”! Tre ditë replika dhe fyerje, drejtori i Tatimeve i kërkon falje Braçes

by editor

Pas tre ditësh me replika dhe kundër-replika, por edhe fyerje mes deputetit socialist Erion Braçe dhe drejtorisë së Tatimeve, kjo e fundit ka bërë sot prapakthehu dhe i ka kërkuar falje deputetit socialist.

Advertisements

Çfarë ndodhi?

Deputeti socialist Erion Braçe denoncoi pak ditë më parë rritjen e çmimeve të fruta-perimeve në tregun e madh të shumicës në Tiranë dhe shitjen e tyre pa faturë tatimore. Pas kësaj agjencitë ligjzbatuese kanë shkuar në tregun e madh të Tiranës dhe sipas Braçes, një pjesë e tregtarëve që janë njoftuar prej tyre, kanë mbyllur qepenat, kurse të tjerët janë kapur në paligjshmëri.

Advertisements

Sipas tij, këtyre të fundit u është thënë: “Nuk kemi ç’bëjmë, ka dhënë urdhër Braçja, prej tij e keni!”.

Në këto kushte deputeti socialist ka reaguar sërish në Facebook, duke i akuzuar dhe duke i quajtur “idiotë të padobishëm të shtetit”.

Ai thekson se qëllimi nuk është gjoba, por transparenca dhe fatura tatimore.

“Qëllimi është fatura tatimore, në blerje nga bujku, në shitje nga tregtari, në shumicë e në pakicë. Fatura dhe Kuponi në çdo blerje e shitje, me çmime transparente, jo të rreme, deri në 31 dhjetor është emergjence, e keni edhe detyrim ligjor!”.

Pas kësaj deklarate, ka ardhur edhe reagimi nga Administrata Tatimore, e cila i quan të pasakta deklaratat e deputetit Braçe. Sipas saj, monitorimi dhe verifikimi i tregjeve, ku operojnë Bizneset e Mëdha është procedurë standarde, që ndiqet çdo vit.

“Na vjen keq të dëgjojmë nga një Deputet fyerje dhe mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore, duke përdhosur punën e saj, aq më keq me informacione të pavërteta, gjykime të një Deputeti që jo vetëm nuk e përmirësojnë punën e një Administrate, por përkundrazi e ofendojnë publikisht atë me apo pa të drejtë”.

Ndjesa

Por një ditë pas këtij reagimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndryshon qëndrim, duke i kërkuar ndjesë deputetit dhe duke e cilësuar të nxituar dhe aspak institucional reagimin e saj.

“Në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në emrin tim personal, i kërkojmë ndjesë publike deputetit Erjon Braçe për reagimin e nxituar dhe aspak institucional ndaj kritikave të tij publike. Shqetësimet e deputetit meritojnë vëmendjen e institucionit tonë dhe nuk është detyra jonë të replikojmë me askënd që lirisht jep opinionin e vet. Kjo thyerje e etikës institucionale nuk do të përsëritet. Shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve për sa më lart. Ceno Klosi”, shkruan drejtoria e Tatimeve në Facebook.

You may also like