Që nga krijimi i saj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është pozicionuar si institucioni më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me ndjekjen e shumë çështjeve të profilit të lartë, ky institucion është kthyer në një filtër për çdo institucion tjetër në vend. Për të përmbushur me sukses misionin e saj, SPAK ka hartuar një strategji ambicioze e cila ka nisur në 2024 për t’u finalizuar deri në 2027. Plani përfshin përmirësime në kapacitetet hetimore, teknologjinë dhe strukturën e institucionit. Me investime në teknologji të reja përgjimi, përmirësime në strukturën institucionale dhe një rritje të ndjeshme të kapaciteteve njerëzore dhe financiare, ky institucion pritet të bëhet edhe më i fuqishëm në ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit duke goditur “kokat” e korrupsionit dhe skemat e tyre të pastrimit të parave.
Advertisements
Sipas dokumentit, SPAK do vazhdojë të investojë në teknologji të avancuar për të rritur kapacitetet e tij hetimore dhe aftësinë për të ndjekur rrjetet kriminale, si edhe do të përmirësojë infrastrukturën e sigurisë kibernetike për të mbrojtur të dhënat e ndjeshme të hetimeve. Një nga synimet kryesore të Altin Dumanit është gjithashtu rritja e numrit të prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) për të përmbyllur sa më shpejt hetimet, si edhe të përballojnë gjithë denoncimet dhe rastet e korrupsionit të referuara në këtë institucion që sa vijnë dhe rriten. Vetëm gjatë vitit 2024, SPAK ka marrë nën hetim 629 persona. Sipas SPAK, numri i personave ndaj të cilëve është caktuar masë “arrest me burg” janë 246 persona, ndërsa të hetuar në gjendje të lirë janë 246 persona. Nga totali prej 2791 të paraburgosur, numri i personave të hetuar nga SPAK është 270. Me urdhër të SPAK janë vendosur pas hekurave ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë.
Advertisements
Si nisi puna e SPAK, zbardhen detaje të tjera nga dokumenti i SPAK
SPAK nisi aktivitetin më datë 19 Dhjetor 2019 me emërimin e 8 (tetë) prokurorëve të saj të parë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), me vendimin Nr. 10/1, datë 7 Janar 2019 kishte parashikuar plotësimin e 15 (pesëmbëdhjetë) vendeve vakante për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme) përmes procedurës së ngritjes në detyrë”. Gjatë vitit 2020 (në datat 31 Janar 2020, 21 Maj 2020 dhe 14 Korrik 2020) u emëruan edhe 5 (pesë) prokurorë të tjerë. Në vitin 2020, Prokuroria e Posaçme do të funksiononte vetëm me 13 prokurorë nga 15 të aprovuar. Në mungesë të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), bazuar në përcaktimet e nenit 40/2 (Dispozita kalimtare) të ligjit Nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”, funksionin e policisë gjyqësore të seksionit do ta kryenin 13 oficerë të policisë gjyqësore të Seksionit të Policisë Gjyqësore në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda gjatë vitit të parë të punës së kësaj prokurorie.
Gjatë kësaj periudhe, përfunduan procedurat e emërimit vetëm të Drejtorit të BKH- së. Disa nga problematikat kryesore me të cilat u përball Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2020 ishin mungesa e numrit të plotë të prokurorëve (13 nga 15 të miratuar), mungesa e strukturës hetimore të BKH-së, mungesa e ambienteve të punës, pasi aktiviteti zhvillohej në zyra provizore të Gjykatës së Posaçme, dhe bllokimi i aktivitetit për shkak të pandemisë COVID-19. Viti 2020 nisi me një ngarkesë të konsiderueshme, ku Prokuroria e Posaçme do të kishte nën hetim 588 procedime penale me 746 persona nën hetim, nga të cilat 204 procedime penale transferoheshin nga ish Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndërsa 384 procedime penale u regjistruan për herë të parë nga kjo prokurori. Progres Raporti i vitit 2020 do të cilësonte vënien në funksionim të plotë të Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).
Në vitin 2021 SPAK ishte në vijim të konsolidimit dhe plotësimit të organikës së saj me prokurorë, hetues të BKH-së dhe staf administrativ mbështetës. Gradualisht numri i prokurorëve gjatë kësaj përudhë nga 13 shkoi në 15 dhe vetëm në shtator të vitit 2021 filluan detyrën 28 hetuesit e parë të BKH-së nga 572 aplikantë. Duhet cilësuar se, procesi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së i cili kalon në 4 faza kryesore ka qenë shumë i komplikuar dhe ka marrë një kohë të konsiderueshme të aktivitetit të Prokurorisë së Posaçme. Një ngarkesë të rëndësishme në këtë proces ka marrë Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Pastërtisë së Figurës, i cili përbëhej nga dy prokurorë dhe një gjyqtar i posaçëm. Në këtë proces. Prokuroria e Posaçme është asistuar ngushtësisht nga misionet ndërkombëtare të ndihmës nga SHBA (ICITAP, OPDAT) dhe BE (EURALIUS, PAMECA etj.). Nga ana tjetër, gjatë vitit 2021, juridiksionit penal të SPAK ju shtua edhe hetimi pasuror sipas Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, “Për Masat Parandaluese në Kuadër të Forcimit të Luftës kundër Terrorizmit, Krimit të Organizuar, Krimeve të Rënda dhe konsolidimit të Rendit e Sigurisë Publike”.
Vetëm në zbatim të këtij Akti në vitin 2021 janë bërë 25 kërkesa për sekuestrim pasurie, si dhe 72 kërkesa për konfiskim pasurie. Gjatë vitit 2021 ngarkesa vjen në rritje, me gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 352 procedime penale të mbartura nga viti 2020 dhe me 363 procedime penale të regjistruara gjatë kësaj periudhe kohore. Ajo që vlen për tu veçuar gjatë kësaj periudhe është vendosja e bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimin Informativ Shtetëror, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Gradualisht filloi dhe vendosja e kontakteve me agjencitë ligjzbatuese partnere, ato italiane, amerikane, gjermane, holandeze, belge, angleze, franceze, EUROJUST, EUROPOL, etj.
Ngarkesa e SPAK
Ngarkesa e punës për vitin 2022 vijon të jetë në parametra të konsiderueshëm. Gjatë kësaj periudhe u hetuan 712 procedime penale, nga të cilat 455 procedime penale të mbartura nga periudha paraardhëse, ndërsa 257 procedime penale janë regjistruar gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, pas një eksperience 3-vjeçare SPAK kishte filluar të krijonte një vizion të qartë të punës dhe treguesve të kësaj strukture dhe krijuar një panoramë më të qartë të nivelit të vështirësive me të cilat do të përballej hetimi. Qoftë krimi i organizuar, por dhe korrupsioni i zyrtarëve të lartë kanë një nivel të lartë sofistikimi. Mbas hetimit të një mori çështjesh u vu re se, grupet kriminale shqiptare kishin rritur nivelin e bashkëpunimit të tyre me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe me vendet e origjinës së prodhimit të drogave të forta.
Nga ana tjetër, format e pastrimit të parave të cilat tani kanë filluar të shtrihen edhe në juridiksionet off shore e vendosin SPAK përballë vështirësive të ndryshme qoftë me hetimin e çështjeve por dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese. Sfida kryesore e vitit 2023 mbetej rritja e kapaciteteve në luftën kundër pastrimit të parave, duke pasur parasysh këtu edhe futjen e Shqipërisë në listën “gri” të pastrimit të parave nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL në shkurt të vitit 2020. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2023, u emëruan 8 hetuesit e parë të Sektorit të Hetimit Financiar. Nga ana tjetër, vijoi konsolidimi i organikës së Prokurorisë së Posaçme me 18 prokurorë (1 të emëruar përkohësisht gjatë vitit 2023) dhe plotësimi me 60 hetues të BKH-së. Rritja e kapaciteteve njerëzore u përkthye edhe në rezultate pozitive ku numri i hetimeve të filluara kryesisht për vitin 2022 u rrit më të paktën 56%, numri i hetimeve të ish zyrtarëve të lartë për periudhën 2020-2022 ishte 24 procedime penale me 25 persona në hetim.
Nga ana tjetër numri i procedimeve penale të regjistruara për veprat penale në kuadrin e krimit të organizuar për vitin 2022 pësojë një rritje të konsiderueshme me 139% krahasuar me vitin 2021. Një rritje të rëndësishme pati edhe treguesi i bashkëpunimit ndërkombëtar ku në vitin 2022 numri i skuadrave të përbashkëta hetimore u rrit me 22%. Sidoqoftë ndër sfidat kryesore të vitit 2022 mbeteshin evadimi i çështjeve të mbartura, mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe mungesa e infrastrukturës, faktor i cili vështirëson punësimin e ekspertëve financiar dhe të fushave të tjera për mungesë ambientesh normale pune. Gjatë vitit 2023, SPAK u orientua në rritjen e hetimeve shteruese të organizatave kriminale më me ndikim në tregjet kriminale shqiptare dhe hetimit të korrupsionit të ish zyrtarëve të lartë. Përkrah këtij objektivi, një objektiv tjetër ishte rritja e eficencës së SPAK, ku do ti kushtohej rëndësi një qasjeje të re hetimore dhe orientimit më të qartë të politikave të strukturës nëpërmjet miratimit të një sërë aktesh nënligjore të Prokurorisë së Posaçme dhe urdhrave të përbashkët me BKH-në. Për këtë qëllim u ngrit Sektori i Hetimit Financiar me 12 hetuesit e parë të saj të cilët ngritën në mënyrë cilësore standardet e hetimit.
Kapacitetet
Prokuroria e Posaçme është përpjekur që të rrisë dhe kapacitetet infrastrukturore duke siguruar tashmë një godinë shtesë e cila është në fazën e mobilimit dhe organizimit të brendshëm të saj. Paçka se numri i prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve të BKH-së vijoji i njëjtë për këtë periudhë, ngarkesa e procedimeve penale vijon të ketë rritje. Për vitin 2023, ishin rreth 750 çështje për 570 persona nën hetim, duke pasur një rritje në masën 16% në krahasim me vitin paraardhës. Në vitin 2023 ka pasur gjithashtu rritje edhe në shumë tregues të tjerë si rritje në hetimet e nisura kryesisht, rritje në numrin e çështjet e regjistruara për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar në masën 8% dhe një rritje prej 20% për çështjet e regjistruara për veprat penale në kuadër të korrupsionit, si dhe rritje të çështjeve të regjistruara kryesisht në masën 41%. Prokuroria e Posaçme ka pasur edhe një përmirësim të ndjeshëm edhe në marrjen e vendimeve të fajësisë në të tre shkallët e gjyqësorit ku në shkallën e parë të Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka patur një rritje prej 53% krahasuar me vitin 2022 me një tendencë të njëjtë rritje edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe në Gjykatën e Lartë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka filluar diskutimet për adresimin e rritjes së kapaciteteve njerëzore në lidhje me plotësimin e detyrimit të kalimit të kompetencave të Komisionerit Publik, të cilat Kushtetuta (pika 8, të nenit 179/b) ia ngarkoi Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në 31 dhjetor 2024. Parashikohet se, numri i çështjeve që do të vijojnë të përfaqësohen në Komisionin e Posaçëm të Apelit (KPA) deri në përfundim të mandatit kushtetues të KPA-së, qershor 2026, të jetë rreth 30 çështje ku parashikohet se Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, do të duhet të ndjekë rreth 150 seanca gjyqësore, në harkun kohor janar 2025-qershor 2026, numër që mund të rritet në varësi të kompleksitetit të çështjeve.